Retorika e pushtetit

Postuar në 07 Prill, 2013 05:10
Ardian Ndreca

 

Tashma kësaj legjislature po i afrohet fundi dhe domosdoshmënisht nji ose dy prej leader-ave të saj do të dalin jashtë lojet. Ma i konsumuemi asht Berisha e ka gjasa që me kalimin e butë e të mirëkoordinuem të Metës në koalicionin e majtë të ketë krijue nji farë hipoteke për pleqninë e tij e për të ardhmen e familjes së vet.

Në këto dy legjislatura e kemi pa triumfues, justifikues, optimist, të nxehun, të çakërdisun, të mbaruem, dhe sidomos kohët e fundit të lodhun, tepër të lodhun për me mbajtë ma gjatë frenat e pushtetit.

Berisha ka ba shumë gjana por ende s’ka mendue dhe veprue konkretisht për mbasardhësin e fronit të PD-së. Nji figurë që të jetë shpenzue ma shumë politikisht për të se Jozefina Topalli nuk ka, edhe pse Lulzim Basha duket se asht i preferuemi i familjes. Nesër kur Berisha të mos jetë ma në gjendje me ndejt zgjuet natë e ditë dhe t’i dalin duersh kontrolli hermetik i partisë, jam i bindun se Topalli do të luftojë me forcë për atë që i “takon”.

Në këto vite kemi ndie deri në mërzi kozmike gjuhën, fjalorin dhe retorikën e këtij “burri shteti”, siç e ka quejt me përçmim nji diplomat i huej.

Koha e komunizmit kishte retorikën e saj me nji gjuhë të konsolidueme, me shabllone dhe me qëllime krejt të qarta ideologjike. Ndodhi që po ato njerëz vijuen aventurën demokratike dhe në nji farë mënyre e riaftësuen retorikën komuniste në kushtet e reja që ishin krijue. Ma i madhi prej këtyne asht padyshim Sali Berisha, i cili asht shque për nji oratorí të efektshme që gjatë viteve të para të pushtetit anestetizoi shumicën e shqiptarëve.

Ajo retorikë i ka shërbye dhe po i shërben për me shpall sukseset e rrejshme dhe për me mshehë dështimet e vërteta.

Besoj se shumica e shqiptarëve i kujton shpalljet bombastike të Berishës: Shqipëria 1 euro, arroret, boronicoret, sherbela, rigoni, dafina, për me kalue tek do gjana tjera ma pak të shëndetshme si plehnat italiane; e mandej me radhë energjia eolike, Shqipëria superfuqi energjetike, vendi i parë me internet falas, zhvillimi i teknologjisë 3G, fermerët me kompjutera dhe me internet, Shqipëria si Zvicra dhe si Norvegjia, privatizimet, uljet e taksave, rritjet e rrogave dhe pensioneve, barra ma e ulët fiskale në Europë, taksa e sheshtë 10%, rritja e kursimeve në banka, rritja e investimeve, punësimi i 150 mijë shqiptarëve, firmosja e kontratave për koncesion për 360 HEC-e, fillimi i ndërtimit i kaskadës së Devollit (të përgatiten devollinjtë me mësue mirë notin dhe me ble lundra), subvencionimi prej vitit 2007 e këtej i 222 mijë familjeve fermere, krijimi i 100 mijë vendeve punë në sektorin bujqësor dhe në agrobiznes, rritja e bizneseve në periudhën 2009-2012 me 30%, krijimi po në ketë periudhë i 58 mijë vendeve pune për çdo vit, në fakt ketë të fund e ka deklarue mendizi i tij Bogdani, jo ai vetë.

Mandej kemi premtimet për 4 vitet e ardhshme: 250 mijë vende pune, përgjysmimi i taksës për makinat e përdoruna, heqja e taksës 10% për tokat bujqësore, shtimi i numrit të turistave nga 4,7 milionë në 6 milionë dhe rritja e të punësuemëve në ketë sektor me 30 mijë vetë.

Këto janë vetëm disa prej sukseseve, premtimet janë edhe ma shumë.

