Tirana, miratohet plani urbanistik e rehabilitimi i sheshit 'Skënderbej'

Postuar në 11 Nëntor, 2011 01:02

Këshilli Bashkiak i mbledhur këtë të enjte pasdite ka miratuar vetëm me votat demokratëve projektin për planin e ri urbanistik të Tiranës. Partia Socialiste votoi kundër dhe tha se nuk mund të bëhet pjesë e një procesi të paligjshem pasi plani urbanistik i Tiranës është hartuar para dy viteve.
Bashkia e Tiranës ka përgatitur një studim analitik për Planin e Përgjithshëm urbanistik të kryqytetit. Përmes studimit, Bashkia e Tiranës do të nisë punën për hartimin e planit të ri, i cili do të jetë në maj 2012.
Ndërkohë Këshilli Bashkiak miratoi me 29 vota pro dhe 21 vota kundër, projektvendimin për rehabilitimin e qendrës së qytetit. Ndërsa sa i përket vendimit për krijimin e Komisionit për ndërtimin e Xhamisë së re ajo u miratua me konsensus midis palëve.
Këshilli Bashkiak i Tiranës gjatë mbledhjes së sotme shqyrtoi gjithsej shtatë projektvendime, që reflektojnë përpjekjet për krijimin e vendeve të punës, si dhe përfshirjen e qytetarëve në qeverisje.
STUDENTËT, KËSHILLI MIRATOI LINJËN E RE TË TRANSPORTIT URBAN 
Ora 22:16-Këshilli Bashkiak miratoi projektin e Kryebashkiakut Basha për krijimin e një linje të re autobuzi e cila do të shtrihet nga Qendra deri në Qytetin Studenti.Kjo linjë do t’u krijojë studentëve lehtësi në qarkullim dhe do të ofrojë shërbimin, në përputhje me Kartën Bashkiake të Studentit.
MIRATOHET KRIJIMI I BORDIT PËR ARTIN DHE KULTURËN
Ora 22:15-Këshilli Bashkiak miratoi projektin për krijimin e Bordit për Artin dhe Kulturën. Ky bord që do të ketë si detyrë miratimin e fondeve në këtë fushë, çka do të sjellë përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet.
Krijimi i këtij Këshilli, është një hap përpara në premtimin e Bashës për të investuar në art dhe kulturë dhe për t’i vendosur artistët në vendin që ata meritojnë, në krye të këtij angazhimi.
Në këtë këshill marrin pjesë emra të njohur të artit e kulturës si Ali Oseku, Timo Flloko, Vikena Kamenica, Arben Skënderi, Gent Korini, Erfort Kuke, Parid Teferiqi, Genc Çocoli, Yllka Mujo, Kreshnik Tartari, Marjeta Zaçe, Miço Papadhopulli, Bujar Shehu.
MIRATOHET VENDIMI PËR STRUKTURËN ORGANIZATIVE TË BASHKISË
Ora 22:05-
Këshilli Bashkiak miratoi me 29 vota pro projektvendimin për strukturën organizative të ndërmarrjeve në varësi të Bashkisë.
Bëhet fjalë për tre ndërmarrje, dhe një tjetër që merret me mirërritjen e fëmijëve.
Ky projekt ka si qëllim që t’u sigurojë qytetarëve shërbim më efiçent dhe më të mirë në kopshte e çerdhe, në parqet dhe hapësirat çlodhëse dhe në qendrat kulturore të Tiranës.
Këto ndryshime do t’i kursejnë qytetarëve 1 milionë dollarë në vit dhe kjo është pjesë e angazhimit të Kryebashkiakut për uljen e barrës fiskale, për llogaridhënie në qeverisje dhe për mbrojtjen e taksave të qytetarëve.
MIRATOHET RREGULLORJA E AGJENCISË PËR MBROJTJEN E KONSUMATORIT
Ora 22:00-
Pas krijimit të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumaorit, Këshilli Bashkiak miratoi rregulloren e saj. Ky vendim ka të bëjë me fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, e cila mbron qytetarët e Tiranës nga spekulimet.
Miratimi i rregullores do të bëjë të mundur mos përplasjen e kompetencave të Agjencisë me institucionet e tjera të pushtetit qëndror.
XHAMIA E RE, MIRATOHET UNANIMISHT KRIJIMI I KOMISIONIT
Ora 21:42- Këshilli Bashkak miratoi unanimisht vendimin për krijimin e Komisionit për ndërtimin e Xhamisë së re. Ky komision do të përfshijë zërin e qytetarëve, në procesin e ndërtimit të saj dhe përbëhet nga drejtuesit e Komunitetit Musliman, të institucioneve qendrore dhe vendore.
MIRATOHEN NDËRHYRJET NË SHESHIN "SKENDERBEJ”
Ora 21:15- Këshilli Bashkiak miratoi me 29 vota pro dhe 21 vota kundër, projektvendimin për rehabilitimin e qendrës së qytetit. Propozimi i kryebashkiakut Basha ka të bëjë me lehtësmin e trafikut në sheshin “Skenderbej” dhe përreth tij. Sipas tij , qendra është më shumë se sa hapësira fizike që ajo zë, është ndërlidhëse e lagjeve të ndryshme dhe është projektuar për të ndihmuar qytetarët, në jetën e tyre të përditshme. Ky projektvendim miraton sipas ligjit, punën e bërë deri tani nga Bashkia në qendrën e qytetit, e cila do të jetë e kalueshëme nga kalimtarët dhe mjetet, brenda 15 nëntorit.
