Travaje Gjinore midis Biologjisë dhe Kondicionimit Social - Pjesa III

Biologjia apo Verbëria për të Dalluar Elefantin mes Nesh
"Edhe megjithatë – gratë për së mbari – më trëmbnin sespe tek e mbramja ato donin shpirtin tim, mirëpo ç’kish mbetur prej tij, unë doja ta mbaja për vete". - Charles Bukowski
Qasja e Klara Wieck Schumann ndaj karrierës dhe pasiguritë e saj në shekullin e 19-të s’janë aq të ndryshme nga qasjet femërore të shekullit 21-të. Studime të ndërmarra nga autorë të rëndësishëm në dekadat e fundit që e shohin problemin nga pikëpamja evolucionare, biologjike, historike dhe kulturore, evidentojnë se gratë pa dallim gjeografik e kulturor, krahasuar me burrat, priren (1) të kenë shkallë vetë-besimi (assertiveness and self-confidence) më të ulët, (2) të demonstrojnë shkallë dakordësie (agreeableness) më të lartë dhe (3) të përjetojnë më shumë emocione negative (negative emotions). Sipas neuropsikologut Jordan B. Peterson, ndoshta arsyeja se pse gratë janë më të prirura për të përjetuar emocione negative, dhe lidhur ngushtë me këtë, edhe për t’u prekur nga depresioni ka lidhje me evoluimin biologjik të njeriut dhe mund të shpjegohet me faktin se jeta historikisht ka paraqitur më shumë rreziqe për femrat, të cilat kanë fizik më të vogël e më të dobët se burrat (gjysma e sipërme e trupit femëror sidomos nuk është aq e përshtatshme për dyluftim sa e burrave). Mundësia për t’u sulmuar seksualisht është gjithashtu më e madhe për femrat, gjë që nëse ndodh ka kosto të rëndë psikologjikisht, fizikisht edhe praktikisht. Për më tepër, e në kontekstin e psiko-biologjisë evolucionare, do vënë në dukje këtu se emocionet negative nisin të shfaqen pikërisht gjatë periudhës së pubertetit, kur vajzat maturohen seksualisht e bëhen kështu target i synimeve ose “gjuetisë seksuale”. Prandaj ka arsye evolucionare që femrat të jenë më të ndjeshme ndaj rrezikut sesa meshkujt, sepse në fund të fundit mbi to rëndon shtatzania dhe barra për t’u kujdesur për të vegjëlit të cilët janë të brishtë, duan ushqyer e mbrojtur ndaj rreziqeve, ndërkohë që babai i tyre është i zënë duke shpërndarë genet në partnere të tjera. Sipas këtij arsyetimi gratë, pavarësisht kulturave ku përkasin, priren më shumë se burrat të vuajnë nga çrregullime anksioze dhe depresioni (për shkak të prirjes për të përjetuar më shumë emocionalitet negativ). Ndërsa burrat nga ana tjetër kanë më shumë gjasë të përfundojnë në burg (për shkak të shkallës më të lartë të asertivitetit ose vetë-besueshmërisë që lidhet me agresivitetin dhe prirjet për të ndërmarrë risk më shumë se gratë). Dua të tërheq vemendjen këtu se në Shqipëri, në bazë të raportimeve të mediave, ndër ata meshkuj që përfundojnë në burg, ose që akuzohen për gjithëfarë kundërvajtjesh e thyerjesh të ligjit, përfshirë krimet me armë zjarri, janë edhe djemtë (jo vajzat) e deputetëve dhe politikanëve – gjë që dëfton edhe se kur një mjedis social-kulturor helmatiset nga korrupsioni e degradon nga lakmia ai shpërthen dyert e normave shoqërore dhe civilizimit që mbajnë nën kontroll biologjinë e njeriut primitiv që i përmbush nevojat, dëshirat e lakmitë si çdo kafshë tjetër në xhungël.
