Kohë të leshta

Postuar në 07 Gusht, 2013 04:17
Halil Matoshi

Këtë titull po e vë pa thonjëza, e kam huazuar nga një libër poetik që është djegur më 1981 në Beograd, për ta krijuar një analogji me këtë mjedisin tonë trishtueshëm të kontaminuar e të frikshëm. Në këtë marrëzi, madje dikush çohet e propozon ligj për mbrojtjen e figurave kombëtare: “Ligj për mbrojtjen e veprës së shokut Skënderbe!” Prandaj digjni librat e Schmitt-it e Lubonjës, por edhe të tjerëve që e respektojnë lirinë e mendimit, nëse doni të jetoni më mirë!

Në shkrimin pararendës thashë se mes asaj që flasin për tjetrin të tjerët disa tipa (të veshur me pushtet partiak ose shtetëror) në këtë mjedis të degraduar shoqëror dhe dhomave të gazit nuk ka dallim duke e pasur parasysh terrorizmin gjuhësor që i shquante.

Nuk shkruaj për protagonizëm sepse nuk jam në kurrfarë gare për pushtet.

Porse, po shihet sheshit, se elita aktuale kulturore dhe politike kosovare i frikësohet debatit dhe i druan pushtetit të dijes. Prandaj një palë preferojnë heshtjen, e pala tjetër gjuan me topuzë e mjete primitive të luftës, duke damkosur ata që shprehin një mendim të tyre të lirë si tradhtarë.

Damka ishte mjet lufte i Enver Hoxhës.

Damkosja e kundërshtarëve politikë i shërbeu atij për ta mbajtur pushtetin për gati gjysmë shekulli. Damkosi shqiptarë të mirë, madje edhe rilindës, që nga Midhat Frashëri e Faik Konica, nga Atë Fishta (eshtrat e të cilit i hodhi në Drin), Sejfulla Maleshova e Mitrush Kuteli. E sot elita politike kosovare po ecën gjurmëve të tij, duke shpallur tradhtarë nga të dëgjojë zëra disonantë dhe nga të hetojë disidencë e mendim ndryshe. Ajo që ndodhi me Fatos Lubonjën është e vonë, njëjtë pati ndodhur me Veton Surroin menjëherë pas luftës, kur në ditët e para pas çlirimit alarmoi për këmishëzinjtë; njëjtë po veprohet ndaj Idrizit dhe secilit që ka një mendim jokolektivist, të lirë dhe jokonfomist.

Pra, në këtë Kotevën tonë s’ka tregime të reja!

Në debatin Lubonja dhe të tjerët u përdorën fjalët si “bir bushtre”, “sakatë”, “me të meta psiko-fizike”, “monstër” etj.

Dhe disa kronistë përballë këtij terrori verbal e sugjerojnë heshtjen.

A do të sugjerojnë heshtjen edhe pas “natës së xhamave të thyer”?

Mbase sërish dikush do të thërrasë në pajtim, për hir të Kosovës dhe vlerave të saj.

Po ai, të cilit i janë shkatërruar dinjiteti dhe integriteti, ose që mund ta kenë vrarë, si kundërshtar i supozuar politik, pra si “armik i popullit”, ai si të ngrihet nga varri ose

humnera për t’ua shtrirë dorën e për t’i falur ata që e shtynë!?

Pikërisht një luftë nis me fjalët, sepse ato janë më të rrezikshme se bomba bërthamore, jetojnë gjatë dhe helmojnë shumë breza.

Luftërat e viteve ’90 të regjimit fashist serb kanë nisur në RTV të Serbisë e jo në Borovo-Selo afër Plitvicës ose në Sarajevë e Prishtinë.

Para se t’i shpinin në dhomat e gazit mijëra e miliona hebrenj, SS-të (nën prijësin famëkeq Goebels) hapën fjalë raciste për hebrenjtë, një nder to, stereotipin për “hebrenjtë hundëmëdhenj” si “racë inferiore”, pastaj nisi “pogromi” – nata e kristaltë.

Kristallnacht (gjermanisht), është emri i koduar për atë që njihet si “Nata e xhamave të thyer”, apo “Natës së kristaltë” që ishte një pogrom (një seri sulmesh të koordinuara) kundër hebrenjve në tërë Gjermaninë naziste dhe pjesë të Austrisë më 9 dhe 10 nëntor 1938, kryer nga paramilitarët dhe civilët. Autoritetet gjermane vetëm shikonin pa ndërhyrë. Sulmet kishin lënë rrugët e mbuluara me xhama të thyer nga dritaret e shtëpive, dyqaneve në pronësi të hebrenjve, si dhe sinagogat. Së paku 91 hebrenj u vranë në sulme dhe 30.000 ishin arrestuar dhe burgosur në kampet e përqendrimit. Shtëpitë hebraike, spitalet dhe shkollat u plaçkitën, pasi sulmuesit demoluan ndërtesat me “sledgehammers” (çekanë farkëtarësh). Mbi 1000 sinagoga u dogjën (95 vetëm në Vjenë) dhe mbi 7000 biznese hebraike u shkatërruan tërësisht ose u dëmtuan.

