Reflektimi holandez

Postuar në 17 Dhjetor, 2013 09:02
Alqi Koçiko

Nëse e marrim apo jo statusin e vendit kandidat, këtë do ta vendosin kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së pasi parlamenti i Bashkimit ndezi dritën jeshile. Vendimi duhet të jetë unanim. Holanda e paralajmëroi qëndrimin e saj se statusi për Shqipërinë i duket i nxituar, ndaj është e udhës që BE-ja të presë deri në 2014-ën (aty nga qershori), që të bindet plotësisht se jemi jo vetëm në rrugën e duhur, por se “reformat” po japin rezultate. Gjithsesi mbetet të presim javën e ardhshme, por ama ky frenim holandez (dhe ndonjë vend tjetër) na bën të reflektojmë për ca gjëra.

Kështu, zbulojmë se zor që të kenë qenë “tre ligjet” e shumëpërfolura, çelësi magjik që na hapte derën e statusit. Ndonjë fantazist mund të shkojë deri aty sa të thotë se tek holandezët mund të ketë ndikuar kreu i ri i opozitës (meqë flet hollandisht se ka bërë shkollën andejpari) për këtë qëndrim, por kjo bie poshtë nga vetë ngjyra e prononcimit të ministrit të Jashtëm holandez Timermans: “Qeveria e re është në rrugë të mbarë”, çka domethënë se ndryshimet që priste Brukseli vetëm sa kanë filluar. Dhe Europa dëshiron të bindet se antikorrupsioni, shteti ligjor, llogaridhënia etj, nuk janë vetëm fasadë, siç disa vëzhgues besojnë se po bën qeveria Rama këtë fillim mandati.

Dhe ne, operacionet e fasadës i kemi kthyer në specialitet prej kohësh. Mjaft të përmendim nxitimin e kryeministrit të shkuar për t’u rreshtuar pro martesave të të njëjtit seks, për të qenë në ballë të Europës. Mirëpo ja që Kroacia, anëtare e BE-së, me referendum u shpreh kundër këtyre martesave dhe nuk duket ta përjashtojnë nga unioni. Për akte të tilla pa shumë mundime, jemi të parët, por Brukseli nuk gënjehet kollaj. Dikush mund të japë kundër-shembuj, si rasti i Serbisë që është mbajtur goxha me hatër nga Bashkimi Europian deri tani. Është e vërtetë që integrimi i Serbisë ishte gjest politik, por nga ana tjetër, megjithë kusuret, ky vend është më përpara nesh në shumë pikëpamje. E nga ana tjetër, le të mos gënjejmë veten: Edhe statusi kandidat për Shqipërinë ka për të qenë një gjest politik. Integrimi europian i rajonit tonë nevralgjik është e vetmja rrugë që ky i fundit të mos mbetet një xhep trazirash në derë të BE-së. Ama, nëse për disa parametra si zhvillimi ekonomik e teknologjik, mishmashi me pronat etj, mund të ketë ndonjë lëshim, nuk mund të ketë të tilla në çështje kyçe, ku ndëshkimi i korrupsionit zë vendin e parë. Procesi i anëtarësimit nuk është si konkurset e talenteve të reja të këngës, ku të përzgjedhin për fazën e parë edhe pse ke kënduar mirë vetëm për dy minuta.

Ndërkaq, le ta themi hapur: Ne nuk jemi kurrkund gati. Përderisa rregullisht këto vitet e fundit, kanë qenë të shpeshta rastet kur na janë djegur fonde të gatshme nga BE-ja dhe donatorë të tjerë vetëm se s’ishim në gjendje të hartonim projekte bindëse, atëherë është e qartë që nuk kemi burimet e trajnuara e të mjaftueshme njerëzore për ta menaxhuar procesin. Edhe kur marrim fonde, i bëjmë tym si milionat e eurove për romët; deri tani, transparenca me paratë publike ka qenë qesharake, megjithë termat elektronike me e- përpara që i përdorim qesim, si e-qeverisja dhe e-parlamenti. Si për ëmbëlsirë, zbulojmë se fjala vjen, të dhënat e tatim-taksave janë fshirë si pa të keq nga serverët.

Le të mos harrojmë edhe tjetrën: Mënyrën se si do shkojmë në BE. Aktualisht, Bashkimi që mezi po mbledh veten nga kriza, përbëhet nga një mori vendesh të mëdha e të vogla, dukshëm të shtresëzuara. Vendet e shpejtësisë së parë, me Gjermaninë në krye, janë ato që përpiqen ta mbajnë drejt anijen e unionit. Pastaj shpejtësia e dytë, si për shembull Polonia, e në fund vendet e shpejtësisë së tretë, ku përveç atyre në krizë si Greqia e më pak Portugalia e Spanja, janë edhe anëtaret ballkanike si Bullgaria e Rumania. Po Shqipëria, në cilin grup do bëjë pjesë? Me gjasë, do inaugurojmë një shpejtësi të re.

