Shënim: Rasti Uli Hënes dhe cikli ynë i mbyllur

Një legjendë e futbollit gjerman, por edhe e menaxhimit të futbollit, president i kampionëve në fuqi të Bundesligës dhe Europës, Bayern Munich po gjykohet për evazion fiskal. Uli Hënes (Uli Hoeness) 62 vjeçar u detyrua të pranojë se i kishte shkaktuar një dëm prej 18 milion eurosh autoriteteve gjermane duke përdorur një llogari të fshehtë në Zvicër. Shuma e deklaruar prej tij është shumë herë më e madhe se sa pretendimi i prokurorëve, që e akuzonin atë për evazion fiskal në vlerën e 3.5 milion eurove. “Do të bëj gjithçka që është e nevojshme për t’u siguruar që ky kapitull i jetës time të mbyllet”, tha ai i penduar në seancë. Kjo pendesë sipas prokurorëve nuk ishte e sinqertë, por taktikë për t’i shpëtuar dënimit ndaj do të kërkojnë 7 vjet burg për presidentin e bavarezëve.
Le të imagjinojmë një variant shqiptar të kësaj historie. Sikur sistemi ynë i drejtësisë të zhbirilonte pasuritë e politikanëve dhe funksionarëve të lartë, dhe fjala vjen, le të mos i dënonte me burg, por me taksim një më një të pasurive të fshehta; a nuk do të ishte një rrugëdalje nga kriza ekonomike që do linte me gisht në gojë dhe FMN-në? Mirëpo për këtë duhet dhe një drejtësi e dytë, që të skanojë dhe të detyrojë të paguajë së pari “drejtësinë” aktuale, dhe ja ku arka e shtetit shëndoshet dyfish. Skenari komplikohet, gjasat e realizimit janë inekzistente, ndaj le të bashkohemi me dhimbjen e Uli Hënesit.
a.k
Comments
Mire, mire, por nuk e kuptoj
<p>Mire, mire, por nuk e kuptoj se pse ne rastin shqiptar "arka e shtetit do te shendoshet dyfish". E kam fjalen pse pikerish "dyfish"? Apo eshte thjesht menyre te theni?</p>
"Dyfish", XY. Nje here nga
"Dyfish", XY. Nje here nga taksimi i politikes dhe e dyta nga sistemi i drejtesise. Gjithesesi, menyre te theni eshte. Faleminderit
Add new comment