Nga pikëpamja e karrierës dhe profesionit, këto tri karakteristika thelbësore që u sipërpërmendën bëjnë që gratë përgjithësisht e krahasimisht me burrat të mos preferojnë të angazhohen në veprimtari që kërkojnë ndërmarrje relativisht të lartë risku, vendim-marrje të shkallës së lartë, si dhe nivel të lartë përgjegjësie dhe stresi, të cilat kërkojnë stabilitet të lartë emocional. Në profesionet që janë veçanërisht stresuese dhe kompetitive gratë janë kështu në disavantazh psikologjik, edhepse mund të jenë po aq ose më të afta dhe të përgjegjshme se burrat. Në pozicione të nivelit të lartë ato priren ta vuajnë më shumë pasigurinë dhe ambiguitetin duke e patur kështu të vështirë të përballojnë trysninë prej burrave që në të tilla pozicione janë veçanërisht dominantë, agresivë dhe më relativisht më shumë rezistentë ndaj çrregullimeve anksioze. Të dhënat studimore tregojnë se burrat kanë shkallë më të lartë vetë-besimi, bien më pak dakord se gratë dhe janë më pak të prirur të përjetojnë emocione negative.
Të gjitha këto nuk duan të thonë se gratë janë intelektualisht inferiore ose më pak kreative se burrat. Gra të kalibrit të Margaret Thatcher-it ose Angela Merkel-it natyrisht që nuk kanë munguar e nuk do të mungojnë, ashtu sikurse mendje të mprehtësisë ekstreme si bie fjala ajo e Marie Sklodowska Cyrie-së, apo si e kozmologes dhe fizikantes Laura Mersini-Houghton (po, me origjinë shqiptare, nga anët tona!, që me tezat e saj kontroversiale të multiverse-it ose universeve fqinje dhe vrimave të zeza duket se ka krijuar pështjellim në komunitetin e sotëm botëror të fizikës teorike) ka patur e do të ketë ndër gra e vajza. Mirëpo - e tepërt të pohohet - se këto nuk mund të përfaqësojnë të shumtën e grave, madje bëjnë pjesë në një grusht fare të vogël mendjesh të rralla. Ne vërtet mund të nxisim sa të duam gratë the vajzat (edhe djemtë e burrat) të “ndjekin ëndrat”, të “besojnë se mund të arrijnë gjithshka, mjaft të kenë dëshirë” e të tjera si këto, mirëpo njerëzit (burrat dhe gratë) – me përjashtim të një pakice jo të zakonshme – përgjithësisht sillen në mënyrë të parashikueshme.
Në Norvegji, një nga vendet më afër kuotave 50%-50% të barazisë gjinore, pavarësisht politikave sociale e ndërhyrjeve vendim-marrëse, vihet re se në spitale 90% e infermiereve janë femra, ashtu sikurse në kompani me profil inxhinierik 90% janë meshkuj. Paradoksalisht, pikërisht në vendet skandinave të egalitetit social ka më pak gra që zgjedhin profesione teknike sesa në vendet me më pak barazi gjinore.
Ironikisht në regjimet totalitare dhe vendet më pak të zhvilluara, këto dallime nuk vihen re ose janë më pak të theksuara. Për shembull, lexuesit e brezit tim në fakt e kanë provuar 50%-50% së prapthi në konteskt totalitar, atëhere kur të drejtat e studimit dhe zgjedhja e profesionet ishin monopol i partisë. Gruaja, që në çdo familje punonte krahas burrit, ishte atëbotë “forcë e madhe”. Edhe besoj se përqindja e grave të punësuara në epokën e socializimit (aty ku kishte nevojë atdheu) ka qenë më e larta që do të jetë arritur ndonjëherë në Shqipëri. Ata që e jetuan rininë në atë epokë të eksperimentit socialist shqiptar (e kam fjalën për ata që s’kishin ndihmën e godfathers dhe qehajajve, sikurse ishin mjekët e mendjes e të zemrës në shërbim pronto të oborrtarëve “të bllokut”, trajnierët e shefat e kuadrit, shoferët e magazinierët në shërbim të kupolës politike – që kishin mundësi të shpërndanin bursa studimi e vende pune për pinjojtë e tyre si t’ua kishte ënda), atëhere kur shumica e shqiptarëve s’dinte çdo të thoshte “liri për të zgjedhur” e kur gratë sikurse ato të familjes time shkonin pa u pyetur, shpesh me lot në sy e praktikisht me detyrim në matematikë e fizikë (në një kohë kur zemra i kërkonte të studionin për gjuhë, letërsi e filozofi) do të më kuptojnë me siguri më mirë. Në mënyrë të ngjashme gratë në disa vende arabe dhe Indi punësohen në fushën e teknologjisë së informacionit. Kjo nuk do të thotë se e tyrja është zgjedhje e lirë. S’është e lirë. Është zgjedhje me pahir që imponohet nga tregu i punës dhe nevoja ekonomike për të mbijetuar.
