Një Amerikë që e bën botën të pasigurtë

Postuar në 04 Mars, 2026 20:46
Skerdilajd Zaimi

 

Administrata amerikane e Donald Trump, e ka shndërruar kaq shpejt imazhin e SHBA, saqë është e vështirë të kuptosh se ku po rend ai vend tashmë. Pretendimet për Amerikën e Para, me goditjet ndaj agjendave transgjinore dhe imigracionit janë teza të kuptueshme për një vend që kishte bartur probleme të mëdha. Dhe që i afrohet një krize ekonomike serioze.

Edhe doktrina e Sigurisë Kombëtare megjithë kufizimet e veta, u cilësua si koherente dhe konceptualisht në përputhje me objektivin e dominimit në hemisferën perëndimore, edhe pse atë dominim askush nuk e vinte në diskutim. Gjithçka ndryshoi me Groenlandën. Arsyeja aty i la vendin aventurizmit, provokimit dhe politikës tekanjoze, arrogante dhe gati absurde. Mandej rrëmbimi i Maduros – gati një video-lojë që u fitua nga Trump por që në fund nuk di të thotë se çfarë fitoi?

Bordi i Paqes me tërheqjen nga 33 institucione ndërkombëtare ishte sinjali serioz se egoja personale po mbivendosej politikës. Shpjegimet me strategjinë e shkatërrimit dhe rindërtimit nuk mbajnë. Sukseset publicitare duket se sëmurën imagjinatën e një njeriu të vetëm që u lëshua me presion, shantazh dhe vetëbesim në Gjirin Persik. Përfundimi: sot administrata amerikane, madje Sekretari i Luftës numëron raketat e hedhura dhe tregon videon e një anijeje të mbytur me nëndetëse. Në oqeanin Indian.

Mjerimi këtu është i dyfishtë, apo trefishtë: së pari nevoja për të treguar fuqinë është dobësi dhe kufizim strategjik. Një superfuqi nuk vepron me shantazhin, pasi forca e saj vetëkuptohet.

Së dyti, ideja se politika ka kuptim apo përcjell mesazhe kur përputhet me veprime spektakolare të forcës ushtarake

Së treti, mundësia që kjo lojë kinematografike të luhet për të pajisur me argumente presidentin e vendit që të mund të flasë përherë për Fuqinë e Amerikës.

Është padyshim fundi i një politike që bazohet mbi analizën dhe parashikimin, me objekitv sigurinë dhe paqen ku aderojnë të gjithë ata që u binden rregullave.

Me vrasjen e Khameneit, përsërisin zyrtarët amerikanë, bota është një vend më i sigurtë. A është kështu vallë? A mos vallë vrasja e Khameneit hapi më në fund një rrugë për rifreskimin e pushtetit në Teheran duke vijuar politikën e vet rajonale, me metoda të reja, me njerëz të rinj, më pragmatistë, por jo detyrimisht më të moderuar?

Sot z. Trump foli për njerëz të moderuar në Iran, duke rrëzuar kandidaturën e Reza Phalavit, një mënyrë për të mos lejuar që të mendohet se synimi është ndryshimi i regjimit. Mesa duket, ose z. Trump di shumëçka që nuk e di askush, ose ai po mendon se në atë anë të botës ku po hedh bomba ka patjetër njerëz si nobelistja venezueliane, që do harrojnë çfarë po ndodh.  Ku shkoi megjithatë kredoja e fitores?

Kjo është një Amerikë që e bën botën shumë të pasigurtë, jo sepse ajo do luftën, por sepse ka lejuar që bota mbarë të mos e besojë, ta përflasë dhe përgojojë fuqinë e saj. Kjo administratë ka lejuar që të ushqehet ideja se lufta bëhet për Izraelin dhe u komandua nga Izraeli, diçka shumë e rrezikshme dhe e dëmshme.

Kjo është një Amerikë që nuk mundet dot të jetë aq e fortë dhe e disponueshme sa t’i përgjigjet çdo instinkti të presidentit të vet; që të shpenzojë kredibilitetin e vet për të rritur autoritetin e një njeriu, ashtu siç ai e imagjinon. Është një Amerikë që po erodohet nga gabime të shmangshme, duke mos dashur të kuptojë se autoriteti buron nga forca, por nuk miratohet për shkak të saj.

Fatkeqësia më e madhe sërish janë pala tjetër, që as kanë minimumin e dëshirës për të ndryshuar ato gjëra që sollën rrëzimin e tyre. Është ndarja e madhe e brendshme që Iika dhënë mat fuqisë së SHBA, projektimit të kësaj fuqie si bateri e stabiliteti global dhe jo qark i shkurtër.

Comments

Submitted by Tacc (not verified) on

Administrata e SHBA-se do te hyje ne histori si regjimi Epstein. Me kete regjim fillon periudha e Epsteinizmit qe deri dje ishte i kamufluar me nje elite Politare te pedofilizuar ne rrenje ne te gjithe Boten Perendimore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.