KLP miraton qëndrimin në detyrë të prokurorit Çardaku deri në moshën 70 vjeç, Stojani e Mërkuri mendim pakice

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar qëndrimin në detyrë të Lazër Çardakut, prokuror pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Posaçëm, deri në mbushjen e moshës 70 vjeç. Vendimi është marrë në mbledhjen plenare të datës 10 tetor 2025. Dy anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Sokol Stojani dhe Erind Mërkuri, kanë shprehur mendim pakice, duke mos u pajtuar me shumicën.
Ata argumentojnë se vendimi nuk është në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, sipas të cilit dalja në pension bëhet në mënyrë të detyrueshme në moshën 67 vjeç, përveç rasteve kur kërkesa për shtyrje paraqitet brenda afateve të përcaktuara ligjërisht.
Në mënyrë të përmbledhur, shumica e Këshillit ka vlerësuar se neni 64, pika 5, e Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i ndryshuar, i njeh magjistratit të drejtën për të qëndruar në detyrë deri në moshën 70 vjeç, me kusht që kërkesa të paraqitet brenda afatit ligjor prej 6 muajsh para mbushjes së moshës 67 vjeç. Sipas shumicës, dispozita i jep Këshillit kompetencë diskrecionare për ta refuzuar këtë kërkesë, por thjesht e ngarkon atë me detyrimin për të konstatuar vijimin e statusit nëpërmjet vendimit. Në rastin konkret, shumica ka arsyetuar se prokurori Lazër Çardaku vijon të gëzojë statusin e magjistratit, pasi vendimi i KPK-së për shkarkim nuk ka marrë formë të prerë dhe është në shqyrtim nga KPA-ja. Për rrjedhojë, Këshilli nuk duhet të paragjykojë rezultatin e këtij procesi dhe as të mohojë të drejtën për të ushtruar detyrën deri në moshën 70 vjeç. Për më tepër me këtë interpretim dhe me praktikën e mëparshme, shumica ka pranuar edhe më parë kërkesa për shtyrjen e qëndrimit në detyrë deri në moshën 70 vjeç.
Ky qëndrim i shumicës, mendojmë se nuk përputhet me kuptimin e termave ligjorë të përdorur në ligjin në fjalë në këtë rast. Kështu, Ligji nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, në nenin 64, pika 1, gërma “c” dhe pika 5, parashikon se “1. Statusi i magjistratit përfundon kur: … c) mbush moshën për në pension, sipas parashikimit në ligjin për sigurimet shoqërore; … 5. Me kërkesë të magjistratit, e cila paraqitet 6 muaj para se ai/ajo të mbushë moshën e pensionit, Këshilli përkatës mund të vendosë shtyrjen e qëndrimit në detyrë deri në moshën 70 vjeç.”. Siç shihet qartë nga dispozitat e mësipërme, Ligji i njeh magjistratit të drejtën për të kërkuar shtyrjen e moshës së pensionit nëse plotësohen kushtet ligjore, përfshirë afatin kohor të përcaktuar për paraqitjen e kërkesës, si dhe mundësinë që Këshilli përkatës të pranojë ose jo këtë kërkesë. Ligji nuk parashikon asnjë rast tjetër që magjistrati të qëndrojë më vonë se mosha ligjore e daljes në pension. Në këtë kuptim, sipas dispozitës së mësipërme, ekzistojnë dy situata, e para me mbushjen e moshës 67 vjeçare dhe e dyta me mbushjen e moshës 70 vjeçare. Nga mënyra si është formuluar dispozita nuk le asnjë dyshim, që në rastin e parë, me mbushjen e moshës 67 vjeçare, dalja në pension është, si rregull, e detyrueshme.
Përsa i përket rastit të dytë, atë të shtyrjes së moshës së pensionit, dispozita e sipërcituar, përmend tre kushte, e para paraqitjen e kërkesës nga vetë magjistrati, e dyta paraqitjen e saj jo më vonë se 6 muaj përpara se ai/ajo të mbushë moshën për pension (67 vjeç) dhe e treta vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (në rastin e magjistratëve, profili prokuror). Ekzistenca e këtyre tre elementëve, në vetvete tregon qartazi se shtyrja e moshës së pensionit për magjistratin, nuk është një “noterizim” mekanik që duhet të bëjë Këshilli. Për të arritur në një kuptim të drejtë të dispozitave ligjore, si edhe të këtyre tre elementëve, ne si pakicë, e çmojmë të nevojshme që të bazohemi në “rregullat e interpretimit” (Canons of interpretation), të cilat shuma ka dëshmuar që t’i aplikojë.
