Tre ligje baras Europë????

"Tre ligje = Europë. Voto tani! 170346 minuta të humbura". Dhe më pas në tekstin që lëviz me drita të kuqe përpara Parlamentit vijon fjala: "TURP".
Turp? Turp... Ndoshta kjo fjalë por dhe pjesa tjetër e mesazhit bëri që shumë nga ne pasagjerët e autobusit të Tiranës së Re të lëvizim kokën nga dritarja në të njëjtën kohë me habi. Gjetje e mençur nga ana e Parlamentit. Gjetje komerciale e tipit “Mac Donalds” apo “Coca Cola” që dikur shërbeheshin si menyja më e shijshme, e shëndetshme dhe natyrisht praktike për njerëzit, sidomos ata që nuk kishin shumë kohë t'i përkushtoheshin të ngrënit. Për fat të mirë kjo reklamë nuk funksionon më. Njerëzimi, të paktën ai i vendeve perëndimore, është i ndërgjegjshëm që frutat dhe perimet e freskëta, të cila duan kohën e tyre të piqen në mënyrë të natyrshme, dhe jo ushqimi i procesuar dhe i trajtuar me konservantë, është mënyra e duhur për t'u ushqyer.
Që të mos keqkuptohet lexuesi, ky artikull në fakt nuk ka të bëjë realisht me ushqimin. Por ajo që duket se po na serviret ne shqiptarëve nëpërmjet këtij mesazhi duket shumë i ngjashëm me ushqimin "fast-food".
Le të analizojmë pjesën e parë të mesazhit: "3 ligje=Europë". Këtu ka dy çështje: ose Kryesia e Parlamentit nuk është në dijeni se çdo të thotë Europë - nëse është ky rasti, unë me modesti do të përpiqem të shpjegoj shkurtimisht parimet kryesore të Bashkimit Europian. Çështja e dytë është që ndoshta Kryesia e di më së miri se ç’do të thotë Europë, por i trajton shtetasit shqiptarë si turmë e paditur, të cilët siç kanë besuar dikur që patatja është bukë edhe gjellë, edhe sot do të besojnë se tre ligje na bëjnë Europianë automatikisht.
Më lejoni t'ju rikujtoj atë se çfarë thuhet në Traktatin e Lisbonës lidhur me parimet mbi të cilat mbështetet Bashkimi Europian. Dinjiteti njerëzor, liria, demokracia, barazia, zbatimi i ligjit dhe respekti për të Drejtat e Njeriut: këto janë vlerat themelore të BE-së, të cilat përcaktohen në fillim të Traktatit të Lisbonës. Ato janë të përbashkëta për të gjitha Shtetet Anëtare, dhe çdo vend Europian i cili dëshiron të bëhet anëtar i Unionit duhet t'i respektojë ato. Promovimi i këtyre vlerave, ashtu si dhe paqja dhe mirëqënia e popujve të Unionit janë tashmë objektivi kryesor i Unionit. Këto objektiva të përgjithshme plotësohen nga një listë më e detajuar, e cila përfshin promovimin e drejtësisë dhe mbrojtjes sociale, dhe luftën kundër përjashtimit social dhe diskriminimit·.
Le të analizojmë pjesën e mesazhit në vijim: “Voto tani. 170346 minuta te humbura”. Si qytetare nuk e kuptoj për kë është ky mesazh? Unë nuk votoj në Parlament por kam përfaqësuesit e mi që i zgjedh çdo katër vite. Ata janë brenda në Parlament dhe në rast se ky mesazh është për ta, përse nuk iu drejtohet çështja atyre? Përse nuk bisedohet në kuadrin e të gjitha elementeve që përmban një debat: argumentim, dëgjim, shkëmbim idesh, konsensus? Nëse ne jemi gati për të vajtur në Europë dhe na mungojnë vetëm tre ligje, si ka mundësi që nuk arrijmë të bëjmë një debat si Europianët? Tolstoi thotë që kur dy veta zihen si rregull të dy e kanë gabim. Por ndoshta maxhoranca nga një pozitë e privilegjuar e ka të lehtë të akuzojë palën tjetër si dhe të bëjë ç'është e mundur të bindë shtetasit nëpërmjet propagandës mediatike që ajo që thotë maxhoranca është e vërteta.
Për të kaluar tek pjesa e fundit e mesazhit: "Turp". Realisht gjetje shumë e bukur. Në Shqipëri nuk jemi shumë të preokupuar nëse diploma blihet, nëse nuk kemi punë, nëse nuk del pensioni për të paguar dritat e ilacet, nëse jetojme me listë tek ushqimorja. Por nëse ndihemi të turpëruar nuk na zë gjumi për netë me radhë. Nuk dalim dot nga dera e shtëpisë. Prandaj t'i pëmendësh fjalën “Turp” një shqiptari është shumë e rëndë. Por a do të thotë “turp” vallë të mos aprovosh tre ligje që "na çojnë në Europë"? Apo ndoshta turp është korruptimi i hapur i qeveritarëve dhe shpallja e pafajësisë nga ana e gjykatave? Ndoshta vrasja e atyre që ngrënë zërin kundër në mes të ditës dhe lënia e lirë e autorit është turp? Mos është turp transformimi i bregdetit tonë në një kasaphanë ndërtimore apo kosh plehrash gjigand? Apo është turp vrapi që bëjnë deputetë të caktuar në fushatë drejt emigrantëve apo drejt fshatit më të humbur, pa patur asnjë interes për ta përveç atij elektoral? Mos është turp që akoma sot, 20 vite pas shpalljes së demokracisë dhe 100 vite pas shpalljes së sovranitetit, duhet të degjojmë se çfarë thonë Ndërkombëtarët dhe jo atë se çfarë thotë Kushtetuta e Shqipërisë?
Nuk dua të reduktoj entuziazmin e Kryesisë së Parlamentit për të punuar. Por kam besimin se në rast se kemi vërtetë dëshirën e mirë për t'iu bashkuar Europës na duhet të ndryshojmë stil pune. Parrullat me drita dhe flamurët gjigandë nuk na bëjnë shtetas më dinjitozë dhe as Europianë të respektuar. Ajo që na bën të ndihemi të respektuar është komunikimi qytetar dhe pranimi i mendimit ndryshe. Këtu fillon Europa.
Comments
Po ç'numeron minutat me kot

Po ç'numeron minutat me kot Zhozi !? Berisha ta kete per turp qe nuk do BE, por do qarkun e Fierit. Nese sot Berisha zbaton vendimet e gjykatave dhe heq dore nga Fieri, neser ne mengjes jane votuar tre ligjet. TURP!

Bile po te t'i qante aq shume zemra per Europen Berishes, nese opozita ngulte kembe se e donte qarkun e Fierit, ashtu kot, per po.dhe, ai ti thoshte.Po mere, vetem Shqiperia te hyje ne Europe. Une boll i kam 11 qarqe. Merni dhe ju nje, se gjynah. Por jo, ai i do te gjitha per vete...TURP !

Ja qe Sofite nuk jane vetem

Ja qe Sofite nuk jane vetem "bionde", por brune me nje barre me mend.

Komplimente per shkrimin!

Add new comment