Brukseli: Të paktën tani kemi premtime nga Tirana

Ka kaluar pa ndonjë bujë të madhe vizita tri-ditore në Tiranë e Stefano Sanino-s, drejtorit të përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Europian. Në fakt, vizita ka qenë e planifikuar për t’mos provokuar bujë mediatike, ngaqë Sanino-n nuk e kemi parë të japë intervista apo të thotë gjëra lidhur me qëllimet dhe rezultatet e vizitës së tij. Por qëllimi është marrë vesh, sidoqoftë. Ai, si i dërguar i Brukselit, ka dashur t’i bëjë dhe një lexim të fundit klimës politike në Shqipëri përpara se të bëhet mbledhja e Këshillit të Ministrave të BE-së në muajin dhjetor, në të cilën do të mund të jepej informacioni mbi një përmirësim të kësaj klime pas progres-raportit, gjë që mund të shërbente për ecurinë e procesit gjatë vitit tjetër.
Thuhet që Sanino të ketë thënë në qarqe të ngushta, se ka pikasur ca sinjale pozitive, dhe se situata është pak më e mirë se sa ajo e para disa muajve. “Tani kemi marrë disa premtime nga udhëheqësit politikë të Tiranës”, mësohet të jetë shprehur ai në biseda konfidenciale. “Ndoshta premtimet nuk kanë për t’i mbajtur, por prapëseprapë ky është një ndryshim. Deri para disa muajsh as premtime nuk merrnim dot”.
Sa e kanë ulur europianët nivelin e pritmërive nga Tirana!
E.G.
Add new comment