Auron Tare në krye të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Puna fillon me një staf bazë prej 30 vetësh

Agjencia Kombëtare të Bregdetit, një institucion i ri që mazhoranca e majtë e kishte premtuar gjatë fushatës elektorale, tani ka edhe kreun e saj. Këshilli i Ministrave ka emëruar Auron Taren si kreun e AKB-së, ndërsa më herët qeveria kishte përcaktuar dhe kompetencat bazë të saj. Mësohet se fillimisht puna e kësaj agjencie do të nisë me një ekip-bërthamë prej afro 30 personash i cili do të jetë i shpërndarë në katër ose pesë rrethe të vendit. Nisma parashikon që kjo Agjenci të jetë organi kompetent për disiplinimin dhe menaxhimin e integruar të vijës bregdetare shqiptare. Struktura është risi, pasi deri më sot, nuk ka pasur një agjenci të posaçme të dedikuar bregdetit dhe shpesh kompetencat mes ministrive të ndryshme ishin të pakoordinuara. Plani i qeverisë Rama është që në një kohë të dytë, pasi Agjencia të ketë marrë formë, funksionimi i saj të bazohet dhe në një ligj të posaçëm dhe jo thjesht me vendim qeverie, duke i shtuar gradualisht asaj dhe kompetencat mbi bregdetin.
a.k
Add new comment