“Panorama”: Rama zgjedh Idrizin si nënkryetar Kuvendi, sot votimi në seancë

Postuar në 21 Maj, 2015 01:51

“Panorama” shkruan se Kuvendi do të votojë sot propozimin e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet për të vendosur Shpëtim Idrizin në postin e nënkryetarit të Kuvendit. Sipas gazetarit Aristir Lumezi, tashmë në kryesinë e Kuvendit për herë të parë do të kemi një nënkryetar, i cili përfaqëson minoritetin grek në Shqipëri, Vangjel Dulen, si dhe në anën tjetër Shpëtim Idrizin, i cili kërkon zgjidhjen e çështjes çame në Greqi. Përballje këto që jo pak herë në Parlament kanë sjellë tensione mes Dules dhe Idrizit. “Panorama” thotë se propozimi për votimin e Idrizit vjen vetëm një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes elektorale mes PS dhe PDIU-së për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Ndërsa PBDNJ e drejtuar nga Vangjel Dule vendosi të mos jetë në asnjë nga koalicionet zgjedhore, duke kandiduar më vetë me kandidatë për kryetarë të bashkive, por dhe në këshillat bashkiakë. Nga marrëveshja me PS, PDIU-së iu la e drejta të vendoste tri kandidatura për kryetarë të bashkive, të cilët do të garojnë nën siglën e koalicionit për “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Tashmë partia e drejtuar nga Shpëtim Idrizi ka propozuar për Bashkinë Rrogozhinë Beqir Nuredinin, në Peqin Saimir Hasallan dhe në Konispol Shuaip Beqirin. Si pasojë e kalimit të PDIU-së nga koalicioni me Partinë Demokratike në atë Socialiste, deputeti Dashamir Tahiri vendosi shkëputjen nga Grupi Parlamentar dhe deklarimin për të mbështetur kandidatët e PD-së në Vlorë dhe Sarandë. Ndërsa në konfigurimin e numrave në Kuvend, koalicioni i majtë tashmë ka siguruar 88 vota në Kuvend.

 

http://www.panorama.com.al/pasi-e-mori-ne-koalicion-rama-zgjedh-idrizin-si-nenkryetar-kuvendi-sot-votimi-ne-seance/

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.