Implikimet politike të një rasti pedofilie

Në vajtje-ardhjet logjike (shpesh edhe alogjike) për ta konstruktuar apo dekonstruktuar ‘rastin e Sarandës’ ka patur edhe përpjekje për ta apolitizuar apo depolitizuar të bamen (të ndodhurën) në fjalë. Për me e ba të pabame. Të paktën politikisht. Megjithatë mund të thuhet, pa sforcim, se akti në vetvete nuk është politik, implikimet politike i ka të shumta. Për disa arsye.
E para prej tyre lidhet me emrin e një partie, aktualisht motra e madhe në lidhjen politike që qeveris vendin, PS e Shqipërisë. Të gjitha skenat e aktit janë luajtur në një zyrë postelektorale të kësaj partie. Duhet theksuar termi postelektorale për të vënë në dukje termin tjetër ‘elektorale’ që do të thotë, njerëzit që kanë qenë pjesë e fushatës së kandidatit për deputet të PS, në njëfarë mënyre janë shpërblyer duke u zyrtarizuar si ‘ndërmjetës’ pas fitores së kandidatit dhe partisë. Pra, Partia Socialiste automatikisht bëhet pjesë e një superstrukture ndoshta të palegalizuar, por gjithsesi ekzistente të shpërblimit për kontributin elektoral. Larg jemi prej realitetit amerikan kur fushatat elektorale mbështeten nga vullnetarë, kryesisht të rinj, të cilët shohin te kandidatët zgjatime të ideve të veta dhe me anë syresh shpresojnë t’i shohin këto ide të realizuara. Dmth vullnetarizëm për të materializuar vullnetin e një ideje politike, sociale apo kulturore.
E dyta e arsyeve ka të bëjë me atë se deputeti Kokëdhima nuk është i pavarur, por i përket stemës, stilemës dhe vullnetit të Partisë Socialiste. Pretendimi i ndonjë kolegu gazetar se zyra e deputetit ishte një akt vullnetar ‘për vegjëlinë’, jashtë vullnetit politik nuk duket se zë themele. Nëse ka njerëz, apo nëse dhe vetë zoti Kokëdhima e sheh veten si më të madh, më të hershëm e më të rëndësishëm se Partia Socialiste, kjo ka vlerë vetëm si ekzibicionizëm, por nuk e ka forcën e shkëputjes nga institucionet, në këtë rast një parti politike. Përndryshe deputeti në fjalë duhet të kandidonte i paatashuar, pra i pavarur.
Së treti, dhe ndoshta kjo është edhe kryearsyeja, Agron Cane vetë, me të shkuarën e të tashmen e tij përbën një tipologji të pastër politike. Ai është një veprimtar i majtë tipik për Partinë Socialiste. Një ish-oficer ushtrie, me siguri i nxjerrë në lirim, i emigruar e më pas i kthyer, i angazhuar me PS, sigurisht me patosin e rrëzimit të Berishës nga pushteti për të ardhur vetë në pushtet. Nëse Agron Cane nuk është një njeri politik, atëherë as Gramoz Ruçi nuk është i tillë. Madje ai është më shumë politik se vetë bosi i tij Koço Kokëdhima.
Një arsye e katërt e politikes që e ka prodhuar rastin e Sarandës dhe që e bën politik atë, është edhe gjeografia. Domethënë qyteti i Sarandës, pjesë e qarkut të Vlorës, në krye të listës së deputetëve të të cilit është kryeministri Rama. Është pak a shumë një problem i jugut politik të Shqipërisë. I atij jugu politik e fizik që me ardhjen e së majtës në pushtet e ka eklipsuar veriun. Flitet gjithnjë e më pak për Shqipërinë e Epërme, aq sa duket sikur ajo është dënuar me mosqenie. Aksioni politik qeveritar është zhvendosur në jug me të gjitha bateritë: Himara dhe vendi i saj në ndarjen territoriale; ndërtimet pa leje dhe plani rregullues i Rivierës; Lungomare e Vlorës; takime të qeverisë në hotele të qytetit breg-jonian; një kryetar këshilli qarku i emëruar nga mazhoranca e denoncuar nga opozita; tritoli në makinën e prefektit të Vlorës; padia dhe gjyqi ndaj kryebashkiakut të të njëjtit qytet. Të gjitha këto e bëjnë Republikën një aneks të qarkut të Vlorës. Kur Vlora i prodhon të gjitha këto, e ç’e ka ajo që nga plleshmëria e ngjarjeve të nxjerrë edhe trëndafilin pervers të një pedofilie?!
Për të gjitha këto, e ndoshta të tjera të pamenduara ende, rasti i Sarandës është politik. Nuk mundemi ta veshim atë me letërsi e ta relativizojmë duke e shtyrë poshtë si të ishte një skenar nabakovian Lolitë. Apo si pasojë të modernitetit. Është drejtpërdrejt pasojë e një skakiere politike, një zyre politike, një njeriu politik, një mentaliteti politik. I cili të fryn deri në atë pikë sa e sheh koracën e pushtetit si të padepërtueshme nga mjete (a)politike si reagimi njerëzor, mediat dhe trysnia e opinionit publik.
"Mapo"
Comments
Ti nuk je gazetar, por nje
<p>Ti nuk je gazetar, por nje konformist qe te ushqen Cili. Po si ke guxim dhe u fryn dasive gjeografike o njeri...??? PO per dasi eshte kjo qe Vlora e prodhoi nje pervers dhe Kukesi na paska mbetur pas...??' Pse per dasi eshte kjo qe Gjika esshte nen hetim dhe Hasan Halili akoma jo...??? Sa .... qe qenke bere o njeri.... Nese jane bere tere keto tollovi me jugun, kjo tregon anenn tjjeter te medaljes, qe kjo qeveri nuk mban hater... se me pare u bie te veteve (siç)..... por ti mbetesh nje konformist i shtypit dhe kaq....</p>
Fakti qe cane eshte me
<p>Fakti qe cane eshte me politik se Gramozi nuk dmth se ai eshte shprehes i politikes se PS. Te merresh me nje nje person i cili ka shkelur rregullat morale eshte nje lloj perversiteti (gazetaresk). Kuptojeni me se fundi qe kauza Cane nuk ngre ide opozitare. Ka probleme me te rendesishme se te merresh me nje Cane a thua se ai eshte pjese e kabinetit te Rames (ne kohen qe as Kokedhima nuk eshte pjese e kabinetit te tij). Boshllekeu ideor i PD nuk mbushet me karavidhe si puna e Canes.</p>
Add new comment