Votat urbane, përcaktuese në Tiranë

Me ndarjen e re territoriale, 11 minibashkive të Tiranës u bashkohen edhe disa komuna përrreth. Territori i bashkisë së zgjeruar të Tiranës është sa shumëfishi i bashkisë origjinale. (Fillon prapa malit të Dajtit, zbret në jug deri në Qafën e Krrabës, dhe shtrihet në perëndim deri afër detit Adriatik). Sidoqoftë, nga pikpamja elektorale, ky zgjerim praktikisht nuk ndryshon gjë.
Në qershor 2013, nga rreth 350 mijë vota që u regjistruan në territorin e bashkisë së zgjeruar të Tiranës, vetëm 50 mijë vota ishin në komunat rreth vijës së verdhë të qytetit aktual. Për më teprër, raporti politik i votave në komunat e Tiranës ishte i njëjtë me atë të qytetit – 61% e votave ishin për partitë e mazhorancës aktuale, si në qytet edhe në komunat përreth. Madje edhe sikur Tirana e madhe të përfshinte Kamzën e Vorën, të cilat u bënë bashki më vete, raporti politik i votave të 2013-ës do të ndryshonte fare pak – nga 61% për partitë e mazhorancës aktuale, në 59%.
Fakti që 85% e votave janë urbane është një plus për kandidatët e pavarur Bojaxhi, Guri dhe Tafaj, sepse ata nuk do ta kenë mundësinë të ndërtojnë një rrjet kapilar aktivistësh në territorin e gjerë rural të bashkisë stërmadhe, të ngjashëm me atë që kanë partitë kryesore. Dhe historia ka treguar se votat rurale ndikohen shumë nga lidhjet e drejtpërdrejta që krijojnë partitë e mëdha me fiset dhe familjet e zgjeruara.
Ndryshe qëndron puna me votuesit urbanë, sidomos ata kryeqytetas, të cilët ndoshta nuk njohin as fqinjët e shkallës tyre. Lidhjet personale mund t’u sigurojnë kandidatëve te pavarur vetëm një grusht votash në kryeqytet, ndërsa fushatat mediatike (në mediat tradicionale dhe ato internetore) mund t’u sigurojnë dhjetra mijëra. Kuptohet që edhe në fushatat mediatike, kandidatët e partive të mëdha do të kenë epërsi paraprake, por kandidatët e pavarur e kanë të paktën një shans për t’i bindur votuesit urbanë, në qoftë se arrijnë të përçojnë një mesazh bindës. Një shans ky që vështirë se do ta kenë në zonat rurale, ku partitë e mëdha, me shumë gjasa, do të mbizoterojnë.
Duke presupozuar se 50 mijë votat rurale do të ndahen kryesisht mes kandidatëve të partive të mëdha, pak a shumë në raportet e para dy vjetëve, gara e vërtetë për Tiranën duket se do të bëhet për 300 mijë votat urbane. Pyetjet që shtrohen në kryeqytet janë 1-A do të shkojnë përsëri 300 mijë votues urbanë tek kutitë e votimit? 2-Sa prej atyre që do të votojnë do t’ia japin votën kandidatëve të pavarur? 3-Cili prej kampeve të mëdha do të ketë rrjedhjen më të fortë të votave drejt kandidatëve të pavarur?
Comments
bojaxhiu do marri gjysmen e
<p>bojaxhiu do marri gjysmen e 300 mije votave qytetare. ky eshte basti im!</p>
Add new comment