1 milion lekë për dëftesën e shkollës së mesme (pa qenë asnjë ditë në shkollë)

I kanë kërkuar 1 milion e 100 mijë lekë në këmbim të një dëftese të shkollës së mesme pa shkuar asnjë ditë në shkollë. Dëftesa u premtua se do të merrej në gjimnazin e Yzberishtit, ku M.A. do të regjistrohej direkt në vitin e pestë!” – E përditshmja MAPO boton në numrin e sotëm detaje nga një përgjim zyrtar ku janë përfshirë një ish-inspektor i Drejtorisë Arsimore të Tiranës dhe një ndërmjetës, të denoncuar nga një shtetase, së cilës i ishte premtuar dëftesa në fjalë.
Shkruan MAPO: “B.E. dhe E.B. janë denoncuar nga shtetasja M.A. e cila pretendon se të pandehurit i kanë kërkuar 1 milion e 100 mijë lekë në këmbim të një dëftese të shkollës së mesme. Prokuroria thotë se të pandehurit kanë marrë 900 mijë lekë nga shuma e kërkuar, e cila është premtuar se do të paguhej ndaj drejtuesve të shkollës së mesme Yzberisht. M.A. ka shpjeguar se i pandehuri E.B ka qenë klient në lokalin ku ajo punonte. Ky i pandehur i ka thënë që mund ta pajiste me një diplomë të rregullt të shkollës së mesme, kundrejt shumës prej 110 mijë lekë të reja. Në bisedën e zhvilluar mes kallëzueses dhe të pandehurit, ky i fundit ka shpjeguar se ka njohje me një drejtor shkolle në një fshat të Tiranës, i cili prodhon diploma të rregullta të shkollës së mesme, kundrejt pagesës. Prokuroria ka urdhëruar përgjimin e bisedave që kallëzuesja ka bërë me të dyshuarit. Shtetasi B.E. ka qenë nëndrejtor në shkollën e Yzberishtit si dhe inspektor pranë Drejtorisë Arsimore Tiranë, funksion gjatë të cilit ka pasur nën kontroll edhe këtë shkollë të mesme. I pandehuri i ka kërkuar shtetases M.A. shumën prej 110 mijë lekësh për procedurën e prodhimit të diplomës. I pandehuri do të mundësonte regjistrimin e M.A. direkt në vitin e pesë të shkollës. Ky fakt do të pasqyrohej edhe në listën që do të afishohej pranë shkollës së Yzberishtit. Pas afishimit të listës, kallëzuesja do të pajisej me një vërtetim që konfirmonte regjistrimin e saj në shkollë”- citohet në përgjime. A.N.
Add new comment