Syri i Kaltër dhe.. një fusnotë e zgjatur

Postuar në 12 Shtator, 2012 02:52
Dedë Shkurti

Cilitdo që i bie të udhëtojë rrallë në Sarandë nuk mund ta anashkalojë Syrin e Kaltër. Është vërtet një mrekulli e natyrës shqiptare dhe vlerën ia shton edhe më shumë qenia afër, fare afër me aksin kombëtar jugperëndimor, veçse dy kilometër në të majtë të rrugës Sarandë-Gjirokastër, sapo kalon Bistricën.
Per herë të parë kisha shkuar atje në fundin e dhjetorit 2010. Asnjë këmbë gjallese nuk gjeta përreth. I vura vetes detyrë se do ta vizitoja përsëri, por në një sezon veror dhe luta zotin që kur të kthehesha, rruga prej dy kilometrash të ishte e rregulluar.
Rasti e solli të kthehesha tek Syri i Kaltër në gjysmën e gushtit që iku.
Welcome to the Blue Eye! Korrektesa e anglishtes së shkruar stononte fort. Ishte po ajo llamarinë e ndryshkur e mbërthyer në dy tuba metalikë, po aq të ndryshkur tek fillimi i digës së basenit ujëmbledhës. Ngjitur me kolonën, nga një tip kioske doli një person që na tha se, nëse donim të vizitonim Syrin…, bileta kushtonte dyqind lekë. I dhashë dy njëqind lekëshe metalike dhe vazhdova rrugën tashmë “me vizën” për të hyrë tek mrekullia. Rruga dukej jo vetëm sikur ishte ngushtuar më shumë nga ferrat por nuk i kishte mbetur nishan asfaltit të kohës së vjetër, gropat ishin aq të thella sa traversat e urës së parë të automjetit të tipit Benz ML 270, fërkoheshin me gurët dhe dheun poshtë saj.
Sapo kaluam digën, rruga e gjarpëruar ishte e mbushur plot me lopë të cilat ose ecnin indiferente pa ia ditur për praninë e një “kafshe me motor e me buri”, ose lëpinin e gëlltisnin ca letra të kripura korosanesh, lëvore pjepri e plastikë të të gjitha ngjyrave. Duke ecur më pak se pesë kilometër në orë për arsyet që përmenda , më në fund arrita tek Syri.
Ishin rreth dy-treqind veta që e sodisnin atë gjë me të vërtetë mahnitëse. Një kaltërsi ekstreme e përroit dhe sidomos e “bebes” së Syrit. Gjelbërimi pothuajse i virgjër. Në sheshe të vogla e të improvizuara nga vetë gomat e makinave, këto të fundit vendoseshin në mënyrë të çrregullt.
Pikërisht këtu fillonte masakrimi i bukurisë; nga dy tre kolibe druri dukej tymi dhe vinte era e qofteve dhe e mishit të pjekur. Gjithëkund letra, kudo shishe plastike, dhe mbeturina ushqimi. Nuk vonuan dhe erdhën edhe lopët, dhe tashmë aroma u përzie edhe me erën e bajgave.
Në tërë jetën time nuk kisha parë një kontrast të tillë. Një përzierje gjuhësh nga të paktën tre kontinente, pëllitjet e lopëve, të lehura qensh, ndjellje në formën urdhërore të një biçim çobani që u shfaq në fund, dhe ofertat për qofte e mish të freskët. Disa të rinj gjermanë nga një platformë metalike hidheshin drejt e në bebe të Syrit. Kinezë e arabë me aparate fotografike në duar përpiqeshin të fiksonin çdo gjë nëpër retinat e aparatit fotografik. Ashtu përpiqesha të bëja edhe unë kur,… më kapi veshi një bisedë me zë tepër të ulët të dy njerëzve pas meje;
- “ Republic of wastes”, .. aha, maybe.., “Republic of animals”.
U përpoqa të sjell në kujtesë se ku i kisha ndeshur këto fjalë. Përpara pesë vitesh, në shtetin e Michigan-it, në një territor prej dy milje katrore, pas mesnatës së ftohtë amerikane takoheshin gati të sinkronizuar disa shërbime, unë si korier i gazetës New York Times, polici i shërbimit, korieri i U.P.S.-it, makina borëpastruese dhe më autoritarja (gati si sovrane), makina e mbeturinave, në tre anët e së cilës qe shkruar: “Republic of Wastes”. Me përjashtim të mbiemrit që mban njëra nga dy partitë kryesore, asnjëherë nuk e kisha ndeshur emrin e republikës në punët dhe jetën amerikane. Çuditërisht atë emër e mbante me liçencë firma autoritare e mbeturinave në makinë dhe në të gjithë kontenierët dhe koshat e lagjeve në të cilën ishte e kontraktuar të pastronte.
“Republikën..” e dytë e kam ndeshur po në shtetin e Michigan-it gjashtëdhjetë milje në veri të Detroitit në një fermë ku, me një bashkëpatriot kishim shkuar të blinim mish të freskët derri. Një familje gjermane në tre breza rriste dhe mbarështonte të gjitha llojet e kafshëve shtëpiake. Aty kam parë vajzat universitare të diplomuara në University of Michigan që e mbanin gicin në gjoks dhe e përkëdhelnin si fëmijë….
…Fusnota:
Ju lutem amerikanë apo çfarë dreqin jeni, mos e fyeni emrin e Republikës!
E kemi fyer dhe poshtëruar vetë sa nuk ka ku të shkojë më. Unë nuk fajësoj Qeverinë e Republikës sonë se, nuk vjen ajo të pastrojë plehrat në Bistricë. Por një gjë nuk e honeps dot, përse del zëdhënësja e kësaj qeverie e kumton se nga pika kufitare e …. Morinës paskan hyrë 48% më shumë turistë se vitin e kaluar. Ku do të dalë e çfarë do të shënojë me këtë shifër?! Kam qëlluar në të njëjtën ditë në Sarandë me këshiltarin e të nderuarit kryeministër që paska fjetur në makinë. Ju betohem, që nuk kam mundur të rri as edhe një çerek ore në Sarandë, vetëm nga mjedisi mbytës.
Nga Kepi i Rodit tek Ura e Dailanit duhet të zësh hundët, po ashtu në Shëngjin e në Velipojë.
Kjo, kurrsesi nuk mund të quhet Republikë. Kjo e ka emrin Anarki.
Welcome to the Anarchy of Wastes! Welcome to the Anarchy of Animals!.