PLANI URBANISTIK MIRATOHET VETËM ME VOTAT E KËSHILLTARËVE TË PD
Ora 19:50 Me 29 vota pro dhe 24 kundër, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi fillimin e procesit të planit urbanistik të Tiranës.
Këshilli Bashkiak pasi ka debatuar në lidhje me propozimin që kreu i Bashkisë paraqiti sot për nisjen e procesit të planit urbanistik të Tiranës, miratoi vetëm me votat e këshilltarëve demokratë nisjen e këtij procesi. Bashkia e Tiranës ka përgatitur një studim analitik për Planin e Përgjithshëm urbanistik të kryqytetit. Përmes studimit, Bashkia e Tiranës do të nisë punën për hartimin e planit të ri, i cili do të jetë në maj 2012.
BASHA: TIRANËS I DUHET PLANI URBANISTIK! DALIPI: NUK VOTOJMË
Ora19:45 Kryebashkiaku i’u kërkoi këshilltarëve bashkiakë bashkëpunim për të realizuar atë ç’ka kanë nevojë me të vërtetë qytetarët e Tiranës
Duke iu përgjigjur pretendimeve të përfaqësuese të opozitës se duhet të merrt parasysh plani i administratës së mëparëshme të Bashkisë, Basha bëri thirrje, “ t’i futemi punës që madhe që na pret, asaj që tashmë i jemi futur dhe ta vazhdojmë atë, në të mirë të shërbimit të qytetarëve. Ky është thelbi i asaj që unë kërkoj”.
Ai ftoi edhe njëherë anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që të miratojnë planin e propozuar urbanistik, në të mirë të qytetarëve të Tiranës.
“Ju siguroi se Tirana nuk ka asnjë plan urbanistik. Është e çuditshme që këtë e degjoni disa herë dhe nuk e pranoni”,- u tha Basha anëtarëve të opozitës.
Përfaqësuesi i opozitës Alfred Dalipi, u përgjigj duke përsëritur se “plani ekziston dhe prej dy vitesh është në faqe zyrtare të Bashkisë, për të cilin janë dhënë dy milionë euro. Vota jonë për planin do të jetë kundër”.
“Reflektoni dhe njëherë për vendimin tuaj. Nëse doni që të flasim pse janë harxhuar para dhe s’ka një plan të ligjshëm, unë mund ta bëjë këtë debat ditë dhe natë. Por nuk është në interesin tim për të gjetur fajtorin”, -nënvizoi Basha.
KOSOVRASTI: TE ZYRTARIZOJMË NISMËN
19:29 Kryetari i Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, ftoi përfaqësuesit e opozitës që të miratojnë projektvendmin për zyrtarizimin e nisjes së hartimit të Planit Urbanistik.
“Jemi në fillimin e punës për këtë proces, nuk po flitet për një plan që duhet të rishikohet. Ti japim mundësinë Kryetarit Basha për këtë nisëm”,- tha Kosovrasti.
Por, përfaqësuesit e opozitës gjykojnë se plani i fundit i administratës së mëparëshme të bashkisë nuk duhet të hidhet poshtë, pasi sipas tyre ky vendim përbën një faturë të rëndë financiare.
DEBATE PËR PLANIN URBANISTIK
Ora 19:19 Debate në Këshillin Bashkiak sa i përket planit urbanistik të Tiranës. Këshilltarët socilalistë kërkojnë që plani urbanistik të ketë një vizion më të gjerë.
Në përgjigje të këshilltarëve të majtë Basha u ndal në fillimin e përpilimit të planit urbanistik.
“Duhet të ecim mbi një plan me të dhëna të përditësuara për interesat e qytetit dhe qytetarëve. Jam i vendosur të jap një dokument të plotë për këto interesa. Ka çështje, të cilat nuk mund t’i zgjidh një plan urbanistik, por besoj që plani i përfunduar sipas parametrave do t’i shërbejë brezave të ardhshëm",- u shpreh Basha.
Këshilltarët e Partisë Socialiste deklaruan se Këshilli Bashkiak ka miratuar njëherë më parë planin urbanistik të kryeqytetit dhe mund të miratohet vetëm ndonjë ndryshim i tiji.
“Rruga më e shkurtër për të patur plan rregullues të mirëfilltë pasi ka patur një të tillë në fakt, do të ishte sikur ju ta paraqisnit planin mbi të cilin ne të bënim përmirësime. Edhe më i miri të jetë si projekt ka nevojë të përmirësohet. Rruga sinqerisht është e gabuar dhe nuk duhet vazhduar kështu”,- theksoi këshilltari i majtë Mehmet Hasalami.
Kreu i Bashkisë Lulzim Basha i ka kërkuar këshilltarëve socialistë të jenë pjesë e procesit të planit urbanistik të qytetit, duke theksuar se Tirana nuk ka një plan të tillë.
“Nuk kam anjë kërkesë të merremi me cështje boshe, por nuk jam aspak dakort se vlen për të gjtihë qytetarët se qyteti ka vijuar të masakrohet në aspiratat e veta. Dhe unë do bëhem një garant. Është mungesa e planit një nga shkaqet kryesore që situata është problematike. Jam i sigurt që kjo ndodh në Tiranë”,- theksoi Basha. 
balkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.