Shpiket implanti që u rikthen shikimin pacientëve të verbër

Postuar në 21 Tetor, 2025 14:58

Shkencëtarët kanë shpikur një implant syri për të ndihmuar pacientët e verbër të shohin përsëri. Pajisja e re është produkt i punës së një ekipi ndërkombëtar mjekësh okulistë.

Pajisja ndihmoi 81 për qind të pjesëmarrësve në provë që vuanin nga degjenerimi makular i avancuar i lidhur me moshën (AMD) të arrinin përmirësime klinikisht domethënëse në shikimin.

Rezultatet e testeve klinike u botuan në “New England Journal of Medicine”.

Teknologjia në fjalë synon të korrigjojë një formë të AMD të njohur si atrofi gjeografike. Ajo është pjesë e një përpjekjeje në rritje për të bërë implante protetike për organet, përfshirë trurin, me qëllim rikthimin e aftësive të humbura fizike.

"Ky studim konfirmon se, për herë të parë, ne mund ta rikthejmë funksional shikimin qendror tek pacientët e verbër nga atrofia gjeografike", tha Frank Holz, autori kryesor i punimit dhe shef në Departamentin e Oftalmologjisë në Spitalin Universitar të Bonit.

"Implanti përfaqëson një ndryshim paradigme në trajtimin e degjenerimit makular të lidhur me moshën në fazën e vonë."

AMD vjen si rezultat i dëmtimit të retinës, e cila zbulon dritën dhe e transformon atë në sinjale për trurin. AMD mund të dëmtojë rëndë shikimin qendror - aspektin e shikimit përmes të cilit ne perceptojmë objekte me interes direkt përpara, siç janë njerëzit e tjerë, teksti ose rruga gjatë drejtimit të makinës.

Atrofia gjeografike vlerësohet se prek miliona njerëz në të gjithë botën dhe është shkaku kryesor i verbërisë së pakthyeshme tek të moshuarit.

Implanti përfshin një kamerë të montuar në syzet speciale që personi do t’i mbajë në sy. Kjo kamera kap imazhe dhe i projekton ato në implantin ëireless të retinës 2 mm me 2 mm. Implanti më pas e shndërron dritën në impulse elektrike për t'i dërguar në tru.

"Është hera e parë që çdo përpjekje për riparimin e shikimit ka arritur rezultate të tilla në një numër të madh pacientësh", tha José-Alain Sahel, autor kryesor i studimit dhe kryetar i departamentit të oftalmologjisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Pittsburgh-ut.

Studimi u financua nga Science Corporation, një kompani amerikane që e prodhon pajisjen sipas dizajnit të Daniel Palanker, profesor i oftalmologjisë në Universitetin e Stanford.

/ FT /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.