Çfarë ta ketë frymëzuar klarinetistin Blatti t’i kushtojë një kompozim radios shtetërore të Shqipërisë?

Postuar në 05 Shkurt, 2013 10:43

Ardian Vehbiu rastësisht ka ndeshur në një album jazz-i italian, “Espresso 443”, nga Enrico Blatti; çfarë e dallon këtë album nga të tjerët është një tragë e titulluar... “Radio Tirana”.  Çfarë do ta ketë frymëzuar klarinetistin Blatti t’ia kushtojë një kompozim të vetin radios shtetërore të Shqipërisë?

Shkruan Vehbiu: “Meqë përgjigjen nuk e kam, po ia lejoj vetes të imagjinoj se pjesa evokon Radio Tiranën e djeshme, atë me valë të shkurtra, që pushtonte qiejt e netëve europiane, duke filluar që me notat lajmëruese të trompës, që rimerrte vargjet e para të një kënge të njohur revolucionare të Prenk Jakovës: “Ndër ara, fabrika, kantiere…” Ose më mirë – evokon mahnitjen e publikut përtej me zërin enigmatik, krejtësisht alien, si nga një dimension tjetër, botë alternative ose univers paralel, të Radio Tiranës në gjuhë të huaj. Në vitet 1970-1980, eteri mbi kontinentin plak ishte shndërruar në fushë-betejë të valëve: propagandë, kundërpropagandë, zhurmues dhe kundërzhurmues; teksa antenat e radiofonisë i kapnin e i kontrollonin qiejt më shpejt e më efektshëm se raketat dhe avionët e NATO-s dhe të Traktatit të Varshavës. Brenda asaj hapësire të pështjelluar, edhe Radio Tirana ishte superfuqi e llojit të vet. Vizioni për botën i përcjellë nga njoftimet dhe emisionet e saj; shpjegimi dhe interpretimi që u bëhej ngjarjeve; vetë përzgjedhja e lajmeve, sipas një logjike krejtësisht idiosinkratike, që nuk përkonte as me atë komercialen të agjencive perëndimore, as me propagandën filosovjetike bishtdredhur dhe fjalëbutë të Lindjes, ofronte një alternativë. “Zëri i Shqipërisë, zëri i së vërtetës”, më ka thënë njëherë, në greqishte të kulluar, një koleg athinas, në Napoli. Militant i PASOK-ut), i angazhuar seriozisht në politikë, i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj kauzës së vet, kolegu më tregonte se me ç’interes ndiqeshin emisionet e Radio Tiranës nga disa segmente të së majtës greke...”

 

Vehbiu i plotë:

http://xhaxhai.wordpress.com/2013/02/05/radioja-nga-tirana/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.