Sigurisht, është për t’u lëvduar fushata e ministrave tanë për të bindur vendet skeptike. Nuk do mend se statusi do t’i bënte shumë punë qeverisë në aspektin politik, por jo se më intereson shumë kjo pikë. Besoj se Shqipëria kandidate për në BE, pa lënë mënjanë edhe përfitimet financiare, me gjasë do të ngjallë një shpresë të re tek njerëzit, një besim se ky vend mund të përparojë megjithë shtrembërimet dhe taksiratet. Se mund të dalë nga qerthulli i valles me dy hapa para dhe tre pas, me pak ndihmë dhe mbështetje nga partnerët. Mbase diçka ndryshon deri javën tjetër, por fakti është që BE-ja kërkon besueshmëri. Shumë thjesht: Ato që keni shpallur se do t’i bëni, dhe që sapo keni nisur t’i bëni, duhet të vazhdoni t’i bëni.   

 

revista Klan

Comments

Submitted by Astrit (not verified) on

<p>Kendveshtrimi i ketij artikulli eshte plotesisht i drejte.&nbsp;Per disa nga konkluzionet edhe mund te debatohet.</p><p>Per shembull a eshte gati Shqiperia per ne BE. Jo, kurren e kurres nuk jemi ne rangun e vendeve anetare te vjetra, qofshin keto edhe te dores se dyte ne BE. Por te mos harrojme se integrimi ne BE eshte nje gare dhe ku aktualisht Shqiperia gjendet ne fund te rradhes. Dhe rradha ka rendesi te madhe. Vendet anetare kane te drejten e tyre ti bejne favore rasteve te vecanta, por kjo nuk i ben ata me immune ndaj kritikes se me Shqiperine kane qene vecanerisht te ashper dhe te padrejte.</p><p>Nuk dua te jem bajat dhe te fsheh te metat e vendit tim te origjines pas argumentave te kota se korrupsioni ner shqipetare nuk eshte me i keq se ne vendet e tjera te rajonit (ne fakt ne te njejtin nivel eshte). Por dua te them se pavaresisht te metave me thes qe kemi si komb, vendet fqinje kane avantazh se ne luften ndaj korrupsionit kane perkrahjen e hapur morale te BE qe u ka hapur dyert. Dmth eshte nje mbeshtetje morale dhe materiale ne luften kunder korrupsionit apo krimit te rruges. Kjo lloj perkrahjeje nuk eshte pak. Vende me hajdutlleq qeveritar te klasit te pare si Mali i Zi, i ofrojne opinionit te tyre publik nje aresye me shume qe te jene aktive ne luften ndaj kesaj te keqeje. Shqiperise i duhet qe ket ta beje plotessiht me forcat e saj. Dakord, pergjegjesi e shqiptareve jane - por te tjeret kane me shume ndihme se ne.</p><p>Nje aresye qe nuk permendet sa duhet perse Shqiperia eshte lene ne bisht te listave Europiane eshte kjo: Bahkimi Europian eshte i lodhur nga njekrize e gjate ekonomike, po perballon traumat e levizjeve masive te popllsise brenda vendeve dhe sidomos ate te levizjeve masive te fukarenjve zhurmemedhenj e te dalldisur nga Lindja drejt Perendimit. Opinionet e tyre publike kerkojne ndalimin e procesist te inegrimit europian - nderkohe qe aresyet gjeopolitike kerkojne qe ky proces te vazhdoje. Me vende te medha dhe qe kane provuar se bejne hatane si Serbia nuk mund te luhet. Ta lesh Serbine jashte sot dmth te afrosh Rusine ne kufijte e tu neser. Pra vendeve te tilla pa peshe si Shqiperia e Kosova u jepet vlera e qetesuesit te opinoneve domestike. Here pas here nje refuzim u ben mire dhe u jep qeverive te ketyre vendeve nje aresye per tu shfajesuar para elektorateve te tyre se dyert e BE nuk jane shqyer por po hapen me kujdes... Nuk eshte fare koincidence qe vendet te cilat behen pengese per integrimin europian jane ato qe kane me shume probleme me immigracionin masiv dhe tensionet sociale qe e shoqerojne ate: Holanda, Gjermania, Britania dhe Franca kane ne keto momente debate te forta ne lidhje me politikat migratore.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.