“Monitor”/ Serbia në “avantazh” në tregti dhe investime me Shqipërinë; importet 8 herë më të larta se eksportet

“Monitor” shkruan se Serbia ka qenë vitet e fundit shumë konkurrente në raport me Shqipërinë në tërheqjen e investimeve të huaja, sidomos nga Italia. Benetton, Ferrero Rocher, Geox janë disa raste, ku investitorët italianë, pasi kanë studiuar të dyja tregjet kanë zgjedhur Serbinë për të investuar. Shqipëria ka realizuar 3.5% të gjithë volumit tregtar me Serbinë për 3 mujorin e parë të këtij viti, sipas statistikave të raportuara nga INSTAT. Bizneset serbe kanë arritur të gjejnë rrugën për të çarë në tregun shqiptar. Për janar-mars 2015, totali i importeve nga Serbia drejt Shqipërisë ishte rreth 5.5 miliardë lekë (gati 40 milionë dollarë), me një rritje prej 16% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Grupi më i importuar është “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, që zë 51% të totalit. Grupi i dytë i produkteve që vijnë nga Serbia në Shqipëri janë “Ushqimet, pijet dhe duhan”, me 27% të totalit, ku peshën kryesore e zë gruri. Më pas renditen lëndët kimike dhe plastike, me 9.2% të totalit. Eksportet shqiptare drejt Serbisë arritën në 650 milionë lekë për tre muajt e parë 2015, ose rreth 4.7 milionë euro. Pavarësisht rritjes me 3.5 herë që kanë shënuar në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet drejt Serbisë mbeten shumë të ulëta në raport me importet.
Add new comment