NBA në rrezik për këtë sezon; shtyhet starti i kampionatit

Kampionati i NBA-it në SHBA, aq i ndjekur edhe në Shqipëri ( e ku nuk është?) rrezikon të mos fillojë. Një gjë është e sigurtë qysh tani: dy javët e para nuk do të luhen. Ish planifikuar që nata e hapjes së kampionatit të ish 1 nëntori, por është marrë vesh tanimë se asgjë nuk do të ketë para datës 14 nëntor. Drejtuesit e League-ës dhe sindikatat e basketbollistëve kanë kohë që nuk po arrijnë të zgjidhin një kontrast të fortë lidhur me pagat e me ndarjen e të ardhurave të majme prej aktivitetit. Palët kanë negocjuar mbrëmë mbi shtatë orë, por kanë dalë me fytyra të trishtuara. Nuk u arrit asnjë marrëveshje. “Jemi aq larg në qëndrime, sa nuk po shoh asnjë mundësi se si mund të arrijmë një marrëveshje”, u shpreh komisioneri i NBA-it, David Stern.
Të ardhurat prej NBA-it janë aq të mëdha, sa vetëm nga dy javët që nuk do të ketë ndeshje, do të humbasin disa qindra milionë dollarë. Ndërsa ndjekësit e basketbollit amerikan në TV nuk do të kenë rast të shohin pas një pauze disa mujore yjet e këtij kompeticioni. Ndonjërin syresh mund ta shohim në kampionate të tjera. Kobe Bryant është duke negocjuar kalimin e tij në Itali. Por edhe kjo negociatë ka mbetur pezull.
Re.Pu.
Add new comment