Besnik Mustafaj në Lajpcig: Ballkani, terren pjellor për konflikte politike

Panairi i Librit në Lajpcig është një event shumë i rëndësishëm botëror për autorë, shkrimtarë, poetë, estetise etj.. Në këtë event paraqiten lexime autoriale, debate, ide, takime ndërkulturore mes autorëve nga vende të ndryshme. Këtë vit në të janë pjesë 42 autorë nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Lihtenshtejni, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Rumania dhe Hungaria që prezantohen në programin e TRADUKI-t. Në këtë rrjet ndër autorët shqiptarë janë pjesë Besnik Mustafaj, Fatos Baxhaku dhe Matteo Mandala studiues arbëresh.
Kafe greke apo turke? Shqiptarë apo evropianë? Sllovenë apo jugosllavë? Tematika e diskutimit të shkrimtarit slloven, Goran Vojnoviç dhe shkrimtarit shqiptar Besnik Mustafaj, kishte të bënte me stereotipet, paragjykimet dhe ideologjitë. Perspektivat e dy autorëve nga Sllovenia dhe Shqipëria ishin pjesë e diskutimit të djeshëm në Panairin e Lajpcigut. Slloveni Goran Vojnoviç në romanet e tij përshkruan me humor banalitetin dhe marrëzinë ideologjike- nacionaliste në Slloveni dhe të gjitha vendet e tjera të ish-Jugosllavisë. Libri i tij “Souther Scum Go Home” (2008) konsiderohet si një nga romanet më të suksesshme të viteve të fundit. Përballë tij ishte shkrimtari shqiptar, Besnik Mustafaj, i cili rrëfeu përvojën e udhëtimit të parë (menjëherë pas viteve ’90) në Greqi kur kërkoi një kafe turke. Aty mësoi se kjo kafe në vendin fqinj quhej kafe greke. Ky episod, temë e bashkëbisedimit të Besnik Mustafajt, tregon sesi stereotipet kulturore në Evropën Juglindore kanë qenë terren pjellor për konfliktet politike, por në të njëjtën kohë dhe një burim i mirë për letërsinë e këtyre vendeve.
Poeti dhe eseisti Arian Leka dhe shkrimtari hungarez Gyorgy Spiro, do të flasin sot në një panel të përbashkët për absurdin dhe jetën e njerëzve nën diktaturë. Diskutimi i Gyorgy Spiros fokusohet te Revolucioni Hungarez i vitit 1956. Ndërsa poeti dhe prozatori, Arian Leka, i konsideruar si një nga zërat më të rëndësishëm letrar në Shqipëri, në një ese për flotën tregtare flet për kohën e izolimit kur deti, siç thotë ai, ishte ndërmjetësi ynë natyror. “Deti ishte bashkuesi dhe ndarësi-pengesa dhe mundësia e takimit”. Me përshkrimin e fatit të atyre anijeve dhe njerëzve ai pasqyron absurdin e jetës në një vend të izoluar. Studiuesi Matteo Mandala referon në Panair në Lajpcig mbi minoritetet dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Evropën. Në një bisedë me moderatorin Mateo Colombia, rrëfen botën magjepsëse të arbëreshëve të Italisë. Fatos Baxhaku paraqet diskutimin e tij në marrëdhëniet shqiptaro-austriake, që në fakt gjejnë pasqyrim dhe në librin e tij të fundit “Çadra e kuqe”. Gjithashtu, në një bashkëpunim të frytshëm me programin “Tranzyt” dhe kuratorin Martin Pollack, është paraparë një mbrëmje letrare që i kushtohet “luftës së harruar”, ku zërat nga Polonia, Bjellorusia dhe Ukraina do të jenë pjesë e veçantë në Panairin e Lajpcigut e ku biseda do të fokusohet në ngjarjet dramatike në Ukrainë, te shpresa, indinjata, entuziazmi, dhe zemërimi i shprehur në protestat qytetare. Panairi i Librit në Lajpcig është ccelur në 12 mars ku ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe do të vazhdojë deri në 16 mars. S.S
Comments
Nuk e marr vesh ku eshte
<p>Nuk e marr vesh ku eshte steriotipi qe kafes turke i thone kafe greke, ne Greqi? Qe kishte degjuar se greket nuk dine te bejne kafe te mire dhe pastaj doli e kunderta, kete e kuptoj por qe emri pa asnje ngarkese tjeter perben steriotip kete kam nevoje ta ma shpjegoje ndokush.</p>
Po mire ore edhe sot pas
<p>Po mire ore edhe sot pas njezet e tre vjetesh punonjesit e Institutit te marksizmit do e perfaqesojne Shqiperine ne Laipcig? Besniku edhe vete e ka te veshtire te mbaje mend ndonje nga ato vjershat entuziaste qe ka shkruar. Pak vajza dhe djem te talentuar ka!</p>
Qe te mos dish si i thone
<p>Qe te mos dish si i thone kafes ne nje vend ne rastin me te mire eshte padituri dhe jo steriotip kulturor. Dhe mbi kete padituri z Mustafai ka shkuar te flese ne Lejpcig. Na lumte!</p>
Add new comment