Megjithëse antropologët si Luschan erdhën në përfundim empirik se fiksimi i hundës  nuk është aspak karakteristikë e semitëve.

Pra ky studim ishte një dëshpërim i madh për ata që hundën hebraike e vrojtonin si një indeks të rëndësishëm racor (Topinard, Bertillon, Deniker, etj).

Hundët e tyre, si rregull - thotë Luschan - janë të shkurtra dhe të drejta, shpesh nuk bien në sy ose janë konike...

Ndërsa në shoqërinë kosovare doli dikush që dëshiron ta përligj racizmin për tjetrin si sakat, monster e më të meta psikofizike, madje ta shquaj këtë racizëm monstruoz si armë për të mbrojtur vlerat e Kosovës, duke dashur madje që nga kjo të krijojë “besim popullor”, sepse vjen nga mendja dhe lapsi i një çlirimtari, një doktori të historisë, një zyrtari qeveritar, pra nga akëcili që është i veshur me pushtet!?

Pas debatit të fundit për “kombin skizofrenik” (term i Lubonjës), për racizmin, fashizmin dhe frikën për të dëshmuar për të ligen, (krimin) doli mes nesh edhe një ide “epokale” që e përmbledh tërë këtë egërsi totalitariste: Patriotët duan një ligj për mbrojtjen e veprës së figurave kombëtare si Skënderbeu e Ibrahim Rugova, Nana Tereze e Adem Jashari, Enver Hoxha e Adem Demaçi, Sali Berisha e Hashim Thaçi etj.

Sikur në ditët më të palavdishme e më shtypëse të komunizmit stalinist, atij enverist dhe titist, në debatet shoqërore në Kosovë, ka ndërhyrë frika.

Ashiqare, frika i ka heshtur shumicën dërrmuese të atyre që dinë dhe i ka përndezë shumicën dërmuese të injorantëve të turmave.

Tash racistë të katër anëve më janë vërsulur pse kisha vënë në titull gjetjet e një Instituti prestigjioz ndërkombëtar për shkallën e lartë të racizmit tek shqiptarët. Kush do të bëhet racional le të klikojë p.sh. në këtë vegëz: http://www.gazetatema.net/web/2013/05/16/sondazhi-shqiperia-...

Mendimi kolektiv, kombëtar apo fetar, buron nga frika prej tjetrit/tjerëve pra na thotë të bëhemi tubë (të crezistojmë si turmë, kolektivitet) dhe kjo rëndom shpie në dhunë…

Qe besa, pak kujt i kujtohet sot përmbledhja me poezi “Kohë të leshta” e autorit serb Gojko Djogo, e botuar në prill të vitit 1981 në edicionin e “poezisë bashkëkohore” të “Prosvetas” beogradase. Pa kaluar as një muaj prej se ishte shfaqur në librari libri ishte djegur. Poeti së pari ishte dënuar në Gjykatë e Qarkut të Beogradit, me dy vjet burg për “propagandë armiqësore”. Me gjykimin e dytë të Gjykatës Supreme të Serbisë, poeti ishte dënuar me një vit burg për shkak të lëndimit të imazhit të RFSJ-së dhe përfundimisht, Gjykata federale ia kishte vërtetuar dënimin me një vit burg.

Motivacioni i dënimit: aludimi se në Jugosllavi nuk ka demokraci e liri shprehjeje, përkatësisht përdhosja e jetës dhe veprës së shokut Tito.

Në fazën e parë, akuzat e prokurorëve të shtetit dhe dëshmitarëve, që vijnë vargevi, me i hy në qejf regjimit përmbajnë fjalët: “asociacione fatale”, “fyerje”, “asociacione direkte”, “analogji”, “aludime”, “aludime të vrazhda pamfletiste për simbolet e fryteve të revolucionit”, “aludime të shëmtuara në disa simbole të revolucionit tonë” etj.

Dhe vjen faza e dytë, kur dalin në skenë “të urtët”, si një shkrimtar i njohur serb Miodrag Bulatović, i cili do të fliste: “… do të duhej që Gojka Djogon dikush ta thërriste që të bëhej përpjekje që nga ai të merrej ndonjë apologji, ose pishmanllëk. Nëse ai e kupton se ato poezi të tij, rreth dhjetë, janë budallallëqe, kurse të tjerat jo (…) kjo do të pranohej dhe do të përshëndetej nga qytetaria.

Bash sikur rasti i kryekuvendarit kosovar dhe doktor i historisë, që në një mënyrë kërkon apologji nga ata që guxojnë të thënë atë që e mendojnë.

Dhe në fund, natyrisht se vjen vlerësimi real, në rastin e poetit serb për  një “poezi të dobët”.