Përse ndodh kështu?
Sa më i zhvilluar dhe egalitarian një vend, aq më të mëdha diferencat e shpërfaqura midis burrave dhe grave. Sikurse Matt Ridley e ka shpjeguar te “Geni i Zhdërvjellët” (2004) kur një shoqëri lulëzon dhe bëhet me egalitariane, diferencat me natyrë biologjike midis burrave dhe grave kanë më shumë hapësirë për t’u evidentuar dhe kësisoj hendeku midis burrave dhe grave sa i takon tipareve të personalitetit vjen duke u zgjeruar, jo duke u ngushtuar. Pra, sa më e lirë, moderne dhe egalitare një shoqëri, aq më pak gratë preferojnë profesione me profil të lartë teknik, si inxhinieri, shkenca ekzakte, teknologji informacioni, sepse aq më shumë shpërfaqen e marrin rëndësi faktorët biologjikë. Pra aq më pak të njejtë (unequal) na paraqiten burrat dhe gratë, sepse aq më të lirë janë për të zgjedhur dhe kultivuar interesat dhe prirjet e tyre të brendshme individuale. Diferencat, jo vetëm janë të mëdha e të rëndësishme por priren të jenë fundamentalisht persistente e kokëfortësisht të pandryshueshme në vendet e zhvilluara, ku ato kanë më shumë gjasa për t’u evidentuar.
Një aspekt i dallimeve me bazë evolucionare midis preferencave të ndryshme profesionale midis grave e burrave ka të bëjë me atë se gratë priren të pëlqejnë profesione të orientuara për nga marrëdhëniet njerëzore dhe socializimi ndërsa burrat prireren për nga profesionet e orientuara nga sendet, objektet e të menduarit sistemik. Kështu në një studim të 2010-s të udhëhequr nga Richard A. Lippa, California State University Fullerton, 200,000 individë nga 53 kombe u pyetën se ç’lloj pune dëshironin të bënin. Rezultatet treguan se, në të gjitha vendet, prej Azisë e deri në Skandinavi dhe Amerikë, pa dallim gjeografik, kuluror ose ekonomik midis burrave dhe grave ka një ndryshim të madh thelbësor: burrat priren për nga profesione të tilla si inxhinieri ose punë mekanike, të orientuara për nga objektet, ndërsa gratë priren për nga profesione që kanë në qendër marrëdhëniet me njerëzit. Përfundimet e këtij studimi sugjerojnë se ka faktorë biologjikë dhe evolucionarë që mund të kontribuojnë në diferencat gjinore të personalitetit dhe se kultura luan pak ose aspak rol në moderimin e tyre. Këto diferenca nuk mund të injorohen dhe s’mund të kontrollohen dot me kuota nga lart!
