VV: Ta dëmtojmë Serbinë nga Kosova

Aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje” të dielën e kanë ndalur kamionin me targa serbe SJ 001-UO, ndërsa pas verifikimit të prejardhjes së mallit e kanë rrotulluar atë. Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të kësaj lëvizjeje dërguar medieve.
Njoftohet se kamioni transportonte grurë nga Serbia dhe se aksioni është zhvilluar në kilometrin e parë të magjistrales Arllat-Malishevë.
“Në këtë situatë ku Serbia e vërshon tregun e Kosovës me mallrat e saj dhe Qeveria beson në vullnetin e mirë të Serbisë, neve nuk na mbetet tjetër përveç se ta dëmtojmë Serbinë brenda Kosovës”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Me tej theksohet se kjo lëvizje do të vazhdojë “me aksione politike, të cilat e mbrojnë interesin e vendit dhe njëkohësisht kërkon nga qytetarët që t’i bojkotojë mallrat e Serbisë e t’i konsumojnë mallrat vendore. Në këtë mënyrë dëmtohet Serbia dhe zhvillohet Kosova”. /zëri/
Add new comment