“Fitorja e bindshme e Vuçiç që drithëron Serbinë” shkruan “La Stampa” dhe analizon imtësisht kryeministrin e ri

Postuar në 21 Mars, 2014 15:31

E përditshmja italiane “La Stampa” ka botuar një analizë të thelluar e të zgjeruar mbi liderin e ri të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Autori Giuseppe Zaccaria evidenton se kryeministri i ri i progresistëve serbë është aktualisht njeriu më i pushtetshëm i Serbisë që prej monarkisë. Pikërisht nga ky fakt, autori ngre pikëpyetje se si do ta përdorë pushtetit lideri i ri serb; nëse ai do të ndjekë një rrugë të re apo hapat e njeriut tjetër “të fortë” të vendit të tij, Sllobodan Millosheviçit. Zaccaria analizon personalitetin e liderit të ri, qëndrimet e tij kontroverse në të shkuarën dhe në fund evidenton se kryeministri që shfaqet si proeuropian, që drejton një vend ballkanik, që pret në investim të rëndësishëm rus, “duhet të tregojë më shumë sesa vetëm cilësitë e tij komunikative”.

Vuçiç fiton bindshëm dhe bëhet kryeministër. Serbia i trembet “efektit Millosheviç’

Aleksandër Vuçiç është një burrë i lartë, po me një fytyre prej adoleshenti: është 44 vjeç, ka dy fëmijë, është diplomuar për drejtësi dhe prej pak ditësh është shndërruar në njeriun më të pushtetshëm që Serbia ka pasur që prej monarkisë. Në zgjedhjet e pak ditëve më parë partia e tij SNS arriti të merrte përafërsisht 48 për qind të votave, por duke qenë se në votime morën pjesë pak më shumë se gjysma e serbëve, për shkak të një mekanizmi të çuditshëm të ndarjes së mandateve, ai ka marrë 160 nga 250 vendet që ka Parlamenti, ndaj ai mund të qeverisë edhe i vetëm. Dhe pikërisht kur ka dekretuar triumfin e tij, Serbia ka nisur të ndjejë drithërima: mos vallë po vjen një autokrat tjetër? Ai, që është një person inteligjent, e ka kuptuar menjëherë rrezikun dhe tanimë thotë:” Do të më pëlqente të bashkëpunoja me parti të tjera për formimin e qeverisë , por mbi bazën e një programi të përbashkët: nuk kemi kohë për të humbur ”, dhe programi, pak për të thënë, parasheh lot dhe gjak. Serbia në 20 vjeçarin e fundit i ka parë të gjitha; ekonomia e saj mbijeton falë borxheve, duhen shkurtuar mijëra punonjës publikë: një punë e pisët por që dikush duhet ta bëjë. Dhe nëse Vuçiç ka ndonjë pikë të dobët, ajo është tendenca e shfrenuar drejt imazhit, ndërtimit të personazhit. Tre muaj më parë, vlen të kujtohet, se kur Vojvodina u mbulua nga bora, u filmua si “shpëtimtar” ndërsa ndihmonte një fëmijë duke e nxjerrë nga një makinë. Është solidarizuar me grevistët, ka sulmuar të pasurit e korruptuar, ka shëtitur Europën, ka shtrënguar duar, ka ftuar ish-ministrin e Jashtëm gjerman Guido Westerwelle për një gotë verë në shtëpinë e tij, ka lidhur miqësi me Emiratet aq sa i ka bindur të investojnë në sektorin e transportit ajror, e kështu me radhë. Një “supermen”, veprat e të cilit vihen në pah çdo ditë nga “tabloidet” e partisë. Këtu lind dyshimi: a mos do ta teprojë?

