Travaje Gjinore midis Biologjisë dhe Kondicionimit Social - Pjesa I

50% - 50% apo Mundësi të Barabarta?
"Të privuar nga puna kuptimplote, burrat dhe gratë humbasin arsyen e ekzistencës; dalin mendsh krejt". - Fjodor Dostojevski
Në fillim të prillit, në prag zgjedhjesh lokale, mediat njoftuan se Kuvendi i Shqipërisë miratoi kërkesën e Aleancës së Grave Deputete për të rritur përfaqësimin femëror (shih këtu). Synimi i deputeteve pavarësisht përkatësisë politike (mirëkuptuar nga djemtë e parlamentit dhe bekuar nga shefat europianë) është përfaqësimi barabar: 50% burra, 50% gra. E kuptoj motivimin dhe e çmoj fisnikërinë e dëshirës, sidomos në kontekstin e një shoqërie me profil patriarkal si Shqipëria. Por, edhepse përpiqem të informohem për gjendjen e rolin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe besoj se sidomos në rrafshin e dhunës në familje dhe pavarësisë ekonomike ka shumëçka për të bërë, kuotën detyruese të përfaqësimit sidomos në këtë masë e gjej të ekzagjëruar -- ashtu siç e gjej njëlloj të sforcuar e jo bindëse edhe për vende më të zhvilluara se Shqipëria. Me këtë nuk dua të them se gratë vlejnë më pak se burrat, as se janë më inferiore parë nga cilido rrafsh krahasimi – përkundrazi! Dua të them se diversiteti dhe gjithëpërfshirja ka vlerë të madhe të synohet e të kërkohet, jo si përfaqësim ngjyrash, racash, besimesh, etnish e gjinish – por kryesëpari si diversitet në tregun e lirë të mendimeve, ideve, dhe propozimeve në mënyrë që asnjë mendim, ide e propozim që mund të sjellë ndryshimin e dëshiruar për gjithë shoqërinë të mos përjashtohet a humbasë pa u dëgjuar. Me fjalë të tjera në një tryezë vendim-marrëse janë propozimet për të zgjidhur problemet ato që garojnë, jo gjinia, ngjyra, raca dhe besimi. Çka është themelore e lipset të jetë e garantuar për të gjitha palët së bashku, posaçërisht për gruan në kontekstin e këtij shkrimi, është mundësia e barabartë për të konkurruar për një vend në tryezë, në bazë të cilësisë së propozimit.
Përndryshe gruaja s’është më pak e denjë se burri për t’u angazhuar në jetën politike e vendim-marrëse të të gjitha sferave. Në fakt gratë po e tregojnë veten gjithnjë e më të zonjat për nga niveli i edukimit, interesi dhe përpjekjet për aftësim profesional, duke lënë pas burrat, gjë që dëshmohet edhe nga statistikat e ndjekjes me sukses të shkollave të mesme e të larta. Aq e vërtetë është kjo, sa në vendet perëndimore ka vite që bien, në mos gjëmojnë, këmbana alarmi për mbetjen mbrapa të seksit mashkullor, sidomos në radhët e shtresës së “jakave të kaltra” (llogaritur në rreth 25-30% e meshkujve) ku rreziqet për papunësi, ostracizëm e izolim shoqëror, sëmundje mendore, alkoolizëm, veprimtari kriminale e dhunë shkojnë sup më sup me mundësitë gjithnjë e në ulje për të gjetur partnere seksuale femra (sepse a ka më keq në sytë e një femre sesa një mashkull i dështuar?), të cilat priren të jenë jo vetëm më të edukuara por edhe të kërkojnë partnerë sa më lart hierarkisë së statusit shoqëror dhe profesional. Përfundimi? Shumë gra me stekë të lartë standardesh në zgjedhjen e partnerit seksual, dhe pak burra “që i plotësojnë kriteret” e që kësisoj kanë avantazhin e zgjedhjes, gjë që i bën këta të preferojnë peshkimin në pellgun e kandidateve “më të kualifikuara” për t’ua përhapur genet – të bukura të hajthme e të shkathta - mundësisht nën 25 vjeç. Një situatë e tillë s’ka si të mos e bëjë kështu perspektivën për të krijuar familje e lindur fëmijë për gratë 30 vjeç e lart gjithnjë e më të vështirë për t’iu qasur. Pra, në thelb, barazia gjinore kërkohet të arrihet në katet e larta të hierarkisë ende të dominuar nga meshkujt (që është edhe territori i pushtetit e privilegjit), sepse në katet e poshtme s’ka për ç’betejë të luftohet – burrat kanë mbetur tashmë prapa.
