Kryeministri: Prona në Zvërnec mund të jetë e vjedhur, por shitja ka vlerë ligjore

Postuar në 14 Qershor, 2026 18:54

Në një status në Facebook, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndër të tjera sqaron:

ZONA E INVESTIMIT NË ZVËRNEC është pronë private e regjistruar në kadastër prej shumë vitesh. Plani i zhvillimit të asaj zone është rezultat i një marrëveshjeje mes investitorëve dhe pronarëve zotërues të titujve të pronësisë në regjistrin kadastral (njësoj si në të gjitha rastet e pafundme të zhvillimit të pronës private). Investitorët i kanë blerë pronat prej tyre dhe aktualisht janë pronarë legjitimë të truallit në fjalë.

Siç ndodh nganjëherë me bregdetin e Shqipërisë, zona ka edhe pretendentë të tjerë. Në këtë rast jo një palë, po dy palë. Nga njëra anë janë dy familje që e pretendojnë pronën si pronarë të vjetër dhe nga ana tjetër janë shumë familje që e pretendojnë pronën si ish-anëtarë të kooperativës bujqësore komuniste.

Të gjithë i kanë çuar pretendimet e tyre në gjykatë.

Por ndërkohë, sipas ligjit shqiptar dhe sipas çdo ligji në botë mbi pronën private, pretendimet e palëve të treta nuk e ndalojnë dot as zhvillimin e as shitjen e pronës nga subjektet që e kanë atë të regjistruar në kadastër. Regjistrimet në këtë zonë janë bërë kohë përpara ardhjes së kësaj shumice qeverisëse në detyrë.

Rasti e ka sjellë që SPAK-u të kishte një hetim të hapur për njërin nga shitësit e pronës, lidhur me një çështje tjetër. Me kërkesë të prokurorëve e me vendim të gjykatësve, shuma e derdhur nga investitorët për blerjen e asaj pjese të pronës është ekzekutuar si transaksion në favor të investitorëve, pa ka kaluar tek shitësi po në një llogari bankare të ngrirë.

Shitësi nuk do të mundet ta tërheqë dot atë shumë përpara mbylljes së hetimeve dhe në rast se drejtësia vendos që ajo shumë nuk i takon, atëherë shuma do të sekuestrohet duke kaluar në fondin e kompensimeve të shtetit për pronarët. Kjo do të thotë se nëse dhe vetëm kur gjykata t’i japë të drejtë njërit apo disa prej pretendentëve të pronës në fjalë, ata do të mund të marrin nga ky fond shumën që u takon.

Sa më lart tregon qartë se shitblerja e pronës në Zvërnec nuk ka asnjë lidhje me qeverinë, po lidhet thjesht me marrëdhënien më elementare mes subjektesh private, në një sistem ku e drejta e pronës private është e drejtë themelore e njeriut. Nga ana tjetër, sa më lart tregon qartë edhe që organet e drejtësisë kanë vepruar jo vetëm në pavarësi të plotë, po edhe në interes të shtetit e në mbrojtje të së drejtës së pronës private, qoftë kur e kanë konsideruar korrekt transaksionin e kryer nga investitorët, qoftë kur kanë vendosur vendosjen e shumës në një llogari të ngrirë

Pra, ky nuk di gjë. Asgjë fare. Problemet e pronës, të kadastrës, gjyqet. Jo. I dalldisur pas Shqipërisë që zhvillohet ky ka mbyllur sytë dhe ka miratuar projektin. Transaksioni është ligjërisht në rregull edhe pse prona mund të rezultojë e vjedhur. Tani a mundet ky të jetë kryeministër?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.