Demonstratat e ’81-it. Kush ishte nacionalisti në Tiranë?

Postuar në 23 Shkurt, 2014 10:40

Qerim Lita, shkruan në numrin e fundit të revistës “Shenja” për analizën, konkluzionet dhe mbikëqyrjen e shqiptarëve në Jugosllavi në vitin 1981 nga autoritetet jugosllave(http://shenja.mk/revista/34/). Vit ky, kur protestat në Kosovë çuan në ndërkombëtarizimin e problemit, të cilin komunistët jugosllavë e shohin si “veprimtari armiqësore kundërrevolucionare të nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë”. Materiali që trajtohet është shqyrtuar në mbledhjen e kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë të datës 23 shtator 1981 dhe është përpiluar nga Sekretariati Federativ për Punët e Brendshme. Materiali ka interes edhe për Shqipërinë, pasi për demonstratat e Kosovës të vitit 1981 është folur shumë edhe këtej kufirit, madje në trajtimin e zgjeruar shumë të dossierit të periudhës komuniste, këto demonstrata jo rrallë sillen si shkak edhe për ngjarjen e dhjetorit 1981, kur doli nga skena politike dhe u largua nga jeta, ish-kryeministri Mehmet Shehu. Shqipëria shfaqet dy-apo tri herë në këtë material dhe përcaktohet si “armiku”, prej nga ku minimalisht frymëzohet irredentizmi i shqiptarëve të Jugosllavisë. “Numri i madh i dënimeve të shqiptuara janë jashtëzakonisht të larta. Pjesa dërrmuese e të dënuarve janë njerëz të rinj. Opinioni ynë nuk mund t’i pranojë ato dënime të rënda si tërësisht të arsyeshme, veçmas për atë se fajtorët kryesorë për gjendjen e krijuar ende ngelin pa u dënuar. Përveç kësaj, këto dënime aq të ashpra në mjetet e informimit publik të botës së jashtme, janë vlerësuar si shprehje të dobësive tona, që objektivisht e përforcon pozitën ndërkombëtare të armikut, veçmas të RPS të Shqipërisë dhe i inkurajon në sjelljet e tyre ndaj Kosovës”, thuhet në një fragment të konkluzioneve dhe direktivës së kryesisë së RSFJ-së. Siç shihet represioni “mediatik” vlerësohet në këtë rast si një gabim taktik që është bërë, e që i ka dhënë zë më shumë propagandës së Tiranës. Për të mbyllur këtë dritare problemesh, kryesia urdhëron “që organet përkatëse të jurisprudencës detyrimisht duhet të llogarisin dhe të sigurojnë ligjshmëri të plotë në punë, në implementimin e drejtë të legjislacionit penal në të gjitha shkallët e gjykimeve dhe politikë penale të tillë, e cila do të jetë në përputhje me rrezikun shoqëror të veprave penale dhe kryerësve të tyre në situatën e dhënë”. Ministria e Brendshme jugosllave pranon në materialin e vënë për diskutim se “ende nuk është zbuluar udhëheqja e organizatës”, duke lënë të kuptohet se demonstratat kanë patur një bërthamë aktive organizimi dhe një platformë veprimi. Cila është kjo organizatë dhe çfarë derivoi prej saj? Asgjë nuk bëhet e qartë në këtë material, por Shqipëria shfaqet në urdhëresën nr. 3 kur flitet për profesoratin e Universitetit të Prishtinës. “Të gjitha njohuritë e deritanishme të çojnë në konkluzion se një numër i profesorëve të UP-së dhe intelektualë të tjerë në vende përgjegjëse dhe në struktura të ndryshme ka vepruar në mënyrë konstante në linjën e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe ka qenë në kuluare të drejtpërdrejta me përfaqësuesit zyrtarë të RPS të Shqipërisë”, konstaton kryesia e RSFJ-së. Edhe emigracioni hyn si element në këtë rezyme, pasi emigracioni shqiptar bashkë  me atë kroat quhen si “emigracioni ekstrem” të cilët kanë kërcënuar për sulme ndaj aeroplanëve jugosllavë. Propozohet prezenca e njerëzve të punëve të brendshme në mjetet e komunikacionit, sugjerohet integrim ekonomik i Kosovës në ekonominë e njësive të tjera, gatishmëri e ushtrisë, demaskim politik i kundërshtarëve dhe një punë nga Lidhja Komuniste e Kosovës për të zbatuar platformën e përgjithshme politike. Materiali mban firmën e kreut Sergei Kraigher.  Dy janë konkluzionet bazë nga perspektiva shqiptare për këtë dokument: a) Jugosllavët flasin për ekzistencën e një organizate; b) Shqipëria ka patur dijeni dhe madje edhe dorë në aktivizimin e kësaj lëvizjeje që vlerësohet se “ka cenuar rëndë stabilitetin e Federatës”. Kjo ka shumë rëndësi, pasi Ramiz Alia ka deklaruar më shumë se një herë se “ne demonstratat e Kosovës na kapën ne befasi”. Për këto arsye teza se situata në Kosovë implikoi tensione në Tiranë, duke çuar në vetëvrasjen e Mehmet Shehut fiton një tjetër pamje. Ismail Kadare në parathënien e tij të librit “Vjeshta e ankthit” e përdor argumentin si të mirëqenë, pra: të vënë në situatë të destabilizuar, jugosllavët “shpërthyen” një minë me sahat në Tiranë. Dhe vetëvrasja e Mehmet Shehut, sulmi postmortum ndaj tij, se ai ishte një agjent edhe jugosllav, është e qartë se e paralizonin aksionin nacionalist në Kosovë. Dramën e plotëson më vonë edhe çështja e Xhevdet Mustafës që zyrtarisht desantoi në vitin 1982 për të vrarë Enver Hoxhën, edhe ky sipas “Titistëve”, me inspirim jugosllav. Çështja është se kush ishte nacionalisti në Tiranë, ai që vërtet i shqetësonte kaq shumë jugosllavët, ai që mbështeste në praktikë linjën irredentiste në Kosovë? A ishte në lojë ideali nacionalist, apo pas kapacitetit për subversion, i motivuar nga nacionalizmi, qëndron edhe një lojë pushteti? Gjithsesi zhurma e Enver Hoxhës nuk shkoi pa përgjigje, pasi jugosllavët në vitin 1984 ngarkuan dy njerëz:  Borislav Lalić dhe Miodrag Djukić që të shkruanin librin: “Pretendimet antijugosllave të Enver Hoxhës”. (http://books.google.al/books/about/Anti_Yugoslav_pretensions_of_Enver_Hoxha.html?id=XTQ8AAAAMAAJ&redir_esc=y).  

s.z

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>patjeter qe shqiperia ka luajtur rol dhe shume mire ka bere.&nbsp; puna eshte qe sot nga mungesa e atdhetarizmit ,i cili mallkohet mengjes dreke darke nga kozmopolitet artificiale te sorrosit, jemi katandisur ne plehra te evropes.&nbsp; rolin e sekretariatit federativ te puneve te brendshme e ka marre persiper lobi antishqiptar i lubonjes dhe matoshit.&nbsp;&nbsp; ndersa shteti shqiptar eshte shnderruar ne nje ojq qe nuk mban asnje pergjegjesi per shqiptaret si brenda kufirit ashtu edhe jashte.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.