Një sistem korruptiv “meritokracie"

Postuar në 22 Gusht, 2012 11:16

Kryefjala e qeverisë aktuale në raport me administratën publike, ashtu si e cdo qeverie deri më tani, ka qenë e mbetet premtimi për sjellje ligjore, mbi bazën e meritës dhe aftësisë. Nevoja për një administratë civile efektive, të qëndrueshme dhe të pavarur përbën edhe një nga 12 kriteret e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Për shkak të kësaj rëndësie pothuajse në çdo fjalim pompoz ministror e parlamentar, në raportet zyrtare të qeverisë në parlament, të qeverisë në takimet me delegacionin e Bashkimit Evropian apo në raporte të tjera të sponsorizuara nga buxheti shtetëror dhe donatorët ndërkombëtarë vihet theksi tek arritjet e mëdha në drejtim të forcimit të komponentit të cilësisë dhe meritokracisë në administratën publike. Alibia është e thjeshtë: jepen disa shifra kualifikimesh dhe emërimesh, krahasohen me periudhën përpara vitit 2005 dhe kështu krijohet përshtypja se gjithçka është pozitive. Tej këtij konteksti propagandistik në jetën reale për këdo qytetar (jo qeveritar) është e qartë se praktikat selektive, fisnore dhe militante të rekrutimit, promovimit dhe statutit të administratës dhe nëpunësit civil në Shqipëri kanë prodhuar një sistem të kalbur administrativ, të paaftë të prodhojë stabilitet qeverisës në raport me qytetarin dhe as të vetëkorrigjohet përmes mekanizmave të përcaktuar nga ligji. Shembujt janë të shumtë. Raporti i Progresit të Shqipërisë hartuar nga Bashkimi Evropian (2011) thekson se “reforma e administratës publike nuk ka avancuar shumë” dhe s....e "shërbimi civil po vuan nga mangësi të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me parimin e meritokracisë gjatë procesit të rekrutimit, punësimin me kontrata të përkohshme, rregullat për ngritjen në detyrë, transferimin dhe shkarkimin e punonjësve civilë". Në tregues statistikorë Komisioni i Shërbimit Civil ilustron të dhënat e BE-së duke cituar se më shumë se dy të tretat e konkurseve të rekrutimit në administratën qendrore janë fiktive, pra me fitues të paracaktuar dhe se në rastin e pushtetit vendor jepen shembuj të shkeljes së ligjit deri në 100% të rasteve të emërimit. KSHC dhe raporte të tjera të njëjta japin raste konkrete (Ministria e Drejtësisë, Mbrojtjes, të Jashtme, të Shëndetësisë, etj), ku në emër të reformave strukturore bëhen shkarkimeve kolektive dhe zëvendësimin e tyre me persona të tjerë të ardhur nga jashtë sistemit. Për pasojë, shteti paguan dy administrata, një në detyrë dhe një të shkarkuar, dhe se rotacioni në administratë nuk ndodh vetëm kur ndryshohen mazhorancat, por edhe kur ndryshohen ministrat dhe drejtorët brenda vetë mazhorancës. Zyrtarët e ndershëm përballën me tri rrugë: ose ikjen (përsëri) nga vendi drejt emigrimit, ose nënshtrimin pa kushte përfshirë edhe detyrimin për pagesë rryshfeti më lart apo për të udhëtuar, marrë pjesë dhe duartrokitur në mitingjet elektorale të partisë qeverisëse, ose hyrjen në një kalvar gjyqesh, ku, në fund fitojnë, por ku më pas nisin një kalvar tjetër për zbatimin e vendimit të gjykatës dhe luftën për sigurimin e një vendi të ri pune.
Duke hyrë më në detaje të proceseve emërtuese rezulton se kriter kryesor punësimi e promovimi mbetet kriteri politik, besnikëria ndaj partisë së radhës në qeveri, emërimet nga rrethet elektorale të deputetëve, ministrave, zyrtarëve të mesëm apo ato mbi bazën e lidhjeve të forta familjare me pushtetin e radhës. Këtij komponenti negativ i shtohet fakti se çdo ditë kemi raste publike të sjelljes zyrtare të degëve të administratës publike si seksion militant partiak dhe heshtjen e organeve zyrtare që do të duhet të ndërhynin për marrjen e masave ligjore. Deklaratat thellësisht militante dhe partiake të zyrtarëve të drejtorisë së shërbimeve qeveritare, tatimeve, drejtorisë së doganave, të disa drejtorive arsimore, të drejtuesve të gardës së republikës, të forcave të armatosura deri edhe të policisë së shtetit, - janë një bilanc alarmant për degradimin e konceptit "shtet", "administratë", "nëpunës civil" dhe nënshtrimit të tyre pa kushte ndaj sundimtarëve partiakë të radhës.