Paralelet me njeriun tjetër “të fortë” të Serbisë së këtyre viteve lind spontanisht, edhe pse  mes Sllobodan Miloseviçit dhe Aleksandër Vuçiçit, diferencat janë të forta: ai një ish komunist, ky një ish nacionalist radikal, ai një “lundërtar” i madh, ky që ecën para me vendosmërinë e një “demi”, nga “Sllobo” i vjetër mund të thuhej gjithçka përveçse se nuk i qëndronte besnik ideve të tij,  përndryshe për Vuçiç mund të thuhet se i ndërron idetë ashtu si këmishat, e më pas ndjehet edhe i lumtur se pse e bën këtë. Disa vite më parë, kryeministri i ri serb ishte vetëm një avokat i ri i Beogradit, i regjistruar si anëtar i Partisë radikale,formacion hipernacionalist i udhëhequr nga Vojslav Seselj (Sheshel). Ra në sy menjëherë, sidomos për deklaratat e forta në atë periudhë kur gjakrat ishin ndezur. Duke folur për masakrën e Srebrenicës ai u shpreh “për çdo serb të vrarë duhet të vrasim 100 muslimanë” (por më pas u pendua), kur gjenerali Mlladiç ishte në kërkim bëri të ditur se do të ishte i nderuar gjithnjë për ta mikpritur në shtëpinë e tij, për arrestimin e Karaxhixh udhëhoqi protesta dhe si ministër i Informacionit propozoi një ligj që u vinte lakun në fyt mediave të pavarura. Pastaj ndodh konvertimi i papritur: zëvëndëspresidenti i radikalëve, Tomislav Nikoliç braktis  Sheshelin dhe themelon partinë për Progres, i ndjekur nga “luani i ri”. Sot i pari është President i Serbisë dhe tjetri kryeministër. 

Pjesa tjetër është histori e 2 viteve të fundit:me humbjen e papritur të Partisë Demokratike në 2012, Vuçiç e gjen veten të projektuar në skenën kombëtare dhe nga ai moment nuk humbet asnjë goditje: çdo ditë del në pah, deklaron, premton, zbulon e madje i paraprin edhe hetimeve mbi çështjet kriminale që janë në zhvillim. Qeveria e socialistit Ivica Daçiç, në të cilën është zëvëndëskryeministër, funksionon mirë dhe arrin dy rezultate historike: marrëveshjen me Kosovën dhe statusin e vendit “kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian” . Gjithçka shkon aq mrekullisht sa Vuçiç vendos të kërkojë zgjedhje të parakohshme dhe i fiton ato. Po tani? Lideri me pamjen e të riut nga sot i ka duart e zgjidhura por duhet të vendosë se si do t’i përdorë ato.

Analistët politikë në Serbi bien dakord me faktin se triumfi elektoral sjell me vete rreziqe të ndryshme: Zoran Stojiljkovic, docent i Shkencave Politike në Beograd sheh “rrezikun e një dominimi të tepruar të partisë progresiste që mund të hapë shtigje për tendenca autoritariste. Sot opozita që  mundi Millosheviçin është e margjinalizuar politikisht dhe është në masë të madhe jashtë parlamentit. Kemi konfirmuar atë që tashmë duket se është edhe mallkimi ynë: që në Serbi fiton gjithnjë populizmi”. Vuçiç po pret të përtypë fitoren dhe ditët e ardhshme do të dëshmojnë nëse do të arrijë të mos trulloset nga suksesi i tij: e di që partia e tij nuk i ka as strukturat e as njerëzit për të përballuar vetëm , jo vetëm reformat e mëdha, po as manaxhimin normal të shtetit. Në fund të fundit, një aleancë e re me socialistët dhe rekuperimi i Boris Tadiç, që me një listë personale ka arritur një sukses të konsiderueshëm, do të ishin lëvizje inteligjente. Prezantimi si një novator dhe proeuropian në një vend që në të shkuarën është rrënuar nga bombardimet e NATO-s dhe që në territorin e të cilit do të kalojnë tubacionet e gazsjellësit rus “South Stream”, kërkon dhunti prej statisti dhe dhe vetëm të një komunikatori.

 

http://www.lastampa.it/2014/03/21/blogs/caffe-mondo/vucic-stravince-e-diventa-premier-la-serbia-teme-leffetto-milosevic-KgRhFAfuoT503iHfZNUx9M/pagina.html

k.k

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.