Kështu, nëse i referohemi Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i ndryshuar, rezulton se në nenin 64, pika 5, fjalia e dytë, ligjvënësi ka përdorur foljen “mund”. Duke qenë se nga vetë ligjvënësi nuk është vendosur asnjë përkufizim për këtë rast (Interpretive-Direction Canon), atëherë, siç edhe Këshilli ka vepruar në raste të tjera, duhet t’i referohet rregullit të kuptimit të zakonshëm të normës (Ordinary-Meaning Canon), ku Fjalori i Gjuhës Shqipe i vitit 2006 (botim i Akademisë së Shkencave), ndër të tjera na jep këtë kuptim “mund fjal. -a, -ur, ... 2. si pj. base, ndoshta: mundet, ashtu qoftë!” Pra, siç rezulton nga ky përkufizim gjuhësor, përdorimi i foljes “mund”, tregon që jemi përpara një pushteti diskrecionar të Këshillit dhe për rrjedhojë, ky institucion nuk është i detyruar që të pranojë domosdoshmërisht kërkesa të tilla.
Ndodhur përballë këtij kuptimi gjuhësor, atëherë rezulton se jemi përpara një tjetër rregulli interpretimi dhe konkretisht atij “Detyrues/Lejues”, ku fjalët detyruese vendosin një detyrim, ndërsa fjalët lejuesë japin një diskrecion (Mandatory/Permissive Canon). Ky rregull interpretimi është parashtruar edhe në “Manualin për hartimin e legjislacionit”, në të cilin shpjegohet se 2.19 Foljet modale. 340. Duhet treguar kujdes që foljet modale të përdoren në mënyrë të qëndrueshme, për të shmangur mundësinë e një interpretimi të ndryshëm nga ai që ka synuar ligjvënësi. P.sh. në mënyrë të zakonshme folja që përdoret për të shprehur një veprim të detyrueshëm është “duhet” ... që në mënyrë të qartë shpreh detyrimin ligjor.
Ndërsa për veprime që ligjvënësi dëshiron t’i lejë me diskrecion ose që në mënyrë të zakonshme folja që përdoret për veprime me vlerë lejuese është “mund”, ndersa “duhet” ka kuptim detyrues, më diskrecion të pagarëtsi në lidhje me karakterin lejues apo urdhërues të dispozitës.” Nisur nga ky shpjegim është e qartë se përdorimi i fjalës “mund” presupozon që ka përdorur në mënyrë të drejtë dhe të saktë gramatikore, duke sjellë për rrjedhojë që nëpërmjet kësaj foljeje, i ka dhënë diskrecion Këshillit për vendimmarrjen, por jo për të përcaktuar një detyrim. Kjo qasje mbështetet edhe në jurisprudencën autoritare të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila, në një sërë vendimesh të saj dhe konkretisht tek vendimi i më i fundit, në çështjen “Biden v. Texas, 597 U.S. (2022)”, ndër të tjera ka mbajtur qëndrimin se “Kjo Gjykatë ka theksuar në mënyrë të përsëritur se përdorimi i fjalës ‘mund’ nënkupton qartësisht diskrecion.”
Në vijim të arsyetimit të mësipërm, duhet theksuar se përdorimi i foljes “mund” në nenin 64, pika 5, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i ndryshuar, lidhet domosdoshmërisht me parashikimin e afatit 6-mujor për paraqitjen e kërkesës për shtyrjen e moshës së daljes në pension. Ky afat nuk është i vendosur në mënyrë formale apo rastësore, nga ana e ligjvënësit, por përbën një element thelbësor të mënyrës si është formuluar dispozita të strukturës së saj, duke na treguar qartë se kemi të bëjmë me një kompetencë diskrecionare të Këshillit dhe jo me një detyrim për pranimin e kërkesës së paraqitur.
Add new comment