Duke e plotësuar edhe më këtë arsyetim, Anne Campbell, psikologe evolucionare në Durham University, thotë se evolucioni biologjik - që së pari ndikon në trurin e njeriut i cili pastaj orkestron ndryshimet fizike në sistemet riprodhuese dhe është përgjegjës për prodhimin e hormoneve dhe peptideve - ka bërë që gratë të kenë nivel më të lartë empatie (ngaqë duhet të kujdeseshin për të vegjëlit, t’i ushqenin e t’i mbronin nga rreziqet). Një gjë e tillë shpjegon pse gratë priren të zgjedhin më shumë profesione që kanë në qendër socializimin e marrëdhëniet me njerëzit të tilla si infermieri, mësuesi, punë sociale, aktrim, (vokacione të cilat përkojnë mirë me natyrën femërore për të komunikuar e shërbyer, për të demonstruar empati e kuptuar emocionet) dhe më pak profesione që kanë në qendër sende dhe objekte, siç janë shkencat e natyrës për shembull, të cilat tipikisht zgjidhen nga meshkujt (të cilët tradicionalisht i tërheqin lojrat me makina, sportet dhe video games).
Eksperimentet dhe studimet e Simon Baron-Cohen, (po, është kushëri i Sashës së Borat-it) një nga studiuesit më autoritarë të autizmit, profesor i psikiatrisë në Cambridge University, gjithashtu konvergjojnë me tezat e Anne Campbell. Eksperimentet e Baron-Cohen tregojnë se diferencat gjinore krijohen para lindjes, qysh në mitër dhe lidhen me nivelet e ndryshme të testosteronit, që ndikon në mënyrën sesi zhvillohet truri, tek foshnjet meshkuj dhe femra. Meshkujt prodhojnë dyfishin e testosteronit që prodhojnë vajzat. Në ekspermenin e tij bebet vetëm 24 orëshe, filmohen duke vështruar ose një objekt mekanik ose një fytyrë. Rezultatet tregojnë se meshkujt vështrojnë për një kohë më të gjatë objektet mekanike, ndërsa femrat shohin për një kohë më të gjatë fytyrat. Këtu ka rëndësi të vihet re se ndryshimet midis bebeve meshkuj dhe femra manifestohen – siç vihet re kthjellët - përpara se të fillojë kondicionimi kulturor, gjë që tregon se dallimet nuk kanë origjinë kulturore, por përcaktohen nga nivelet e ndryshme të testosteronit te bebet meshkuj dhe femra. Gjithashtu eksperimentet e Baron-Cohen, në bazë të matjeve të testosteronit në bark të nënës, dhe periodikisht gjatë jetës së fëmijes, tregojnë se sa më i lartë niveli i testosteronit te pre-natalët aq më i ngadaltë zhvillimi i aftësive gjuhësore dhe sociale te fëmija. Fëmijët me nivele më të larta të testosteronit kanë më pak empati dhe më shumë vështirësi në leximin e emocioneve te të tjerët. Nga ana tjetër kanë më shumë interes të merren me objektet, të mendojnë në mënyrë sistemike, e të kuptojnë si funksionojnë gjërat.
Të gjitha këto studime shpien në përfundimin se biologjia nuk mund të përjashtohet nga diskursi mbi gjinitë, duke e zbythur me një të rënë të lapsit, nën pretekstin se argumentet biologjike janë reduktive, disfatiste dhe arkaike në epokën tonë të emancipimit dhe inxhinierimit kulturor. Është e vërtetë se truri ynë ka plasticitet të lartë dhe sjellja njerëzore mund të shtrohet me anë të institucioneve dhe instrumenteve sociale, pa të cilat sot njeriu do të ishte një rival i ujkut në pyll ose tigrit në xhungël. Mjedisi social, vlerat, besimet dhe pritmëritë luajnë pa mëdyshje rol të rëndësishëm duke shkruar skriptin tonë identitar. Por nga ana tjetër, duam s’duam ne jemi të programuar edhe biologjikisht prej miliona e mijëra vitesh gjatë evolucionit të jetës së gjallë në tokë. Ndryshimi nëpërmjet kondicionimit social mbaron aty ku ndërhyrjet ndeshin në muret e faktorëve genetikë. Këto mure është mirë të njihen e të merren parasysh në përpjekje tona për ndryshim. Nëse kemi urtësinë për t’i kushtuar vemendje (më shumë sesa partive dhe propagandistëve që kanë nxjerrë kartën “e grave” nëpër fushata), ato mund të na rrëfejnë se në ç’masë e deri ku i kemi kufijtë për të ndryshuar shoqërinë.
