Trojka: Takimi me Ramën rezultativ, dëshiron dialog me mazhorancën

Ka zgjatur rreth dy orë takimi i Trojkës së ambasadorëve dhe kryesocialistit Rama, i zhvilluar në ambjentet e selisë rozë. Në takim kanë qënë të pranishëm Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, ai i OSBE, Eugen Wollfarth dhe ambasadori i SHBA në vendin tonë, Aleksandër Arvizu.
Situata politike në vend ishte thelbi i këtij takimi me dyer të mbyllura. Ambasadori i OSBE, Eugen Wollfarth në përfundim të tij deklaroi se takimi ishte rezultativ, pasi sipas tij, Rama ka qënë i gatshëm të dialogojë me mazhorancën. Kjo sic tha ai, është edhe një nga kërkesat që ambasadorët i kanë bërë të dyja palëve politike, për t’i hapur rrugë integrimit të vendit.
“Rama na kishte kërkuar edhe më herët për takim, por ky i sotmi ishte rezultativ. Zoti Rama na dha informacione shtesë në lidhje me propozimet që ka bërë për situatën aktuale që po kalon vendi. Nga ana e tij ka propozim për dialog, pra propozimi për të pasur bashkëbisedim me shumicën është me shumë rëndësi, nëse kjo merret parasysh deri pranverën e ardhshme duhet të fillojë dialogu”, tha Wollfarth.
Po sipas tij, palët do të kenë mbështetjen e ambasadorëve në këtë dialog. I njëjti mesazh u përcoll edhe nga Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi. Edhe ambasadori i SHBA-ve komentoi shkurt se do të mbështesë integrimin e Shqipërisë.
Pak ditë më parë Rama kërkoi një debat të hapur me Sali Berishën ndërsa theksoi se nëse qeveria nuk pranon paktin e PS nuk do të ketë integrim të vendit.
Add new comment