Në rastin e Shqipërisë pellgu i preferuar fëmëror duket se idealisht popullohet nga vajza ekrani, modele, këngëtare a kërcimtare, të cilat si bonus, ndjekin edhe studime, si p.sh., (vendos vetë emra që njeh këtu) që studion filozofi, drejton biznes, shet sandale e kuleta firmato, del në Instagram me bikini, bën Selfie “puç”, shkruan alta moda në blogje dhe del në panele televizive prime për të dhënë opinion.
Pavarësisht suksesit mbresëlënës në edukim, dihet se përfaqësimi i grave në nivele të larta drejtimi e vendim-marrje është i ulët krahasuar me burrat pothuaj kudo, me ca përjashtime në vendet skandinave e gjetiu tjetër. Përgjithësisht prania e grave si në bordet korporative ashtu edhe në poste të larta qeveritare në Amerikën Veriore, vërtitet tek +/- 30%. Gratë në të tilla role drejtuese shpesh janë të pamartuara, të divorcuara ose pa fëmijë. Kohët e fundit qëlloi që ndoqa tri intervista me gra të tilla. Njëra prej tyre, me finesë Europiane e aksent italian në anglishten e shtruar, ish-drejtuese ekzekutive e një prej pesë bankave më të mëdha të Kanadasë, tha se me stilin e jetës dhe të punës ndër udhëtime, martesën nuk e kish konsideruar të përshtatshme. Një grua tjetër me natyrë sportive e zë që gurgullonte entuziazëm, presidente e një kompanie të madhe orendish shtëpiake, ishte e divorcuar dhe pa fëmijë. E treta, futur në kostum gri prej burri e fizionomi prej akulli, partnere në një firmë ligjore në qendër të Torontos, tha shkurt se kish zgjedhur të mos martohej. Të trija, veç e veç nga njera-tjetra, çuditërisht shqiptuan të njejtën klishe (disi në kontradiktë me përvojën jetësore që rrëfyen): “Po, është plotësisht e mundshme për një grua të ketë edhe karrierë të suksesshme edhe jetë personale e familjare të mirë-plotësuar!” Dihet se karrierat ekzekutive qoftë në biznes a firma ligjore në Amerikën Veriore hanë jo më pak se 70-80 orë në javë. Ku vallë të gjendet koha për një grua me karrierë të tillë t’i bëjë të gjitha: të martohet, të lindë fëmijë e të ruajë një strukturë të shëndetshme familjare, pa përmendur se është në thelbin identitar të gruas të dëshirojë të mbetet për vete e të tjerët tërheqëse, e dashur dhe e pëlqyeshme? (Përndryshe, në majë të korporatave ka shumë nga ato që etiketohen bitch, por që s’kanë as simpatinë e burrave as të grave.) Shumë gra, ndryshe nga burrat, nuk i eksitojnë karrierat që lypin 80 orë në javë robëtim, sado të paguara qofshin. Por, ama, një burrë me të tillë karrierë, shumë gra i eksiton!
Sa i takon përqindjes së grave që zgjedhin të studiojnë ose bëjnë karrierë në degët STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri (engineering), Matematikë), kjo shpesh nuk shkon më lart se +/- 10% -- madje pikërisht në vendet më të zhvilluara të planetit, ku burrat dhe gratë kanë mundësi më shumë se kudo në botë të zgjedhin shkollimin, profesionin dhe mënyrat e tyre të kontributit në shoqëri në përshtatje me prirjet dhe interesat personale. Ka kohë që shifrat e ulta të përfaqësimit të grave në poste drejuese dhe në degët STEM të dijes gjenden në qendër të debateve publike, në shumë vende, për të mos përmendur programet e kudogjendura universitare “Gender and Women Studies” (studime femërore dhe gjinore) që s’i lëshojnë ndonjëherë nga radarët e tyre. Disa i shqetësojnë në mos indinjojnë shifra të tilla. Të tjerë rreken t’i interpretojnë, të hartojnë plane e implementojnë teknika për t’i zbutur diferencat ose të motivojnë ndryshime me libra të propagandës korporative të tipit Lean In të Sheryl Sandberg (që në shqip është përkthyer me titullin “Të Bëjmë Përpara”, që mua më kujton kohën e fjalimeve, të cilat më duhej t’i konspektoja e diskutoja dikur në shkollë). Mirëpo shifrat kokëfortësisht nuk po duan të luajnë vendit, madje as edhe në vendet nordike kampionë të barazisë sociale. Të bëjnë të sjellësh në mend raste si ai i Larry Summers, ish-president i Universitetit të Harvardit, i cili një dekadë më parë u bë tabelë qitjeje e ideologjisë dhe korrektesës politike – shtupa në grykë të shkencës dhe opinionit jo-konformist – ngaqë kuturisi të shprehet se ndoshta arsyeja pse ka kaq pak gra në pozicione të larta në matematikë, fizikë dhe inxhinieri mund të lidhet me shkaqe biologjike (të lindura). Opinione të tilla, fatkeqësisht përkthehen pa u thelluar në formën “gratë kanë më pak mend se burrat, prandaj nuk i zgjedhin këto degë”, pa përmendur se “biologjia ” vijon të jetë fjalë taboo ose elefant që pak kush e dallon në odë të përsiatjeve.