Comments

Submitted by roland (not verified) on

FOLE TI FOLE,KUSH TE DEGJON,DERI SA TI SHKATEROJME TE GJITHA SKA NJERI TE NA NDALE,JEPI O POPULL JEPI

Submitted by 100 Vjet Pavarsi (not verified) on

Problemi i pare i animaleve ne Republiken e anarkise eshte mungesa e kultures se jetes dhe provincialiteti i theksuar mentalist.

Problemi i dyte i anarshisteve ne Republiken e animaleve eshte pertacia e dembelizmi me ADN.

Problemi i trete nuk i perket kanibaleve te fundit kulturore ne Evrope. Eshte problem i te huajve qe fale civilizimit te tyre nuk mund te pastrojne me nam e nishan kete faqe te dheut qe behet cdo dite pis vetem me egzistencen e elementit pleher Shqiptar ne te.

IOO Vjet Pavarsi i kemi shfrytezuar ne ate menyre te tille sa per te vertetuar tezat e para IOO vjeteve se jemi animale me bisht.

Rrofte Pavarsia qe sa me tej thellohet ne vite aq me teper tregon se cfare rrace e ndyre jemi.

Submitted by victory (not verified) on

Eshte shume pak qe vetem te revoltohesh.........:(:(:( Te dergoje Lul Basha kunatin qe eshte "ekspert" ne trajtimin e plehrave. Pfuuuu!

Submitted by Tiku (not verified) on

Syri i Kalter korrik 2012.

Une: Mirdita

Roja: Miredita, biletakushton 100 leke per makine dhe 50 leke per person, qe i bie 350 leke. Me jepni nje 200 lekesh mua se nuk kemi marre akoma  rrogen dhe jeni te nderuar........

Une: ??!!!!

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.