Analisti Skënder Minxhozi thotë se në javën e fundit fushata ka ndryshuar marshin dhe ka një intensitet më të lartë të mazhorancës por më të ulët të opozitës

Analisti Skënder Minxhozi, në studiot e edicionit qendror të lajmeve në “Top Channel” foli për fushatën e cila duket se është ndezur ditët e fundit me akuza të ashpra mes palëve për blerje apo manipulime të votës. “Fushata ka qenë normale nga pikëpamjet e qetësisë, - tha ai - Sa i takon shit-blerjes së votës, ky fenomen duket më së shumti në zona si Durrësi, Vora dhe diku tjetër, ku rezultati është i ngushtë, por nuk duket një fenomen masiv”. Por Minxhozi tha se gjithsesi është e ligjshme që opozita të ngrejë zërin. Ndërkohë po hyjmë në javën e fundit të fushatës dhe duket se partitë po ndezin motorët tashmë. I pyetur rreh kësaj situate Minxhozi tha se deri tani kemi pasur një fushatë nga ato që quhen dëgjesa. “Dukeshin si inskenime të përgatitura me regji dhe kujdes nga partitë për të dhënë imazhin e kandidatit që komunikon me zgjedhësit. Sot po ndryshon marsh fushata, po hyn në fazën finale, ku partitë kanë kaluar në mitingje masive, galvanizojnë njerëzit, por brenda këtij fenomeni, do të thosha që emërues i përbashkët i kësaj fushate, ka një intensitet më të lartë të mazhorancës dhe më të ulët të opozitës. E dukshme është që nëse qeveria ka humbur pikë në këto dy vite, pala tjetër nuk po tregohet aq e aftë për të marrë këto pikë të humbura”, tha ai.
l.v
Add new comment