Një tjetër dëshmitar, një lektor dhe drejtor i një organizate vetëqeverisëse në “Prosveta”, dëshmoi se ai e ka njoftuar Prokurorinë publike sapo u shfaq libri, pasi ai e pa se libri kishte poezi me përmbajtje të papranueshme sociopolitike. Kur e pyetën se kush e kishte paralajmëruar atë në lidhje me përmbajtjen e dëmshme të poezive, lektori u  përgjigj – njëherësh në sallën e gjyqit kishin shpërthyer të qeshurat - se ajo ishte një punëtore e magazinës - Storer Room. (Shih për këtë: The Christian Science Monitor / July 24, 1981; http://www.csmonitor.com/1981/0724/072449.html)

Pikërisht në ato ditë të bujshme ndodh një rast po aq drastik në Kosovë.

Dhe ndoshta këta që po debatojnë sot rreth mbrojtjes së jetës dhe veprës së shokut Iks, nuk ia kanë idenë se për çka e për kë bëhet fjalë!?

Një shkrimtar (atëherë i ri), Sabit Rrustemi, boton në “Fjala” tregimin “Mysafirët e paftuar”, i cili po ashtu lexohet me sy polici dhe autori dënohet me tre vjet burgim nga një Gjykatë e Prishtinës, sepse kishte aluduar në ardhjen e milicisë së Serbisë për t’i shtypur kosovarët, gjatë dhe pas demonstrative të vitit 1981.

Po ashtu Rrustemi përmes dy protagonistëve, “Sybuti” dhe “Syprishuri” përshkruante përmes dialogëve “milicin e mirë” dhe “milicin e keq” duke aluduar në realitetin shtypës të kohës.

Në të dyja rastet ka një analogji, ndonëse në kontekste të ndryshme socio-kulturore dhe politike: Mbrojtja e kultit të personalitetit!

Në debatin që ka shpërthyer kësokohe në Kosovë dhe Shqipëri, pas një shkrimi të Fatos Lubonjës, rreth mosdënimit të krimeve në Kosovë dhe frikës për të dëshmuar, ka ndërhyrë një faktor x (nga jashtë) dhe kjo e ka bërë debatin që të marrë zjarr.

Një djalë i ri, reper i njohur si Prince Double H apo Hyseni, në Prishtinë paskësh pshurrë afër monumentit të Skënderbeut në sheshin qendror të Prishtinës, (nuk e tumiri si akt në vete, sepse qytetarisht vjen erë e keqe), prandaj kjo për shumë shqiptarë patriotë (madje edhe ndër do që i thonë vetes analist) e shtron nevojën që me ligj të mbrohet “vepra e shokut Skënderbe”!?

Një zë i vetmuar nga “Shkretëtira e Tatarëve” po shkruante në një portal që nuk bën përjashtim për nga gjuha e urrejtjes deri në përmasat e këmishëzinjve - kishte shkruar: “Gjesti i ‘Princit’ tregon nevojën urgjente që Kosova ta ketë Ligjin që mbron heronjtë”. Elita partiake komuniste në ditët e para të vdekjes së Mareshalit Tito e pati miratuar një ligj për mbrojtjen e veprës së Shokut Tito. Dhe për pasojë, secilin që guxonte ta thoshte ndonjë fjalë përtej të vërtetës zyrtare për “birin më të madh të kombeve dhe kombësive” e priste burgu.

Në këtë humnerë ranë edhe serbi Djogo edhe shqiptari Rrustemi, sipas ligjit që mbron veprën e dikujt duke shkatërruar jetën e tjetrit.

Lë ta bëjmë edhe një – nami nuk bahet – për mbrojtjen e veprës së Shokut Skënderbe dhe “kushërinjve të tij” kosovarë të shekullit XXI.

Pra, në debatin në fjalë doli dikush më i mençur dhe u tha debatuesve në gazetë  “ua pshurrsha zanatin” dhe në atë zaval, reperi u shfry tek Skënderbeu!?

Në anën tjetër si “akt revolte” p.sh. për t’u solidarizuar me mbrojtësit e lirisë së mendimit, pas fushatës linçuese ndaj atyre që thanë mendimet e tyre në këtë debat, ose për solidarësi me emigrantët kosovarë ta zëmë, që po ndiqen me policë e qen nëpër Evropën e emigrantëve, ose si akt proteste për papunësinë dhe keqqeverisjen në Kosovë, shurrimi tek më i madhi i kombit, mund të shpjegohet sipas një semantike tjetër, thjesht si akt proteste që po ashtu bie në domenin e shprehjes së lirë!

Porse ata që thirren në emër të kombit e kanë përballë një problem thelbësor, kujt duhet t’i drejtohen kur ndihen të lënduar nga “antikombëtarët” dhe cila është instanca e lartë që e di dhe e jep një verdikt valid se cila është e vërteta?

Kombi s’ka gjyqe, as kryetar e instanca të larta të së vërtetës, të së drejtës, moralit…, së këndejmi kombi etnik s’ka as të vërteta zyrtare. Është konstrukt imagjinar...

