A është Konferenca e Pezës simbol i bashkimit të shqiptarëve?

Postuar në 05 Qershor, 2015 08:30

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka shfrytëzuar sot 75-vjetorin e krijimit të çetës së Pezës, për të bërë një vizitë në këtë fshat të Tiranës, e për të përsëitur edhe njëherë propagandën e patriotizmës. Nëse çdo subjekt dhe individ ka të drejtën e identifikimit me simbolet, ngjarjet dhe festat që përzgjedh apo beson, këmbëngulja e politikës për të folur në emër të të gjithëve, pavarësisht kompleksitetit historik, është thjesht dhe vetëm abuzim i pastër. Konkretisht, Ilir Meta, që është shumë i angazhuar të mbajë lidhje me veteranët, ka bërë këtë deklaratë: “Peza është simboli i bashkimit të shqiptarëve, është simboli i patriotizmit. Dhe vetëm një patriot i madh si Myslym Peza mund të bëhej edhe simboli i bashkimit siç u bë më 16 shtator në vitit 1942 këtu në Pezë duke i mbledhur të gjithë forcat politike dhe gjithë figurat patriotike për t’i bashkuar pa dallim feje, krahine dhe ideje për çlirimin e vendit”. Dhe pak më poshtë nxjerr kokën pak fushatë elektorale: “Fakti që Peza dhe biri i saj i shquar dhe i mbarë kombit shqiptar Myslym Peza e nisën të parët luftën antifashiste, tregon në mënyrën më të qartë se Peza ka qenë gjithmonë në drejtimin e duhur”,tha Meta që shtoi se ndihej i lumtur që shkonte në Pezë. Përtej aspektit protokollar e formal, ky lloj qëndrimi, i drejtuesit të një institucioni, stonon. Stonon sepse me Konferencën e Pezës, shqiptarët janë bombarduar që në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, ku kohë pas kohe kësaj ngjarjeje i retushoheshin figura të caktuara, për të vijuar me periudhën e harresës pas ’90-ës dhe për të ardhur te “rilindja” e Pezës, qëkur në krye të Bashkisë së Tiranës erdhi Edi Rama. Organziohet Peza Rock, politikanë të asaj që rëndom njihet si e majtë vizitojnë Pezën dhe flasin për konferencën, e cila sido dhe sado të bëjnë, do të lidhet medoemos edhe me emrin e Enver Hoxhës. E kthyer në një ritual dhe “pelegrinazh” që organizohet nga e majta, a mund të quhet vallë Konferenca e Pezës, simbol i bashkimit të shqiptarëve? Padyshim që jo. Ajo është simbol i bashkimit të socialistëve. Në një vështrim historik: a mund të flasim për Pezën duke lënë mënjanë Enver Hoxhën? Jo. Po nëse përmendim Enver Hoxhën, a mund të flasim për bashkim? Sërish, Jo. Hoxha është një figurë që i ndan shqiptarët e sotshëm.  Ndaj këto lodrat pranverore të Metës, do duhen klasifikuar thjesht si fushatë elektorale.

s.z 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.