Këto të dhëna edhe pse alarmuese për një shtet që pretendon të realizojë një nga kriteret më të rëndësishme të BE-së në raport me Shqipërinë, janë vetëm një aspekt i sistemit të kalbëzimit të sistemit të meritokracisë, - një slogan pa vlerë dhe fyes për dinjitetin qytetar, të ligjit dhe të shtetit shqiptar evropian. Aspekti tjetër i dukshëm publik është akti antikushtetues dhe antiligjor i nënshkruar periodikisht nga partitë politike në koalicionin qeverisës, pra nga krerët dhe përbërësit kryesorë të pushtetit ekzekutiv, për ndarjen e vendeve në administratën publike mbi bazën e raporteve ndërpartiake. Çdo ditë e javë jepen lajme sesi poste të caktuara i kalohen me urdhër politik partive të koalicionit dhe askush, medias dhe KSHC, Instituti i Administratës Publike dhe as OJF-të, partnerët ndërkombëtarë dhe as avokatët e interesit publik - nuk ndjehen, nuk reagojnë, duke pranuar parcelizimin militant të sistemit civil në gjithë territorin.
Aspekti i tretë i kalbëzimit të sistemit të emërimeve në administratë është procesi i riciklimit në poste dhe detyra publike të individëve të gjetur mëse njëherë në shkelje ligjore. Vetëm ditët e fundit patëm disa raste të tilla kur një drejtor i shkarkuar për konflikt interesi, fshehje të pasurisë dhe trafik armësh kalon në një detyrë paralele dhe me natyrë piramidale, duke ruajtur dhe forcuar pushtetin personal të individit abuzues në raport me ligjin dhe publikun. Po ashtu një drejtor i akuzuar lokal për dhunë, shkelje të drejtave të qytetarëve, diskriminim racor dhe sjellje joetike në publik u shkarkua duke u emëruar pas një minute në një detyrë tjetër paralele. Një zyrtar policie i shkarkuar për trafik klandestinësh vite më parë mori këto ditë një post me rëndësi në hierarkinë policore. E njëjta gjë ndodhi edhe me dy zyrtarë të lartë ushtarakë të graduar së fundmi edhe jashtë fushës së studimeve profesionale, me emërime rishtas në diplomaci të individëve pa asnjë meritë tjetër veç kontributeve elektorale, si dhe riti i përvitshëm, - emërimeve periodike thellësisht partiake të drejtuesve të institucioneve publike arsimore, shumë prej tyre pa arsim përkatës apo karrierë të mëparshme arsimore. Po ashtu vazhdimisht shohim emërime e riciklime në poste me rëndësi publike të individëve të shkarkuar me bujë për skandale vetëm pak vite më parë, siç vijojmë të jemi i vetmi vend ku gazetat partiake mbushen në faqet e para me deklarata thellësisht militante dhe denigruese nga zyrtarë që kanë status civil e publik, pra me ligj duhet të qëndrojnë jashtë aktiviteteve e debateve politike partiake. Ky cikël i mbyllur, me mbështetje e sponsor me pushtet, me praktika korruptive dhe antiligjore, në thelb i ngjason më shumë politikës së emërimeve dhe dhuratave të periudhës së fundit otomane sesa konceptit të shtetit demokratik. Në teorinë politike njihet sentenca se një politikë e paaftë mund të kalbëzojë për një kohë të kufizuar pushtetin, kurse një administratë e paaftë kalbëzon për një kohë të pacaktuar shtetin. Sot në Evropë kemi raste kur shtete me kulturë dhe traditë shtetërore ia dolën që krizat politike ti zgjidhin përmes teknokratëve dhe administratës së qëndrueshme e efektive, ndërkohë që ne, - aspirantë për bashkim me vlerat evropiane, - vijojmë të mbetemi një nga vendet e pakta me kufij gati të padukshëm midis shtetit e pushtetit, midis nëpunësit civil e militantit të deleguar. Kalbëzimi i administratës, i sistemit të meritës dhe i garancisë për interesat publike është një tjetër dështim, një nga trashëgimitë e tjera negative të tranzicionit, një dëm i madh që klasa aktuale politike i ka bërë e po i bën shtetit, ligjit, qytetarëve dhe nevojave afatgjata të vendit.

Shqiptarja.com

Comments

Submitted by nik (not verified) on

<p>&nbsp;</p><blockquote><h1 property="dc:title">Një sistem korruptiv &ldquo;meritokracie&quot;</h1></blockquote><p>afrimo.ne te gjitha ato fjalet e bukura qe thua perfshihet edhe ish presidenca e topit qe kishte mledh te gjithe miqte dhe shoket e tij te partise,perfshire edhe ty.</p><p>prandaj perralla te tilla i kemi degjuar gjithmone dhe mos na u hiq si i ditur.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.