Nuk ka fakte. Krejt janë interpretime. Madje edhe ky është vetëm një interpretim!

Porse “kombi skizofrenik” (term i Lubonjës) në vend që të trandet e këndellet me sebep që të mos mbetet peng i totalitarizmave të shekullit të kaluar (komunizmit dhe fashizmit), në këtë vend të shkretë po çartet krejt!?.

Prandaj po u kërkohet instancave të larta që të bëjnë një ligj kundër atyre që mendojnë ndryshe, ose përgjithësisht kundër atyre që mendojnë dhe shprehen! Kundër edhe iks-reperit dhe secilit që guxon me shpreh divergjencë ose oponencë ndaj të “vërtetës zyrtare” dhe ndaj secilit që nuk i pëlqen zgjidhja përfundimtare (dhoma gazi për “armikun e kombit.”)

Dhe besoni apo jo, Kuvendi i Kosovës me këtë përbërje që e ka do ta miratonte një kësi ligji njeringrënës, për t’i ruajtur legjendarët!

Dhe sipas klauzolave të këtij ligji, supozohet se do të mbrohej edhe jeta dhe vepra e Adem Jasharit, me ndërhyrjen e opozitës në proces, do të mbrohet edhe jeta dhe vepra e Ibrahim Rugovës, pastaj e shokut Hashim Thaçi dhe e “shokëve të tjerë të Politbyrosë” etj.

Nuk më shqetësojnë gjithaq ata “intelektualë” sartreian, që “këqyrin punët e veta” dhe heshtin edhe pse kjo hiç s’më pëlqen, por më shqetëson njeriu i masës – ajo bisha nietzscheane, me fytyrë të mërdhezur – analfabetët funksionalë - që mësynë tjetrin/të tjerët që i duken kërcënues vetëm për faktin se nuk mendojnë si turma, pra më shqetëson lehtësia e padurueshme e turmave për të marrë hez me të dëgjuar trumbetat e luftës kundër një armiku imagjinar apo të fabrikuar!?

Ç‘dreqin i shtyn t’i shkojnë pas një horri, një politikani perfid apo diktatori ose kleriku karagjoz?

Si njërin nga motivet kryesore për luftën, Zigmund Frojdi e sheh në prirjen e bashkëlindur të njeriut për të keqen dhe për destruksionin, që është deduktuar nga instinkti i vdekjes.

"...a besoni ju, me të vërtetë, se një grusht njerëzish, të etshëm për lavdi e të pandërgjegjshëm dhe një grusht mashtruesish gjithashtu të pandërgjegjshëm do të arrinin për të liruar të gjithë ata shpirtra të këqij, që milionat e atyre të cilëve u kanë prirë, nuk janë fajtorë bashkë me prijësit? A keni guxim që edhe në ato rrethana të luftoni për përjashtimin e së keqes nga struktura psikike e njeriut?" - kështu shkruante Frojdi në hovin e Luftës së Parë Botërore.

Në dy raste, në vitin 2000 dhe 2008, sipas instinktit kam shkruar për Drenicën, sepse vëreja që për këtë rajon tipik kosovar po përhapeshin stereotipe. Kam shkruar se ndihesha një drenicak. Siç ndihesha hebre në skëterrën e Auschwitzi-y, jam ndier në Sarajevë boshnjak e në Gaza palestinez. Në New York më 9/11 jam ndier amerikan.

E në Bradenburg, më 1989, gjerman. Po më shpesh ndihem vetëm individ - vizitor i përkohshëm në këtë planet. Jam shkrimtar dhe poet, jam pra vetmitar. Këto janë identitetet e mia të shumëfishta të ndërrueshme e të shtresëzuara.

Mendësia e gardianëve të kombit, që nuk ia nënshtron debatit të gjitha vlerat, madje edhe ato universale – është mendësi e ndalesave, e përjashtimit të tjetrit, pra mendësi totalitare. Ashiqare, të prekur nga sindroma e paranojës së oborrit, ata duan të thonë: “Mos i lëni të guxojnë me folë për Jasharët – sepse pastaj – do t’i çelet goja qytetarit kundër “nesh” – dhe iku pushteti nga duart!?

Politologia dhe sociologia gjermane, Christiane Morgenstern, për këtë arsye ngre tezën dhe mëton ta mbrojë në çdo kohë, se “racizmi gjithmonë u vlen atyre, të cilët duan të tërheqin vëmendjen nga privilegjet e interesat e veta. Pra, si rregull, me ndonjë përjashtim, më së shumti ai u vlen atyre që kanë një interes të caktuar, dhe që duan ta ruajnë atë, sepse ata përfitojnë".