Megjithatë këto suksese nuk e mshehin diellin me shoshë.

Berisha s’mund të sillet sikur në Gërdec nuk janë hedhë në erë 26 qytetarë shqiptarë, që vrasësit e deputetit Xhindi ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë, që ekzekutimi me stil mafioz i gjykatësit Konomi ende nuk ka autorë, që në këto vite janë vra disa dhjetra policë dhe shumë prej kriminelave as që janë gjykue ndopak, që përmbytjet kanë kthye tashma Nënshkodrën në nji lagunë, që në mes të Tiranës janë vra me 21 janar 2011 katër të pafajshëm dhe askush nuk ka pague ende për gjakun e tyne, që kriminaliteti asht rritë në mënyrë eksponenciale, që gjykatat shqiptare janë ma të korruptuemet në botë mbas Jemenit, që ish-funksionarë të naltë të nomenklaturës komuniste vijojnë të emnohen në poste kyçe pse janë lehtësisht të kontrollueshëm për të kaluemen e tyne të errët, që asht tentue me iu falë nji pjesë e detit tonë Greqisë, që çështja e integrimit ka dështue plotsisht, që hapja e dosjeve nuk asht ba ende dhe kjo gja i jep fuqi Berishës me kontrollue zhganin e ish-sigurimasve që e rrethojnë, që politika e jashtme në këto vite na ka kthye në nji Zululand të vërtetë, që administrata asht e politizueme në mënyrë të skajshme, që asht rritë numri i vrasjeve, që kapter Zyloja i Imambajalldisë asht marrë me përgjime të paligjshme dhe me shitje armatimi, që vetë Imami, ministri ma qesharak dhe ma i kotë, mbas Bumçit dhe Bregut, nuk ka lejue komisionin e kontrollit parlamentar, që në Shqipní ka kohë që nuk zhvillohen zgjedhje të ndershme, që borxhi i mbrendshëm asht rritë tej maset, që gjysma e fjalimeve të tij në parlament duhet të studjohen simbas modelit freudian “persona psikopatë në skenë”, që sektori i ndërtimit asht në krizë, që në Shqipni ekziston nji “zona franca” e drogës që quhet Lazarat, që censusi ka dështue, që nacionalizmi i çmendun na damton si shtet dhe si komb, që papunësia, çmimet dhe pakënaqësia e shqiptarëve janë rritë pafund, që kushtet e burgjeve nuk favorizojnë sigurinë dhe reintegrimin e të dënuemve, që në dy legjislatura nuk ka pasë asnji politikë reale pro familjes, që në Shqipni shteti ligjor ka ikë në drejtim të paditun, që mbrojtja e konsumatorit nuk ekziston, që dhuna ndaj grave asht rritë ndieshëm, që legalizimet e ndërtimeve informale kanë qenë në nivele tepër të ulëta, që s’janë ba reforma institucionale, që shteti/Parti i Sali Berishës asht përdorë rregullisht në këto vite për me shpifë pranë autoriteteve të hueja kundër qytetarëve shqiptarë me banim jashtë atdheut që janë tregue kritikë ndaj politikës së Berishës.

Ka mbetë edhe ndonji gja tjetër, si për shembull emnimi i nji kukulle të pakuptimtë si president i republikës, gja që na shtyn me e shkrue me të vogël edhe fjalën “President” edhe fjalën “Republikë”.

Por duhet thanë se në këto vite gazetaria shqiptare ka njohtë nji rritje cilësore që konsiston kryesisht në nji emën të vetëm: Mero Baze. Për veprimtarinë e tij publicistike të këtyne viteve, opozita ideale, jo PS-ja, por të gjithë ata që janë të neveritun prej sukseve të rrejshme dhe prej dështimeve të suksesshme të Sali Berishës, duhet t’i thonë nji “falemnderës” të fortë gazetarit Mero Baze.

