“Zbulimi” i Bylykbashit për një pakt pastrimi të kandidatëve, që mazhoranca e ka refuzuar. Dhe një lojë bajate e të gjithëve me dekriminalizimin

Është data 2 qershor 2015, më pak se tre javë nga data e zgjedhjeve lokale. Sot PD përmes deputeti Bylykbashi deklaroi se i ka kërkuar mazhorancës që të largojnë të gjithë kandidatët për zgjedhjet e 21 qershorit që kanë rekorde kriminale, së bashku, përmes firmosjes së një pakti. Partia Demokratike e paska bërë këtë propozim para dy javësh, por nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe sot Bylykbashi bëri transparencën e tre pikave të paktit:
1.Verifikimin për pasjen ose jo të rekordeve të rënda kriminale, për cilindo nga kandidatët e regjistruar për zgjedhjet e 21 qershorit, nëse një nga subjektet politike nënshkruese të paktit e kërkon këtë;
2.Përdorimin e gjurmëve të gishtërinjve për çdo rast të kërkuar, me qëllim verifikimin e plotë e të saktë të rekordeve kriminale;
3.Tërheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatëve që rezultojnë me rekorde të rënda kriminale ose refuzojnë verifikimin e të dhënave të tyre.
I bie që propozimi të jetë bërë nga mesi i majit, pra kur kandidatët tashmë ishin përzgjedhur dhe shpallur nga të gjitha palët. Loja qesharake me dekriminalizimin nuk ka si të bëhet më bajate, nga partia që gjasme e nisi këtë proces dhe që kishte gjithë kohën e duhur në dispozicion për ta bërë këtë presion. Po kaq qesharak nga ana tjetër është “stoicizmi” i mazhorancës, që edhe ditën e sotme bën fushatë për emra që përfliten prej vitesh si të inkriminuar, dhe nga ana tjetër përshëndet kërkesat e vazhdueshme të ambasadës amerikane për pastrimin e këtij procesi. Jemi në pikën që këtyre lojrave u ka dalë edhe boja, edhe kallaji.
a.k
Add new comment