Adem Jashari është vlerë, po themi dhe ne diçka ngjashëm siç na thotë “historia zyrtare” – shih librin “Historia 9 – të Fehmi Rexhepit - pra është vlerë kombëtare, siç po thonë kundërshtarët e debatit dhe, nëse është vlerë sipas çfarëdo kriteri, moral apo filozofik, politik apo estetik, atëherë, ata që duan ta mbajnë për të tillë, pra Vlerë (me V-të madhe) duhet ta dinë se të gjitha vlerat janë të debatueshme, pos së keqes universale - nuk mund të debatohet nëse Auschwitzi ishte institucion edukativ apo llager gjenocidal sikur që nuk mund të debatohet nëse zaptimi njëshekullor i Kosovës nga Serbia ishte sjellje qytetërimi një populli apo tendencë për shfarosje - vetëm duke u debatuar vlerat shoshiten dhe marrin karakteristikat semantike të diçkaje që duhet çmuar e ruajtur, (që ruan dhe ruhet) shkëlqejnë mbi llumin dhe pavlerën.

Për të vërtetat zyrtare dhe mënyrën se si shkruhet historia tek shqiptarët, kam shkruar disa herë. Mirëpo, këtu do të ndalem në kontekst të së “vërtetës zyrtare” përballë dyshimeve “të armikut të kombit dhe të shtetit”.

Objekt i shpeshtë i hetimeve të Michel Foucault ishin versionet e ndryshme të shkrimit të historisë:

1. armë pushteti apo mënyrë qëndrese ndaj tij;

2. mënyrat e ndryshme të konceptualizimit të saj.

Kur jemi në rastin e shqiptarëve të Kosovës dhe historiografisë së tyre, kemi të bëjmë me dy mënyra themelore të shkrimit dhe konceptimit të saj, si ideologji dhe albanologji, si interpretim ideologjik dhe albanologjik i saj, duke ia vjedhur paligjshëm legjitimitetin, që Foucault e cilëson si “bastisje historike”.

Këtë “bastisje historike” po përpiqen ta bëjnë elitat aktuale politike në Kosovë, duke i vënë në sikletin konvergjues me Serbinë kritikët, që nuk flasin e shkruajnë sipas kodeksit të patriotik të atyre që e kanë shtënë në dorë pushtetin politik, me të cilin kodeks mësyjnë monopolin mbi historinë në këto anë. E kush po mërzitet se këta kritikë të apostrofuar kanë shkruar e folur kur është dashur, qindra shkrime për ta denoncuar me argumente nacionalizmin egalitar të Čubrilović-it dhe Andrić -t, deri te Ćosić-i dhe racizmin e Garaśanin-it që e deplason deri në palcë Oliver jens Schmitt – por ja qe as ky s’po u pëlqen – patriotëve tanë - deri tek regjimi fashist i Milośević-it.

Porse u dashka që të bëhet një veçim nga kriminelët e tyre - sipas modelit ballkanik - se kriminelët tanë janë të mirë!?

Nëse je i veshur me pushtet, mos shpurdh, liria e shprehjes nuk ka të bëjë asgjë me Qeverinë (është e panegociueshme), njeriu i pushtetshëm nuk e ka të drejtën ta kritikojë, “ta shajë” – siç thuhet në debatet tona – qytetarin, kushdo qoftë ai. E nëse në një tekst a paraqitje foljore ekziston ajo që juridikisht cilësohet “shpifje”, atëherë urdhëroni në gjykatën e parë.

Po, edhe një herë për pyetjen: Ç‘është një intelektual dhe çfarë ai na thotë?

Fillimisht, i brumosur me idetë së majtës, filozofi ekzistencialist Jean-Paul Sartre në esenë “Ç’është intelektuali”, shkruante se ai (intelektuali) është dikush që përzihet në punët që nuk i takojnë e që konteston tërësinë e të vërtetave.

Si shembull, Sartre merr shkencëtarët që punojnë për t’i perfeksionuar armët bërthamore. Deri në këtë pikë ata janë vetëm shkencëtarë, thotë ai, mirëpo, nëse po këta shkencëtarë të frikësuar nga fuqia shkatërruese e armëve bërthamore që i kanë zbuluar vetë, tubohen dhe nënshkruajnë një manifest për ta nxitur opinionin që t’i kundërvihet përdorimit të armëve bërthamore, ata bëhen intelektualë.

Duke e përkufizuar intelektualin në mbretërinë e ekzistencializmit, Jean-Paul Sartre shkruante në vitin 1965: “Tërësia e intelektualëve paraqitet si një llojshmëri e njerëzve që kanë marrë famë në saje të punimeve që mbështeten në inteligjencë (shkenca ekzakte, shkenca e aplikuar, mjekësia, letërsia etj.) dhe që e keqpërdorin këtë famë për të dalë jashtë fushës së tyre dhe për t’i kritikuar shoqëritë dhe strukturat sunduese…”

Për Sartre-in intelektuali është shkencëtari, profesori, dijetari i cili e tejkalon profesionin që ka dhe që e keqpërdor famën e tij. Intelektuali së këndejmi nuk përkufizohet përmes përkatësisë profesionale (nuk ekziston profesioni intelektual) por nëpërmjet tejkalimit të kësaj përkatësie duke mos e zhbërë atë e për ta shpëtuar njerëzimin nga katandisja.

