5 vjet vendnumëro

NË KOSOVË, NË NJË cikël që përsëritet në një harmoni të çuditshme, përafërsisht çdo 8 vjet, ndodh nga një ngjarje shumë e rëndësishme që ndikon rrënjësisht në jetën e qytetarëve. Mbase kjo mund të qëndrojë si e vërtetë edhe pothuajse përgjatë krejt 100-vjetorit, që nga pavarësia e Shqipërisë, gjegjësisht okupimi i Kosovës nga Serbia, por me një ritëm shumë të saktë, veçanërisht, ky cikël konstant prej mesatarisht 8 vjetësh është i vërejtshëm në këta 40 vjetët e fundit. Në 40 vjetët e fundit, pra, kemi pasur zhvillime të përmasave të mëdha, që kanë kasnecuar hapa të ardhshëm të mëdhenj në horizont, prej të cilëve disa kanë avancuar pozitën e shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të vendit, të tjerë kanë sjellë dallime dhe pabarazi të mëdha, e ndonjë tjetër gjëma e fatkeqësi për të gjithë, ose fitore e humbje, varësisht se nga cili kënd bëhet soditja.
Kurse ajo që po shohim në vitin 2013 na cyt të pyesim nëse do të vazhdojë cikli i saktë edhe pas pavarësimit të vendit, të menduar si një stacion i fundit i një aspirate?
Vitet e ndryshimeve të mëdha
VITI 1974 SOLLI Kushtetutën e re të Federatës jugosllave, e cila avancoi në shkallën më të lartë deri atëherë autonominë e Kosovës, e brenda kësaj, edhe të drejtat e shqiptarëve. Me anë të kësaj Kushtetute, pozita politike e juridike e Kosovës iu afrua shumë funksionimit të republikave, gjë që mundësoi edhe përparimin më të madh në shumë fusha të shqiptarëve.
Mirëpo, më 1981-shin, pas demonstratave të studentëve dhe kërkesës për status të Republikës për Kosovën, filloi edhe prapakthimi nga zeniti që u arrit 7 vjet më herët. Serbët shfrytëzojnë edhe vdekjen e Josip Bros – Titos një vit më herët për të rikthyer nacionalizimin, dhe natyrisht se viktimat e para janë shqiptarët e Kosovës.
Sërish, pas 8-9 vjetësh, me demonstratat, fillimisht të serbëve, pastaj edhe me kundërpërgjigjen me demonstratat e shqiptarëve, fillojnë ndryshimet e mëdha në ish-Jugosllavi, që përkojnë edhe më rënien e Murit të Berlinit dhe fundin e Luftës së Ftohtë. Milosheviçi, që vjen në pushtet pikërisht duke përdorur sentimentin nacionalist, kryesisht kundër shqiptarëve, orkestron suprimimin e autonomisë së Kosovës. Prej këtu fillon edhe fushata për bërjen e shqiptarëve qytetarë të rendit të dytë, me dëbimin masiv nga vendet e punës, mbylljen e shkollave, mbylljen e mediave etj., kohë që sjell edhe një ndryshim rrënjësor të jetesës e organizimin e sistemit paralel nga shqiptarët.
Dhe, siç e dimë, duhet të kalojnë vetëm edhe 8 vjet të tjera që sërish gjithçka të përmbyset në Kosovë. Lufta e armatosur e UÇK-së ndaj forcave serbe dhe hakmarrja e këtyre të fundit ndaj civilëve sjell zhvendosjet e popullatës, vrasjet e masakrat, si dhe mobilizon Diplomacinë ndërkombëtare. Kjo i hap rrugë edhe intervenimit të NATO-s, tërheqjes së Serbisë nga Kosova, si dhe lirisë për shqiptarët.
Mirëpo, pavarësia e synuar për të cilën shqiptarët luftuan politikisht dhe militarisht, nuk erdhi shpejt. Si duket u desh të përmbyllet sërish cikli i rreth 8-vjetëshit. Përfundimisht, pas një cikli të zgjatur të negociatave me bashkësinë ndërkombëtare dhe Beogradin, Kosova në fillim të vitit 2008 përfundimisht shpallet shtet i pavarur dhe i njohur nga shumica e demokracive dhe shteteve më të zhvilluara të botës.