Immanuel Kant pati thënë dikur: “Konceptet pa percepte janë të zbrazëta, por perceptet pa koncepte janë të verbëra.” Kjo do të thotë se shkenca pa një sistem besimesh/aksiomash është e zbrazët, por një sistem vlerash e besimesh pa shkencën është i verbër. Duke e çuar më tej këtë arsyetim: në diskurset si ai i barazisë gjinore, nëse ndryshimin e shoqërisë e konsiderojmë tërësisht në funksion të kondicionimit social-kulturor, pa futur në fushë të vështrimit e arsyetimit faktorët me origjinë biologjike, genetike dhe evolucionare do të thotë të ecësh qorrazi. Njësoj i dëmshëm do të ishte edhe pozicionimi prej llogores se biologjisë deterministe. Vendim-marrja e përgjegjshme lyp mirë-informim që bazohet në dije të evidentuar që merr parasysh ndër-veprimin e biologjisë dhe kondicionimit social.
Referenca:
· Lippa, Richard A. (2010) Sex Differences in Personality Traits and Gender-Related Occupational Preferences across 53 Nations: Testing Evolutionary and Social-Environmental, Archives of Sexual Behavior http://www.researchgate.net/publication/23179757_Sex_Differences_in_Personality_Traits_and_Gender-Related_Occupational_Preferences_across_53_Nations_Testing_Evolutionary_and_Social-Environmental_Theories
· Ridley, Matt - The Agile Gene: How Nature Turns on Nurture, Harper Perennial; Reprint edition (July 6, 2004)
· Brainwash: The Gender Equality Paradox, https://www.youtube.com/watch?v=tiJVJ5QRRUE
Comments
"Është e vërtetë se truri ynë
"Është e vërtetë se truri ynë ka plasticitet të lartë dhe sjellja njerëzore mund të shtrohet me anë të institucioneve dhe instrumenteve sociale, pa të cilat sot njeriu do të ishte një rival i ujkut në pyll ose tigrit në xhungël. Mjedisi social, vlerat, besimet dhe pritmëritë luajnë pa mëdyshje rol të rëndësishëm duke shkruar skriptin tonë identitar. Por nga ana tjetër, duam s’duam ne jemi të programuar edhe biologjikisht prej miliona e mijëra vitesh gjatë evolucionit të jetës së gjallë në tokë. Ndryshimi nëpërmjet kondicionimit social mbaron aty ku ndërhyrjet ndeshin në muret e faktorëve genetikë. Këto mure është mirë të njihen e të merren parasysh në përpjekje tona për ndryshim. Nëse kemi urtësinë për t’i kushtuar vemendje (më shumë sesa partive dhe propagandistëve që kanë nxjerrë kartën “e grave” nëpër fushata), ato mund të na rrëfejnë se në ç’masë e deri ku i kemi kufijtë për të ndryshuar shoqërinë" - thote autorja, duke sintetizuar idete thelbesore qe shtjellon apo kunderve. Do doja t'i kujtoj asaj se sjellja njerezore nuk eshte produkt dinamik vetem ose kryesisht i ndikimit te institucioneve (mjedisit social, perndryshe) dhe i trashegimise, por, me se pari, i praktikes individuale-shoqerore, tek e cila dhe permes te ciles materializon potencialin biologjik qe bart e zhvillon ne raport dialektik me ndikimin e shoqwrise dhe gjithe sa nxe e zbaton/ushtron ne praktike. Eshte kjo e fundit faktori thelbesor qe vulos ndikimin e dy faktoreve te siperpermendur, te cilet, sigurisht, qe nuk jane te vetemit qe ndikojne sjelljen dhe arritjet e femrave/meshkujve ne jete.
Add new comment