Janë gjithnjë ata. Uf!

Ditën që po bëheshin homazhe për Vaçe Zelën, përpara TOB-it ishte shtruar një qilim i kuq ceremonial, në të cilin do duhej të shkelnin personalitetet e dinjitarët shtetërorë para se të hynin në sallë. Me siguri, ka qenë një organizim i protokollit shtetëror, ngaqë në këtë veprimtari ka marrë pjesë kryeministri, por kishte diçka që nuk shkonte në këtë mes. Sytë e njerëzve kanë parë ato momente ministra që shkelnin në tapetin e kuq me pamje të krekosur, dhe aty pranë, ngjitur me ta, ishte vargu i gjatë i njerëzve të zakonshëm, mes të cilëve dalloheshin aktorë, këngëtarë, artistë, intelektualë publikë, etj, etj. Do ish normale sikur në sallë të futeshin për një simpozium, a konferencë, me rastin e një përvjetori të themelimit të shtetit shqiptar.
Por se si të dukej që një ministër, i cili s’i ka dëgjuar kurrë, për arsye anagrafike, këngët e Vaçe Zelës, të hynte në sallën e homazheve me plot pompë, ndërsa Tinka Kurti, fjala vjen, të hynte si vjedhurazi, e mbledhur kruspull, mes turmës së fans-ave të Vaçes. Se ç’kish diçka idiotike e koreano-veriore në atë rrethanë!
Por kish një gjë edhe më të pakuptueshme. Fjalimet e rastit në atë sallë u mbajtën nga dy politikanë, nga kryeministri e nga ministrja e kulturës. E sikur të mos ishte mjaft kjo gjë, një pjesë njerëzish shprehën mospajtimin e tyre me “përtacinë e shkujdesjen” e Lulzim Bashës, i cili nuk mori pjesë në atë ceremoni dhe nuk foli. Tek ky fakt pra panë një veprim të pafalshëm të kryebashkiakut. Tani, merret me mend që Basha nuk ka shkuar të flasë atje për motive politike e jo me idenë për të shmangur një situatë, ku ai do të ishte protagonist kotmëkot. E megjithatë, edhe pse mund t’ia qortonim motivet, ne duhej t’i gëzoheshim gjestit, dmth mungesës së tij. Po njësoj do duhej të mungonin si protagonistë edhe Rama, Kumbaro, e ministrat me radhë. Ata duhej të ishin aty si gjithë të tjerët, mes të tjerëve, por jo të pushtonin skenën.
Unë pyes: Çfarë do ndodhte, nëse fjalën e lamtumirës do ta mbante një artist, apo një njeri që ka punuar me Vaçen, apo një intelektual publik që e ka admiruar këngëtaren tonë, apo ku di unë kush tjetër? Asgjë s’do të ndodhte. Fjala do ish më pak e qëlluar se e Ramës, apo më pak e ndjerë se sa e Kumbaros? S’kemi si ta dimë këtë gjë. Ndoshta mund të ish dhe e kundërta.
Nuk është hera e parë që ndodh kështu. Madje, kështu ndodh gjithnjë. Me sa duket, ka një protokoll shtetëror që funksionon në raste vdekjesh të rëndësishme (në Shqipëri nuk ka kush t’i bëjë organizime të tilla të bujshme e të kushtueshme), por duhet thënë se protokolli shtetëror e bën të lejueshme, jo të detyrueshme, fjalën e kryeministit apo të ministrit. E prandaj, këta të fundit s’do bënin keq në rrethana të tilla që t’u thoshin njerëzve të protokollit që kanë nën varësi që “të vrisnin mendjen e të gjenin folës të tjerë” e që “të bënin çmos që këta vetë, kryeministrin e Co., t’i mbanin në një profil të ulët televiziv gjatë ceremonisë”.
Jo për gjë, por po na marrin frymën me praninë e tyre të shpërpjestimuar në publik. Ka festa fetare? Janë ata që përbëjnë lajmin. Ka festa laike? Janë po ata. Ka vdekje? Janë gjithnjë ata. Uf!
Dita
Comments
Muc, ti si gjithmone te te

Muc, ti si gjithmone te te drejte sipas mendjes tate (ne fakt edhe sipas times, e jam i sigurte edhe asaj te Rames) por me shqiptaret nuk di si tja besh. Kerkojne te kunderten e asaj qe ben. Po te mos fliste Rama, per arsyet qe ti cek, dhe qe une jam i sigurte qe edhe ai mendon si ti, te gjithe horrat do te ngriheshin e do thonon se nuk e respektoi sa duhet Vacen. Do ishte si puna me emrin e Rugoves ne Kosove. E mban mend se c'brockulla thane mileti. Kjo pune eshte bere si ajo e Nastradinit: "Cfare uje i dhe gomarit".

Une mendoj se nuk ka mbetur Rama ti beje publicitet vetes me nje raste te tille. Ndonje nga ata ministrat e ngrefosur, qe nuk dine sa vija ka pentagrami, edhe mundet ta shfrytezoje kete rast. Nuk do qe keq qe te flite edhe ndonje artist. Po cili? Duhet te ishte ndonje kryeartist, qe nuk gjendet dhe aq kollaj, por edhe po te gjendej sa per protokoll, do te fillonte diskutimi nese i takonte atij apo ndonje tjetri, diskutim ky e nxitur me shume gjase nga vete ata qe do ta ndjenin veten kandidate te denje per te thene nje fjale te mbrame "zyrtarish"per Vacen.

Fakti qe flet kryeministri nuk ka asgje te keqe ne kuptimin protokollar. Kush ka qef te flase, le te aspiroje dhe te punoje per tu bere Kryeminister. Po fitoi e ka "izmen me pash", se ja ka dhene vete Zoti nepermjet Popullit.

Keshtu qe ti ben mire qe i shtjellon keto tema, por me shqiptaret eshte gabim taktik me u sjelle si i moderuar se ta marrin per dobesi.

Respekte

Tung

Add new comment