5 vjet pavarësi, 5 vjet vendnumërim?
TASH NDODHEMI NË vigjilje të 5-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit, pa dyshim arritjes më të madhe të Kosovës në entitetin e vet historik.
Mirëpo, me të gjitha avantazhet që ka sjellë pavarësia, ndjenja predominuese është se, megjithatë, diçka ka filluar të ngecë.
Sigurisht, nuk janë pak, jo, 5 vjet!
Dhe për këta 5 vjet shumë nga problemet e vitit të parë të pavarësisë kanë vazhduar të mbesin të njëjta, me nuanca të aty-këtushme.
Nuk është arritur një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.
Nuk ka pasur ulje të papunësisë.
Nuk ka pasur përparim të theksuar në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nuk ka pasur fare përparim në sektorin e shëndetësisë.
Nuk ka pasur ngritje të theksuar në cilësi të arsimit.
Nuk ka pasur integrim të Veriut nën administrimin e Prishtinës.
Nuk ia kemi dalë të sigurojmë as 100 njohje nga shtetet.
Nuk ia kemi dalë të anëtarësohemi në OKB.
Nuk ia kemi dalë të thyejmë bllokadën nga 5 shtetet mosnjohëse të BE-së.
Kemi mbetur oazë e izoluar sa i përket liberalizimit të vizave, me shenja të përkeqësimit të mëtejmë (rasti i Kroacisë).
Kemi qenë dhe kemi mbetur të fundit në Europë sa u përket proceseve integruese drejt BE-së dhe NATO-s.
Kemi mbetur pa ushtri.
Ka pasur rritje të manipulimit të zgjedhjeve.
Ka pasur ngushtim të hapësirës për median e lirë.
Një subjekt politik është forcuar shumë, duke i krijuar vetes ndjenjë vetëkënaqësie e komoditeti, që sjell zakonisht situata të shpërfilljes së rrezikut opozitar, e paralel me këtë edhe të mospërfilljes së vullnetit të qytetarëve.
Jam koshient se ka edhe një gamë të gjërave pozitive që kanë ndodhur përgjatë këtyre 5 viteve pavarësi, por këto të zeza që i listova më lart, jam i bindur se me një kujdes të shtuar qytetar, e mbi të gjitha, të liderëve institucionalë, do të mund të zbuteshin, e disa edhe të eliminoheshin.
Mirëpo, optimizmi ka filluar të venitet gjithnjë e më tepër dhe shenjat e një përmirësimi sistematik në këto fusha janë të pakta.
Shto këtu edhe idenë se edhe 5 vjet pas shpalljes së pavarësisë po e gjejmë veten edhe në një proces negociator me Serbinë, por i cili, edhe nëse do të prodhojë një marrëveshje të nënshkruar mes liderëve të Prishtinës e Beogradit, nuk do të nënkuptojë njohjen e Kosovës nga Serbia, ose anëtarësimin në OKB, ose thyerjen e bllokadës në BE e në NATO; për më tepër mund të nënkuptojë një status quo të re për Kosovën, e cila do të nxisë nevojën e nisjes së edhe të një procesi tjetër negociator, por me shumë më pak vëmendje ndërkombëtare.
Viti kërcënues – 2016!
ÇKA NË QOFTË se do të vazhdojë një gjendje e këtillë edhe në 6-vjetorin e pavarësisë? Çka nëse do të vazhdojë edhe në 7-vjetorin? A do të sjellë 8-vjetori, pastaj, përmbyllje edhe të një cikli, me një trandje të madhe shoqërore e politike në Kosovë, që do të ndryshojë sërish jetesën e qytetarëve rrënjësisht? Çka mund të sjellë viti 2016? A paraqet një afat kohor?
Historia e 40 viteve të fundit, siç e pamë, e ka përcjellë këtë cikël të çuditshëm prej mesatarisht 8 vjetësh, të cilit menduam se i dhamë fund me shpalljen e pavarësisë.
E nëse ndodh ndryshimi i madh, si mund të ndodhë?
Dhe cilat mund të jenë pasojat për Kosovën?
Add new comment