Ekzistojnë dy momente metafizike në filozofi që kanë sugjeruar një ‘shpëtim’ të gjendjes njerëzore (edhe asaj shoqërore, natyrisht): Platoni me sentencën ‘njeriu duhet ta zotërojë veten’ dhe Nietzsche kur kërkonte ‘tejkalimin e tij’, pra tejkalimin e vetes. Mbinjeriu!?

E para është sentencë e domenit moral, kurse e dyta e atij utopik.

Sipas Sartre-it intelektualin nuk e lind dhe ndërton klasa punëtore por ai duke qenë i angazhuar e tradhton klasën e tij shoqërore, duke mos ua nënshtruar dijen dhe bindjet e veta interesave të klasës prej nga vjen.

Në shoqëritë e “Botës së tretë” intelektualët konceptoheshin si zëvendësues të klerikëve dhe moralit të tyre teokratik, me moralin e arsyes. Kurse në vendet e transicionit, intelektualin e “luajnë” liderë nacionalë që kurthohen mes bindjeve komuniste të rinisë së tyre (“të humbur” në shoqërinë e spektaklit), dhe mes diktaturave moderne të djathta (që s’do të thotë gjithnjë e zeza) kur pultin e televizorit e ndalin ta shohin Silvio Berluskonin se si mbron kapitalin personal dhe dilenxhillëkun e tij, me arrogancë të pashoqe, duke sulmuar ata që dyshojnë. Pra liderë kombëtar, të mbijetuar lufte që krekosen mbi pirgun e kufomave të dy palëve ndërluftuese, që i drejtohen kombit duke ia lypur shpirtin. Pra këta e bëjnë klerikun e ri dhe thërrasin për fenë e re, nacionaliste.

Intelektualin si promotor të progresit shoqëror ende mund ta hasim në Lindjen ish-komuniste dhe në Francën “e majtë”, kurse në Europë dhe posaçërisht në SHBA, intelektualin në rastin më të mirë e ka zëvendësuar linguisti ose teoriku i lojërave gjuhësore dhe kritiku i shoqërisë (Naom Chomsky: “Është përgjegjësia e intelektualit që të flasë të vërtetën dhe t’i demaskojë gënjeshtrat.”

Sipas Raymond Aronit, çdo i diplomuar e që nuk bën punë krahu quhet intelektual, në shoqëritë që gjenden në fazat e para të modernizmit, duke sajuar një kategori sociale që e cilësojnë si inteligjencia, një term i imagjinuar nga qarqet kulturore të Rusisë së shekullit të 19-të, e më pas këtë koncept për intelektualin e “trashëgoi” edhe Bashkimi Sovjetik dhe tërë bota komuniste.

Ndërkohë që ata burra e gra, shkrimtarë e profesorë që thërrisnin për debat shoqëror, u internuan në Gulag!

Duke qenë se shoqëria moderne është shoqëri e debatit, e do të mundet bota jonë që të prosperojë vetëm me specialistët e akëcilës fushë dhe me teknokraci. Vështirë. Këtë mendim e mbron Bernard Anry-Levi për të cilin intelektuali është debati. Është vetëm shfrytëzimi i debatit. “Intelektuali është veti, princip, kërkesë absolute për debat. Intelektuali është dikush që vetëm prezenca e tij do të thotë se shoqëria e pranon të drejtën për të debatuar. Ndërkaq inteligjenca është ai trup, në një shoqëri të caktuar që shpie tek mendimi se nuk ekziston asgjë që nuk është hipotetike dhe që nuk duhet t’i nënshtrohet debatit”. (Barnard-Henri Levy, eseja  Eloge për intelektualët)

Për Anry-Levin intelektuali në të vërtetë nuk është njeri por dimension njerëzor, pa të cilin mos vet kush për ne!?

Sidomos në Republikën e Tretë, në Francë ende ruhet “malli eskatologjik” për një botë më të mirë, për një njerëzim. Në këtë vazhdë të intelektualit të angazhuar, filozofi Bernard Anry-Levi thotë se botën pa intelektualë, “këtë kurrë nuk mund ta pranoj”.

Mirëpo Aron mendon se Franca mbahej si parajsë e intelektualëve, ku artikulli i fundit i Sartre-it ishte kryengjarje dhe debatohej me zjarr, si një ngjarje madhore politike.

Për Anry-Levin intelektuali në të vërtetë nuk është njeri por dimension njerëzor. Duke qenë “pjesa e bekuar” e sendeve, intelektuali është instancë pa të cilën gjërat do të shkonin kah e keqja. Kështu që, sipas Henri-Levysë në kulturën demokratike intelektuali është po aq i rëndësishëm, në mos edhe institucioni më i rëndësishëm aq sa edhe principi i ndarjes së kishës nga shteti, liria e manifestimit apo e drejta e revoltës!

