Fraza ‘llumi i egër’ është e vrazhdë dhe idiote

Postuar në 12 Gusht, 2011 05:53
Daniel Knowles

Trazirat kanë ndaluar, ose kështu duket: mbrëmë shqetësimi më i madh u shkaktua nga 200 ose më shumë “kaçakë” në Eltham, të cilët brohorisnin me slogane të huazuara nga lëvizja e ekstremit të djathtë ‘English Defence League’ dhe gjuanin me shishe. Kjo gjë nuk më habiti aspak: ka zemërim të kuptueshëm në themel të këtyre trazirave, por ka dhe disa njerëz, që kanë gjetur rastin për të përligjur paragjykime të tyre të thella. David Cameron flet për “shoqërinë tonë të sëmurë” (jo vetëm të shthurur, tanimë), ndërsa tabloidët janë plot me referenca si “rrugaçë”, “banditë”, madje edhe “terroristë”. Të tjerë i quajnë ata “parazitë”, ndërsa termi më dëshpërues që kam dëgjuar të përdoret është “llum i egër”. Thjesht vrisni mendjen për termin “i egër”. Çfarë u bëjmë ne kafshëve të “egra”? Oh po, ne i asgjësojmë ato.

Është e drejtë të jesh i zemëruar, dhe gjatë pesë ditëve të fundit, ndërkohë që trazirat shumëfishoheshin dhe ndryshonin natyrën e tyre, ishte e parakohshme të filloje të spekuloje për “shkaqe më të thella”. Por intelektualisht, është gjithashtu një mënyrë përtace të thuash, ashtu siç bëri Theresa May, që ky nuk është asgjë më shumë se “kriminalitet i pastër”. Krimi është gjithmonë krim, por kjo nuk na justifikon ne të themi se duhet të ketë disa shpjegime sociologjike. Për më tepër që shpjegimet e thjeshta nuk funksionojnë. Sipas krahut të majtë kjo ka të bëjë me shkurtime të shpenzimeve publike; një pretendim i tillë është qesharak për disa arsye, por njëra është kryesorja: shkurtimet nuk kanë ndodhur akoma. Por edhe e djathta po bën deklarata dembele, siç është ajo që të gjithë këtë e quan një “intifadë të nënklasës” (e shkroi dje Danny Kruger, ish-këshilltar i David Cameron-it). Nëse është kështu, ç’duhet të themi për 19 vjeçaren që ndiqte shkollën e ciklit të lartë, e cila përfundoi në gjykatë dje? Edhe nëse ajo shpallet e pafajshme, sigurisht që ka pasur edhe njerëz të klasës së mesme në mesin e këtyre protestuesve. Jo të gjithë janë analfabetë, adoleshentë me kapuç në kokë, të paedukuar me kuptimin e së mirës apo të keqes. Shumë të tjerë, si ai mësuesi i shkollës fillore, i cili u pa të largohet nga gjykata duke mbuluar fytyrën me fletë gazetash, mund të jenë thellësisht të turpëruar për veprimet e tyre.

“Shkaku” i kësaj trazire, nëse është një shkak i vetëm, është në fakt akoma më i thjeshtë: ishte argëtuese e gjithë kjo. Kriminelët e ashpër – liderët e bandave brenda qytetit – me shumë gjasa filluan dhunën, dhe u dërguan mesazhe me Blackberry bandave të tyre, ku i ftonin ata që t’u bashkoheshin trazirave. Por të tjerë iu bashkuan grabitjeve apo hedhjes së gurëve thjesht sepse nuk e menduan gjatë këtë punë. Shumë nga këta kriminelë nuk janë të ndryshëm nga Nick Clegg, i cili në moshën 16-vjeçare u dënua në Gjermani, sepse i kishte vënë zjarrin koleksionit të kaktusve të profesorit të tij për një “laureshë të dehur”. Nuk janë të ndryshëm as nga klubi i studentëve ‘Bullingdon Club’, anëtarë të të cilit kanë qenë edhe David Cameron e Boris Johnson; pak herë kanë ardhur vërdallë studentë të këtij klubi duke thyer xhama restorantesh? Është shumë hipokrite nga ana e politikanëve të moshës mesatare, të cilët dënojnë adoleshentët sikur këto lloj krimesh të mos kishin ndodhur asnjëherë më parë. Ne raportojmë sot, që Departamenti i Punës dhe Pensionit është “duke parë mundësinë që këtyre njerëzve të përfshirë në trazira dhe që shkaktojnë shqetësime, por që janë të pa dënuar definitivisht”, t’u heqë përfitimet që u takojnë me ligj. Pra, duket sikur ne po planifikojmë të trajtojmë autorët e trazirave më ashpër sesa kundravajtës të tjerë të ngjashëm apo të barasvershëm me ta, duke iu kanosur atyre, me një logjikë të qartë vetgjyqësie, me heqjen e të drejtës ligjore për përfitime. Kjo është provë që debati ngrihet mbi zemërimin, e jo mbi idetë. 

Shpresoj tani që trazirat të marrin fund – nëse do të marrin fund – në mënyrë që ne të rifitojmë një sens të së ardhshmes. Ato kanë nxjerrë në shesh faktin, se shoqëria jonë nuk ka kontrollin e duhur mbi fëmijët e saj. Po ashtu, ne kemi mësuar se disa njerëz janë kriminelë të përhershëm. Këto dy fakte ne i dinim një javë më parë. Kështu që a mund të qetësohemi? Me zemërim dhe paragjykim nuk arrihet asgjë. Me zemërim e paragjykim thjesht bindim edhe lëvizjen ekstremiste të djathtë “English Defence League” t’u bashkohet atyre.

Përktheu: Drilona Nokshiqi

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.