Pikturat e Mios, hajdutët, trafikantët dhe snobët e artit

Postuar në 17 Korrik, 2012 01:20
Anila Jole

U bënë ditë që nëpër media dhe opinionin shqiptar “tirret e përdridhet” lajmi i zhdukjes së pikturave nga Galeria e Arteve në qytetin e Korçës. Si çdo ngjarje e keqe, e rëndë apo e turpshme, që ndodh në vendin tim edhe kjo më preku, madje shumë, si qytetare korçare dhe si gazetare njëherësh. Falë fatit që babai im i ndjerë ishte piktor, jam rritur me dashurinë për pikturat, ndaj mesa duket e kam ndjeshmërinë e duhur, të paktën për të mos mbyllur sytë dhe veshët, pas lajmit për zhdukjen e 61 punimeve, nga të cilat 27 të piktorit të Popullit, Vangjush Mio.

Nuk kam ndonjë të dhënë që mund të ndihmonte hetimet për ngjarjen, por ajo që dua të them është se në optikën time çështja nuk është kaq e komplikuar sa ç’duket ose sa ç’përpiqen disa ta paraqesin. Ashtu si unë, shumë njerëz tek dëgjojnë lajmet dhe prononcimet, bëjnë mjaft pyetje, për të cilat do të donin një përgjigje që do të shponte pak më shumë thesin e së vërtetës.

Përgjegjësi i Galerisë, ose “Ruajtësi i thesareve”, jep disa lloj variantesh, nga të cilat të mbetet në mendje fakti, që ai nuk ishte i vetmi që kishte çelësin e Fondit të pikturave dhe askush nuk u ngrit ta pyesë se kush  tjetër e ka kopjen e dytë apo edhe të tretë të çelësit të “artë”. Njëherë thuhet se prej vitesh nuk ishte bërë inventar, pastaj del se ishte bërë inventar i rregullt. Tani ajo që s’kuptohet, është se çfarë kanë inventarizuar? A ishin aty pikturat e Mios, apo inventari ishte diçka formale sa “për të larë duart”, siç bëhen shumë gjëra në këtër vend?

Pastaj del drejtori i Pallatit të Kulturës, (sqarim: asnjërin nga të sipërpërmendurit nuk i njoh personalisht) dhe thotë se çdo përgjegjësi i takon njeriut, që për disa vite me radhë u kujdes për galerinë.

Pyes veten; po vetë drejtori i Pallatit të Kulturës, që mban për ironi emrin e Vangjush Mios, nuk ka asnjë përgjegjësi për gjendjen ku ishte katandisur Fondi i Artë i Galerisë, ku me sa duket mund të hynte “dreqi dhe i biri” dhe së bashku të “vallëzonin mbi piktura”? Si drejtues i institucionit, besoj se ka një përgjegjësi, të paktën administrative. Atëherë a duhet që ky njeri të pezullohej nga detyra, minimalisht derisa të zbardhet e vërteta?

Mirë, nuk mbaron këtu. Në fundjavë papritur na kujtohet piktori Sotiraq Kuqali, që paskërkësh patur në shtëpi 6 nga pikturat e zhdukura, për t’i restauruar, por nuk na dha ndonjë përgjigje për pyetjet:  Kush e autorizoi atë për restaurimin e pikturave të Galerisë? Përse përgjegjësi i Galerisë nuk e dinte dhe pse “restauruesi” nuk e bëri këtë sqarim që ditën e parë, kur u dha alarmi për vjedhjen e pikturave?  Sa piktura të tjera janë shpërndarë për t’u “restauruar” nëpër duar të ndryshme “restauratorësh”?  Në fund nuk i shmang dot pyetjet ku përfshihet dhe politika, sepse të gjithë e dimë se as në këtë rast ajo nuk mund të përjashtohet. Si është e mundur që asnjë nga autoritetet qendrore, të lidhura drejtpërdrejt me ruajtjen e fondit të kulturës sonë kombëtare, nuk reagon për këtë skandal të madh? Përse një bankë, ku ka miliona lekë mbrohet me roje, armë, hekura dhe një qind palë çelësa, ndërsa një Galeri me objekte që veç vlerës së jashtëzakonshme materiale, kanë vlerë të pakrahasueshme nga pikëpamja e trashëgimisë, lihet po aq e siguruar sa një magazinë qepësh? Mos është momenti për të hapur një diskutim, sesa të garantuara me ligj janë të tilla pasuri të çmuara dhe si zbatohet ky ligj? Sa të përcaktuara janë detyrimet e autoriteteve lokale dhe atyre qëndrore për këto raste, ku nuk mjafton kultura personale e titullarëve (nëse e kanë), për të mbrojtur një thesar të tillë?