Unë nuk dua ta vështroj problemin gra vs burra në mënyrën tipike e të mërzitshme, si diskriminim, pengim e mëtim historik overt ose covert i palës mashkullore për të mbajtur zap palën femërore. S’më bind fort teza ankimtare “e vuajtjes dhe e shtypjes femërore nën zgjedhën mashkullore”, veçanërisht në vendet e zhvilluara. Përndryshe e mira do të ishte që gratë që qahen prej kanapesë së mirëqenies e të lirisë në shoqëritë perëndimore të bëjnë diçka për gruan në Indi e cila jeton me rrezikun real të dhunimit e përdhunimit, ose për gruan në Irak përdhunimin e së cilës e lejon ligji, ose për vajzat e vogla në Afrikë që përjetojnë mutilimin gjenital. Ashtu sikurse do të ishte mirë që edhe graria e emancipuar e parlamentit e studiove pompoze televizive shqiptare të bënte diçka për të përmirësuar jetën e gruas shqiptare të varfërisë rurale e getove urbane, që dhunohet prej burrit, të cilit si në tru edhe në trup s’i ka mbetur më shumë se arma e testosteronit brenda një familjeje të dëshpëruar pa mundësi ekonomike, punësimi, shkollimi dhe shërbimi mjekësor. A mos vallë zgjidhja e kësaj situate në Shqipëri bëhet me “më shumë gra në bashki e parlament” e patronizim të gruas, a thua se kjo është fëmijë që s’ka as mend e as vullnet personal? Apo me pretendimin se gruaja na qenka më e mirë, më e zonja e më pak e korruptueshme se burri, e prandaj o burra më shumë gra në krye, a thua se, integriteti, profili moral dhe kapaciteti njerëzor për të zgjedhur të mirën nga e keqja varet nga gjinia? Propozimi pompoz 50-50%, i kopjuar dhe bekuar nga jashtë, nuk më duket se ndihmon fort. Përkundrazi, ndihmon më fort makiavelët e politikës dhe planet e tyre për pushtet.
Çka më nxit veçanërisht kureshtjen është një qasje tjetër: në këtë epokë zhvillimi ekonomik, teknologjik e kulturor që ofron mundësi informimi, edukimi dhe emancipimi si kurrë ndonjëherë për të dyja gjinitë, madje ç’është më e rëndësishmja – ofron shanset e barabarta - a dëshirojnë gratë, a janë gati dhe sa interes kanë për të zgjedhur profesione të tipit STEM ose për të marrë në dorë role të kateve të larta në kullën e pushtetit e të vendim-marrjes, role të cilat vetiu sjellin me vete jo vetëm mundësitë për sukses e privilegje, por edhe rreziqet e dështimit dhe koston që lypin përpjekjet për t’ia dalë mbanë pa ndyer profilin etik dhe krisur shëndetin psiqik? Ka pasë e me siguri ka e do të ketë gra që dëshirojnë e ndihen të gatshme për t’iu dalë punëve në krye -- sikurse do të jenë për shembull, Keti Bazhdari, Voltana Ademi apo Grida Duma, me ç’lexoj në media -- por druaj se janë më pak nga pretendimi 50-50%, në Shqipëri po se po, por edhe në vendet më të zhvilluara perëndimore. Dhe nëse – në kushtet e mundësve të barabarta - janë më pak se 50%, a është kjo domosdoshmërisht një gjë jo e mirë të cilën shoqëria duhet të përpiqet ta korrigjojë arbitrarisht me çdo kusht?
Referenca:
• Alkon, A. (May 15, 2015) Science Says ‘Lean In’ Is Filled With Flawed Advice, Likely to Hurt Women, Observer/Opinion,
• Erebara, Gj. Këshillat bashkiake, 50 për qind do të përbëhen nga gra, 3 prill, 2015, Reporter.al
• Hemel, Daniel J. Summers' Comments on Women and Science Draw Ire - Remarks at private conference stir criticism, media frenzy, Jan. 14, 2005, The Harvard Crimson
Comments
Grate qe bejne burrin, mbase
Grate qe bejne burrin, mbase jane merzitur se qeni gra.
Burrat qe duan te rrethohen prej grave, mbase i mendojne tere problemet, si seksuale.
Te dy variantet dalin kunder natyres,pra deshtojne.
Le t'i lejojme femrat dhe meshkujt te bejne Vetet e tyre.
Add new comment