Agolli: Unë dhe Kadare jemi të ndryshëm

Dritëro Agolli mbush sot 80 vjeç. Është një fakt jo shumë i njohur, por Agolli ka lindur në të njëjtën datë me Migjenin: 13 tetor. Përkimi mbyllet në planin horoskopik, sidoqoftë. Po, janë poetë par ecxellence që të dy, por janë të ndryshëm. Shumë të ndryshëm.
Agolli kish dhënë sot një intervistë për Panoramën, në të cilën të tërhiqte vëmendjen shpjegimi i marrëdhënieve të tij me Ismail Kadarenë, dhe i një lloj impuniteti që ata kanë pasur në rrethanat e regjimit totalitar. “Kam përshtypjen se kjo vinte për vetë emrin që kishim krijuar dhe reputacionin jo të vogël që kishim”, shprehet ai.
Më poshtë Agolli përpiqet të çmontojë një si legjendë metropolitane, e cila thotë se ai dhe Kdaare kanë shkruar gjithë kohën si macja me miun. Mirëpo, në përpjekje për ta nxjerrë si të pathemeltë këtë legjendë, ai e konfirmon atë në një farë mënyre. “Edhe në shkollën e mesme të Gjirokastrës, por edhe këtu, derisa unë u bëra kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, ne kishim miqësi të vjetër dhe të mirë”, thotë ai, duke lënë të nënkutphet se historia e marrëdhënieve të tyre ndahet më dysh nga momenti, kur Agolli u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. I ngacmuar nga gazetari, Agolli thotë se nuk ka pasur arsye për xhelozira letrare, pasi “ne kishim drejtime të ndryshme në letërsi dhe secili nga ne kishte admirues të veçantë, që nuk konfondoheshin me njëri-tjetrin”. “Por sot kemi marrëdhënie normale; edhe para një muaji u takuam”, pohon ai në fund, duke dashur për herë të n-të të minimizojë keqkuptimet, moskuptimet e tensionin e përhershëm mes të dyve.
E.G.
Add new comment