Ka qenë i vetmi që ka ba opozitë reale në vitet e para mbas fitores së 2009-s. Gazetar i nji race të mirëfilltë e opozitar i guximshëm, para tij kolegët e tjerë opozitarë dhe ata që kanë qenë opozitarë me korrent të alternuem në këto vite, me shumë pak përjashtime, ngjajnë si kopjet kineze apo si mallnat turq me prodhimet e markës.

Gabimi ma i madh i Sali Berishës në këto vitet e fundit ka qenë anmiqsimi me Mero Bazen. Ma mirë të ishte anmiqsue me të gjithë farirët, me të gjithë imambajallditë, me të gjithë mulat, pollot, blendërat, me të gjithëmyqeremolldashobumçat se me Mero Bazen. Ky ka qenë nji gabim fatlum për të gjithë ata që nuk e durojnë ketë regjim karikaturë, krijesë e mjerë e Ramiz Alisë.

Sali Berisha tashma asht në fundin e karrierës, shpresojmë mos t’ia zanë vendin Ilir Meta, pse asht i ri dhe do të ishte në gjendje me na dhurue edhe 20 vite të tjera tranzicion. /MAPO/

Comments

Submitted by skelari migrues (not verified) on

I nderuar Adrian, nuk mohoj qe me pelqeu kjo permbledhje e prapesive te Berishes, por kam nje kundershti, me ty. Fataliteti qe ne pershkrimin tendlidh problemet opozitare te Berishes me Mero Bazen nuk e shoh ashtu. Kam bindjen se as Berisha (as Baze ne te kundert) nuk jane burimi, ata jane shkaku...nje figure si Berisha nuk do mbijetonte pa kete habitat, dhe nje opozitar (i vonuar paksa) si Baze, do kishte dale, e sjell nevoja e lexuesit, ju shtua suksesi se shkroi ate qe njerezit donin te lexonin, dhe vete historia e tij tregon se (kerkoj pak ndjese per termat e ashper) ai eshte njeri qe artikulon dhe vezhgon mire, por jo nje antikonformist i perjetshem ne mbrojtje te te vertetes.

Lufta me fisnike ne kaq vjet politike ka qene per transparence zgjedhore, dhe fatkeqesisht pati shume pak mbeshtetje, edhe prej moralisteve...Verwj se Berishen si fenomen nuk e rrezon gazeraria e Bazes, por struktura shume e paqendrueshme dhe e padrejte, shteterore dhe rrjedhimisht edhe shoqerore, qe ai nderton.

Submitted by Kastrioti (not verified) on

<p>O zoti Ndreca!... Sipas teje gazetare te mire jane ata ekstremiste, qe shkruajne me urrejtje patologjike kundra Berishes, Rames apo ndonje tjetri. Deri sa gazetaria shqiptare ta kuptoje se nuk eshte kjo gazetaria e vertete, s&#39;ka gazetari. Si mund t&#39;i thuash gazetar i mire nje njeriu qe 365 dite shkruan te njejtat gjera plot mllef per te njejtin njeri, kur gjysma e popullsise e njeh si lider? Urrejtje fiton dhe vetem urrejtje. Gazetar eshte ai qe me etike dhe kulture i dergon lexuesit mesazhe te besueshme dhe te argumentuara, ku mund te gjeje 10 te keqija, por permend edhe 5 te mira. Por keta jane gazetare qe shfrytezojne verberine e fanatikeve(ne Shqiperi jane me shumice, se ashtu i beri regjimi i Enverit, ne mos je dhe ti nga soji i tij) dhe nxjerrin buken e gojes. Se, kur flasin kunder Berishes, i psguan Rama-Nano, Stefani, Baze, mbase dhe ti dhe, kur shajne Ramen, i paguan Berisha-Fahriu dhe nuk gjej dot ekstremiste te tjere si ata qe permenda me pare. Natyrisht qe gazetaria eshte pasqyre e shoqerise... Po sikur te luftojme qe shoqeria te behet pasqyre e nje&nbsp; gazetarie te mire, qe nuk shan e mllefosur ne saje te lirise pa limite qe ka? Faleminderit per mirekuptimin, i nderuar gazetar.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.