Shoqëria e spektaklit ose «spektakolarja e integruar», është sipas Gui Debord-it, modalitet i ri i pushtetit që realizon falsifikimin perfekt dhe përfundimtar të botës.

Në kontekstin e debatit shoqëror, intelektuali është i pazëvendësueshëm, sepse ai mendon për tjetrin, jo vetëm për ne, duke ia nënshtruar debatit të gjitha vlerat (qofshin ato edhe nga korpusi universal.)

Po cili është konteksti kosovar i debatit dhe pse intelektualët kosovarë janë heshtur. Ndoshta shumica absolute e tyre kurrë nuk e kanë lexuar Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane, që thotë: “Kongresi nuk mund të miratojë asnjë ligj që do të cenonte të drejtën e fjalës, apo të shtypit; apo të drejtën e njerëzve për t’u tubuar në mënyrë paqësore për ta shtyrë qeverinë që të merret me problemet që i mundojnë ata.”

Intelektualët kosovarë për hir të kontekstit të lirisë së atdheut të tyre do të duhej që secilën ditë ta sjellin nëpër mendje faktin se me gjithë trajtimin e ashpër që i bëri shtypi Jaffersonit për shembull, ai prapëseprapë deklaronte: “Po qe se do të kisha mundësi të zgjidhja për të pasur një qeveri pa gazeta apo gazeta pa qeveri, për asnjë moment nuk do të hamendesha për ta preferuar këtë të fundit.”

Intelektualët kosovarë, sipas këtij trendi, po degradohen dhe po shkrihen ekstremisht në turmë autoritare, që mendon kolektivisht, sipas motos së pushtetit.

Kritiku i shoqërisë dhe njeriu i kulturës, shkrimtari apo artisti përballë pushtetit autokratik detyrohen ose ta paguajnë çmimin e shpërfilljes e margjinalizimit, ose detyrohen ta prostituojnë intelektualizmin e tyre. Sepse ky intelektual ka frikë nga despotizmi i bartësve të pushtetit politik që merren me kulturën, sepse ata për hir të mbledhjes së votave ia nënshtrojnë secilën shije estetike tiranisë së masave kurse këtij njeriu kulturor i japin ofertë për t’ia blerë mallin intelektual nëse ky i bindet ideologjisë së pushtetit, që për Aronin është korruptim i plotë.

Kontekstin kosovar të lirisë (dhe synimit të ndërtimit të demokracisë) i duhet një kritik shoqëror (qoftë ai profesor, linguist ose gjuhëtar, artist ose letrar, kolumnist ose sindikalist) që thjesht arbitron mes dy mendimeve (në debatin pushtet-shoqëri civile), sepse, sipas Carl Popperit kur dy bashkëbisedues e kanë keq, kjo ende nuk do të thotë se të dytë e kanë mirë. Por po ashtu lëshimi pe që tjetri të ketë të drejtë, (si version i një kompromisi politik) nuk na mbron nga një rrezik tjetër që e vë në pah Danilo Kish, që të besojmë se që të gjithë kanë të drejtë!

Intelektuali i sotshëm nuk është ai zëvendësuesi i klerikut, imamit ose Papës, por njeriu që u jep zë atyre që s’kanë! Për këtë lloj “intelektuali” ka nevojë ende shoqëria njerëzore dhe posaçërisht ajo kosovare.

Mirëpo, duke qenë se pushteti i ri kosovar shpërfill intelektualët (nëse ende e përdorim vetë termin) ata, siç thotë Aron, e kanë më të lehtë të durojnë përndjekjen se sa mospërfilljen, që në regjime totalitare manifestohet dendur. Këtë më së miri e shpreh Giovanni Sartori kur flet për mendimin ndryshe dhe mekanizmat efikas të pushtetit për ta ndalur fjalën e lirë, e një ndër këta “mekanizma” është shpërfillja, në mos të shpallin të çmendur. Ajo që e thoshte Sartori e përshkruan saktë Kosovën e sotme. “Atje ku ekziston frikësimi, ku, po të shmangesh prej ortodoksisë mbizotëruese, të marrin me sy të keq (në mos të lënë fare mënjanë), liria e shprehjes ngurtësohet dhe, rrjedhimisht, shtrembërohet edhe vetë liria e mendimit”.

Po e përfundoj këtë shkrim me fjalët e dy lexuesve në Respublika, për të reflektuar mbi atë që çka duhet të bëjmë kur s’na pëlqen ajo që thotë tjetri?

Qytetari me nofkën “Mal Osdrimi” shkruan: “Breza të tërë "mosmarrëveshje", kjo është historia jonë. Kurse “Shqiptari” thotë: “Pavarësisht si shprehet dhe çfarë do të thotë Matoshi, ai është një nga NE, dhe si të tillë duhet ta pranojmë, lexojmë dhe reflektojmë mbi atë që shkruan, panevojshmërisht të reagojmë me "pro" dhe "kundra", por me vepra. A do të mundemi ndonjëherë ta arrijmë këtë standard minimum tolerance dhe tjetër-pranimi, pa u larguar dhe karamboluar me të ndryshmit nga ne? Vetëm atëherë mbase do të mund të vizatojmë trajektoren tonë dhe të fillojmë të ecim pak përpara”.

