Balkanweb.com: "Shtabi i FA: Gërveni, kthehu në atdhe ose do ndiqesh penalisht!"

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, sqaroi dje për publikun kërkesën e saj, drejtuar Presidentit të Republikës për largimin e kundëradmiralit Kristaq Gërveni nga posti si atashe i Shqipërisë në NATO. Ajo deklaroi se nuk i ka marrë asnjë kompetencë kreut të shtetit, edhe pse ky vendim shënoi përplasje mes dy institucioneve. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Kodheli tha se shkarkimi i Gërvenit është bërë në zbatim të plotë të ligjit, pasi dekreti i presidentit të mëparshëm, Bamir Topi për të ka mbaruar në mars dhe presidenti aktual Nishani, sipas saj është njohur me këtë fakt. “Kam zbatuar vetëm procedurat dhe ligjshmërinë. Është një procedurë krejt normale, në mbarim të dekretit të presidentit të mëparshëm, që ka mbaruar në rastin e zotërisë në fillim të janarit, por që mbaron dhe fizikisht në fund të marsit dhe vetëm kam nxjerrë një urdhër administrativ, në mënyrë që t’i hapet vendi dikujt tjetër për të ardhur”, sqaroi ministrja Kodheli. “Presidenti ndërkohë vlerëson situatën, është i njoftuar për mbarimin e dekretit të presidentit të mëparshëm dhe mbarimin e kohës fizike të qëndrimit të përfaqësuesit tonë në NATO dhe besoj se do procedohet rregullisht edhe në këtë rast”, tha ajo. Ministrja Kodheli largoi nga detyra kundëradmiralin, pasi sipas saj, Gërveni ka mbajtur gradën e gabuar në uniformë në një takim të 170 shefave të Mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s. Këtë skandal e publikoi e para “Gazeta Shqiptare” e më pas erdhi edhe kërkesa e ministres Kodheli. Nga ana e tij, Gërveni ka paralajmëruar se nuk do të zbatojë urdhrin e Kodhelit për t’u larguar nga detyra, në një letër që i ka dërguar presidentit. Për këtë situatë reagoi dje, edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Baze, i cili i ka kërkuar Gërvenit të respektojë urdhrin dhe të largohet nga detyra, ose do të përballet me ligjin, pasi mosbindja përbën kundravajtje penale.
“SHPFA i Republikës së Shqipërisë ka reaguar në lidhje me komentet e bëra nga kundëradmiral Kristaq Gërveni në ndonjë media të vendit, për moszbatimin e urdhrit administrativ të ministrit të Mbrojtjes ‘Për dorëzimin e detyrës dhe kthim në atdhe’, ku shprehet se zbatimi i urdhrit ‘nuk diskutohet, por zbatohet me shpejtësi dhe përpikmëri’, kjo sipas pikës 5.2.2, neni 2, kreu V, i Rregullores së Jetës së Brendshme të Forcave të Armatosura, miratuar me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes Nr.1821, datë 09.11.2011", - thuhet në reagim. “Nga çdo ushtarak i Forcave të Armatosura, pavarësisht gradës që ai mban, natyrës dhe përmbajtjes së urdhrit (përveçse kur urdhri bie dukshëm ndesh me Kushtetutën e Republikës), pritet marrja, sqarimi, zbatimi dhe raportimi për zbatimin e tij, ndërkohë eprori i tij është përgjegjës për urdhrin e dhënë dhe pasojat që sjell zbatimi i këtij urdhri. Rikujtomë se rastet e mosbindjes ose moszbatimit të urdhrit nga ushtaraku, i cili është i detyruar t’i zbatojë e respektojë ato, përbën kundravajtje penale, ndërkohë që rasti në fjalë ul figurën e ushtarakut dhe përfaqësimin dinjitoz ndërkombëtar të ushtarakëve tanë në strukturat e Aleancës”, citohet reagimi i Bazes. Sipas tij, “urdhri administrativ për dorëzimin e detyrës dhe kthimin në atdhe nuk cenon kompetencat e Presidentit të Republikës, por thjesht rregullon marrëdhëniet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, pasi Gërvenit, i ka mbaruar afati 3-vjeçar i qëndrimit në këtë detyrë”.
Darina Tanushi, GSH
Add new comment