E pafalshme është që për një ngjarje të tillë edhe opozita hesht... Nuk e kuptoj dot se si është e mundur që një parti, e cila në programin e saj ka një këndvështrim shpresëdhënës për veprat e kulturës kombëtare, të mos shfaqë as më të voglën ndjeshmëri për këtë vjedhje? Nuk e njeh PS-ja vlerën e pikturave të zhdukura? Nuk e kupton përmasën e kësaj që ka ndodhur? Apo është mungesë vëmendjeje dhe pragmatizëm, të cilat përveç të tjerash kanë krijuar terren për interpretim politik nga ana e maxhorancës lokale?

Sidoqoftë, pikturat që prej vitesh qëndronin në muret e Galerisë, nuk “bënë krahë” të fluturonin, ato i ka nxjerrë prej andej dora e njeriut. Do t’i japim kohën e duhur hetimit të nxjerrë në dritë të vërtetën dhe të mësojmë, nëse bëhet fjalë për hajdutë ordinerë dhe për rrjedhojë keqtrajtim dhe shkatërrim të pikturave, për trafikantë veprash arti, që së paku i vlerësojnë pikturat pak më shumë sesa Galeria e Korçës, apo për snobë që besojnë se për shkak të parave apo pushtetit që kanë, iu takon të jenë “pronarët” edhe të asaj pasurie?

Këta të fundit janë shtuar shumë në Shqipëri dhe jo sepse janë njohës të paparë të pikturës, adhurues apo koleksionistë të sëmurë. Po të ishte kështu do të isha pakëz më e qetë, sepse kam njohur koleksionistë të huaj pikturash, që japin gjithë pasurinë për të patur një kryevepër dhe janë të dashuruar marrëzisht me to. Jo! Në Shqipëri çdo gjë konvertohet në para dhe pikturat e Mios prodhojnë shumë para. Edhe ndonjëri që e ka varur pikturën në mur për ta kombinuar me perdet e zgjedhura  nga gruaja, do të detyrohet tani ta heqë prej aty, derisa të fashitet kjo zhurmë e të mbyllet fare.

Ajo që uroj me gjithë zemër edhe pse jam skeptike, është që të zbardhet ky skandal, jo vetëm me shpresën që pikturat e çmuara të kthehen aty ku e kanë vendin, por edhe për të kuptuar se kush janë “artdashësit” dhe “adhuruesit” e tyre…

Kjo ngjarje përveç të tjerash na bëri të kuptojmë mirë një gjë. Ne nuk duhet të gënjejmë veten se mund të krijojmë vlera të reja dhe aq më pak të pretendojmë që ato të bëhen traditë, pa qënë fanatikë të ruajtjes së traditës, pasurisë dhe kulturës, që trashëgojmë dhe duhet të përcjellim në breza.

Comments

Submitted by ermiri (not verified) on

<p>Cudi qe s&#39;ndihet PS, se ka dhe kryetar piktor ...</p>

Submitted by Grigor (not verified) on

Pse ne nje vend ky kryetari i opozites eshte piktor, pikturat si rregull nuk duhet te vidhen apo kryetari i opozites duhet te beje rojen e muzeumit? Daku ja ke fut si kau peles apo si Xhelal Mziu femrave ne bashkine e Kamzes.

Submitted by ermiri (not verified) on

<p>jo me Daku, e kisha qe meqe eshte piktor, duhet te shqetesohej pak me shume e te thoshte ndonje fjale.por ndoshta s&#39;ka c&#39;thote se i ka duart e zena me ndonje pikture prej tyre. po ti cpate? une s&#39;e kisha me te keq. I partise je?</p>

Submitted by Grigor (not verified) on

Partise qe me kryetarin piktor, Partise me kryetarin sekretar partie dhe te tjerave u kam lene shendene me kohe. Nuk me mbaje partite po krahet e mia. Me vjen cudi qe merakosesh pse nuk ndihet piktori dhe nuk merakosesh per gjendjen ku jane katandisur muzeumet. Qe po humbasim pasuri te pacmueshme qe nuk kthehen me. Kryetari i opozites eshte pergjegjesi i fundit ne kete rast. Pak rendesi ka nqs kryetar opozite eshte piktori, komunisti i oreve te para apo ndonje tjeter. Eshte shteti dhe institucionet perkatese qe duhet te pergjigjen ne fillim. Kaq.

Submitted by Gani (not verified) on

<p>Falemnderit vajze per temen qe ke kapur dhe per menyren se si e ke analizuar. vertet ceshtja nuk fare e komplikuar. Ata qe heshtin sot per pikturat e vjedhura te Mios se madh&nbsp;jane vete&nbsp;hajdutet, trafikantet dhe snobet e artit!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.