I veçova këto dy komente lexuesish për të parë përse jemi kaq të mjerë e të pazhvilluar, përse nuk jemi të lumtur e të mirëqenë, përse vuajmë pa punë e nëpër kampe refugjatësh, përse nuk kemi boll bukë e lojëra?

Përse vrasim e na vrasin?

Ne jemi pengje të mosmarrëveshjeve tona në të shkuarën e largët dhe kur s’kemi çfarë të bëjmë diçka të hairit kthehemi në strehën e fundit të horrave: në nacionalizëm etnik dhe kërkojmë të bëhemi sa më tubë, shumë për t’u mbrojtur nga armiku i fabrikuar, i cili s’po duket asgjëkund, në “Shkretëtirën e Tatarëve”!?

Lexoni p.sh. në rrjetin social ‘Facebook’ grupet që angazhohen: “Të bëhemi 2 milionë që e urrejmë Serbinë”; “Të bëhemi dy milionë myslimanë”; “Të bëhemi 2 milionë adhurues të Krishtit”, ectr. ectr.…

Unë jam individ i lirë dhe vetëm në lirinë time.

Vafshin në djall tubat e “satanajve”!

 

KOHA.NET

Comments

Submitted by anticensurë (not verified) on

<p>më në fund copa e mishit me guximin e një të çmënduri halili i matoshëve u botua dhe në ResP!!</p><p>nuk e di a është thjesht për të rritur numrin e komenteve o thjeshtë për tu treguar se ne mund të vet pështyhemi sa të duam??</p><p>para 2,5 vitesh shteti pishtar i demokracisë botërore,shba,duke marrë si preteks një thënje shqiptare&quot;kinezëri&quot;(që ska të bëjë me rracizmin),ngriu,bllokoi mardhënjet e saj me gazetën &quot;shekulli&quot;!!fjala &quot;kinezëri&quot; u morr si fyerje rraciste ndaj ambasadorit të saj a. arvizu!!</p><p>ne si më demokratë e liberalë se amerika nuk lëmë gjë pa thënë për të gjallë e të vdekur,për tradhëtarë e heronj!i pështyjmë e i pshurrim sa të duam dhe askush nuk indinjohet!!bile i quajnë si &quot;shprehje mendimi&quot;! (deleted) i njohur tashmë për lexuesin shqiptar,i quan shprehje mendimi çdo ofezë,ndaj kombit dhe trashëgimisë histo kulturore!ky nuk quan vetëm shprehjen vokale dhe shkrimin si shprehje mendimi, por dhe veprimet!!i bie sikur unë në vënd të këtij shkrimi të dilja e ta takoja matoshin dhe ti jepja nje dy të shpejta!si do ta merrte matoshi??si shprehje mendimi apo si dhunë ndaj tij??do të mjaftohej me një buzëqeshje apo do tu drejtohej forcave të rendit!?</p><p>figurat kombëtare,ndryshe nga matoshi,nuk mund të shkojnë në polici!nuk mund të ankohen në gjykatë!!kush duhet ta bëjë një gjë të tillë(që matoshin e bezdis shumë)??</p><p>matoshi i mbrujtur me një kulturë sërbe,me siguri do të injdinjohej vetëm në rastin kur të shahej ndonjë sërb!maksimumi po ti pshurrte dikush në ndonjë përmendore të muratit të parë të vrarë në kosovë!!</p><p>matosh ti je i lënë,por më të lënë janë këta që të japin vënd nëpër gazeta!!</p>

Submitted by elidoni (not verified) on

<p>halit Matoshi eshte nje medioker ivertete. Perpiqet te beje si njeri universal por nuk eshte as njeri. nje kopje e shemtuar e fondacioneve nderkombetare. Duhet ti vije turp qe eshte katandisur ne kete nicel kq te ulet si mendimi po ashtu dhe social. Tip legeni.</p>

Submitted by Artim Berishaj (not verified) on

<p>Z. Matoshi, si u be qe nje sulm fizik ndaj Jush , qe ishte privat dhe personal ( pasi i kishit share njerezit ne rruge) , e shpallet si sulm ndaj bindjeve dhe qendrimeve te Juaja dhe, per me teper, sulm ndaj fjales se lire e gazetearise???&nbsp;<br /><br />Ju nuk njihni asnje gje me tamam, as nuk jeni studiues, as gazetar, as poet ( &nbsp;nuk ua mohoj dot talentin, por edhe poezine e beni si beni gjerat tjera : gjysme), as analist, as politikan. &nbsp;Beni zhurme dhe futjakoti, kaq. Dhe nuk jini i vetem, fatkeqsisht.</p><p>&nbsp;</p><p>&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.