Përplasja SHISH, Tahiri takon Nishanin: Presidenti të qëndrojë mbi palët

Është pasuar me një interes të fortë mediatik takimi mes Presidentit Nishani e ministrit Tahiri. Po ju sjellim më poshtë raportimin që i bën Shqipi këtij takimi (shkrimi është nënshkruar nga Fatjona Mejdini):
Përplasja institucionale mes ministrit të Brendshëm dhe kreut të SHISH mbërrin në dyert e Presidencës. Ministri Tahiri kërkoi një takim me kreun e shtetit, Bujar Nishani, me qëllim për t’u sqaruar dhe faktuar mbi punën që SHISH po kryen në lidhje me ngjarjet më të fundit të ndodhura në Shqipëri. Mosbashkëpunimi mes dy institucioneve kryesore të sigurisë dhe rendit në vend ishte tema e djeshme e bisedimit mes Nishanit dhe Tahirit. Ky ballafaqim siç duket, ka dalë tej normave të kortezisë dhe është karakterizuar me tone tejnormale. Ministri Tahiri, pas takimit, deklaroi se i ka kërkuar kreut të shtetit që në lidhje me këtë mosbashkëpunim, apo përplasje, të qëndrojë mbi palët. Ndërsa si kundërpërgjigje Presidenti njofton publikisht se i ka kërkuar Tahirit që të shmangë konfliktin verbal me SHISH. Takimi duket se ka si indicie, deklaratën e dhënë katër ditë më parë nga kreu i shtetit, i cili lavdëroi punën e shefit të SHISH dhe të këtij institucioni, duke iu kundërvënë në mënyrë indirekte mazhorancës dhe Ekzekutivit. Në këtë intervistë Presidenti theksonte se pavarësisht pretendimeve të policisë, SHISH kishte qenë një ndihmesë shumë e madhe për sa i përket zbardhjes së disa krimeve të kryera me tritol në vend.
Kërkesa e Tahirit
Ministri i Brendshëm për herë të parë foli pa dorashka pas takimit me kreun e shtetit, duke kërkuar që Nishani të qëndrojë mbi palët. “E pashë me vend t’i kërkoja Presidentit të Republikës mundësinë për të parë dhe një herë atë që kemi thënë edhe në publik lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit. Gjykoj që brenda kornizës institucionale dhe brenda detyrimeve kushtetuese, jemi dënuar të gjithë bashkë t’i përkushtohemi të vërtetës. Ndaj e pashë me vend t’i bëja me dije Presidentit të Republikës të vërtetën, veçanërisht pas deklaratave të tij të fundit. Do të ishte e udhës që Presidenti i Republikës të rrinte mbi palët dhe të nxiste bashkëpunimin institucional, gjykoj që në të gjitha rastet do ishte më e shëndoshë që Presidenti i Republikës të moderonte bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, sesa duke neglizhuar të vërtetën të mbante një palë, cilado qoftë kjo”, deklaroi Tahiri. Ministri ndërkohë bëri të ditur se i ka dorëzuar kreut të shtetit dosjen, në të cilën, sipas tij, faktohet mosbashkëpunimi mes Policisë dhe SHISH. “E kam të pamundur t’ju bëj me dije thelbin e bisedës që bëra me Presidentin e Republikës. Unë ju siguroj që informacionin e plotë ia dhashë Presidentit të Republikës, informacion shkresor, një dosje të plotë, të cilën unë besoj, në rast se ka vullnet dhe nuk kam arsye ta dyshoj, Presidenti i Republikës do ta shohë që e vërteta shkresore, komunikimi institucional është larg nga deklaratat që Presidenti ka bërë. Kam informuar Komisionin Parlamentar të Sigurisë lidhur me të vërtetën, sepse unë besoj që përkushtimi ynë ndaj të vërtetës, edhe kur bëhet fjalë për bashkëpunimin institucional, aq më tepër pastaj në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, na vë ne të gjithë në pozita për të pasur më shumë sukses përballë qytetarëve”, deklaroi Tahiri.
Presidenti
Pas këtij qëndrimit të ministrit të Brendshëm, ka mbërritur dhe reagimi i Presidencës. Kreu i shtetit siç duket nuk i ka “përtypur” deklaratat e Tahirit, pasi në deklaratën e lëshuar kërkohet shmangia e konfliktit verbal. “Presidenti i Republikës, pasi e vlerësoi si me rëndësi prioritare bashkëpunimin dhe besimin ndërinstitucional, veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, e këshilloi ministrin e Punëve të Brendshme të evitojë konfliktin verbal me institucionet, veçanërisht në kontekstin e angazhimeve ligjzbatuese. Presidenti i Republikës sugjeroi gjatë këtij takimi që angazhimet dhe kontributet e rëndësishme të institucioneve kushtetuese të vendit në fushën e sigurisë të vlerësohen dhe shfrytëzohen maksimalisht nga ana e Policisë së Shtetit, në interes të objektivit të përbashkët në luftën ndaj krimit dhe trafiqeve”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Comments
Derisa ne presidence do te
<p>Derisa ne presidence do te qendroje nje militant partie, qe konsideron si armiq qeverisesit aktuale, kjo pune do te shkoje keq e me keq. se jemi ende ne periudhen e klaneve, tribuve.</p>
edhe Tahiri ben mire te
<p>edhe Tahiri ben mire te qendroje nen ligjin dhe jo mbi te.</p>
Add new comment