Sistemi i ri zgjedhor, PD-ja dhe PS-ja “shesin” aleatët e tyre

Postuar në 28 Tetor, 2011 07:45

Refuzimi i demokratëve sjell tërheqjen e socialistëve për rishikimin e pragut elektoral

PD dhe PS shesin aleatët dhe vendosin të mos ndryshojnë sistemin zgjedhor. Refuzimi i PD-së në mënyrë kategorike për të mos diskutuar në lidhje me sistemin zgjedhor, pasi nuk është pjesë e 52 rekomandimeve të ODIHR, ka detyruar dhe PS-në të tërhiqet nga qëndrimi i saj. “Ne nuk duam të kushtëzojmë reformën me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pra nuk është në interesin tonë”, tha Gjiknuri. Siç duket dhe kjo reformë zgjedhore do të realizohet me ndikimin e dy partive të mëdha, të cilët do të synojnë të mbajnë këtë statusquo, monopolin e Parlamentit, duke mos ndryshuar sistemin zgjedhor në Shqipëri. Mes negociatorëve të dy kampeve, mazhorancës dhe opozitës, ka pasur bisedimeve gjatë këtyre ditëve. Një gjë e tillë konfirmohet për gazetën “Shqip” nga të dy negociatorët, Damian Gjiknuri i PS-së dhe Viktor Gumi i PD-së. Po përveç çështjes së sistemit mësohen dhe pikat për të cilat palët ndahen deri më tani. Demokratët shprehen se ato ndahen në çështjen së duhet të diskutohet vetëm brenda 52 rekomandimeve dhe se gjithçka duhet të diskutohet brenda tryezës. Pra zgjidhja të gjendet brenda komisionit të reformës. Në të kundërt, PD-ja i qëndron qëndrimit të mbajtur nga Kryeministri Berisha, që PS-ja t’i drejtohet vetë Komisionit të Venecias. Por sipas të mandatuarit për negociata, socialistit Damian Gjiknuri këtu është edhe hileja, pasi ODIHR nuk mund të investohet nga një parti politike, por nga ana e Komisionit të Reformës Zgjedhore. “Ishte Komisioni i Venecias dhe ODIHR-it. U takuan të dyja palët dhe u bë e qartë që mënyra e vetme për të ofruar asistencë është nëpërmjet Komisionit të Reformës Zgjedhore. Pra, përtej asaj që thuhet se partitë kanë të drejtë të drejtohen, ky ishte një spekulim. Realiteti është që ata do të punojnë me komisionin zyrtar të ngritur nga Kuvendi. Shpresojmë që dhe pala tjetër të jetë e gatshme që sa më shpejt të fillojë tavolina e reformës zgjedhore”, tha Gjiknuri. Më tej, ai bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe pavarësisht deklaratave, ka pasur negociata mes palëve. “Ka komunikim me palën tjetër dhe kjo është shumë e rëndësishme për të nxjerrë një produkt të përbashkët. Këto janë zyrtare. Nuk ka rëndësi që gjërat të bëhen përpara mediave, sepse kur ulen ndonjëherë dhe nuk ka zgjidhje, kthehen më shumë në një debat politik. Do të kemi një ndërmjetësim intensiv nga komuniteti ndërkombëtar për të arritur një produkt të arsyeshëm duke reflektuar ato shqetësime që ka opozita, por edhe ato shqetësime që i ka shprehur mazhoranca”, tha Gjiknuri. Më tej negociatori socialist u shpreh se “jemi duke biseduar me palën tjetër. Shpresojmë që të fillojmë sa më shpejt, duke adresuar kryesisht rekomandimet e ODIHR-it, por në përgjithësi, të gjitha problemet kryesore janë aty. Pra, në një mënyrë apo një tjetër janë të reflektuara në rekomandimet e ODIHR”.

(Gazeta Shqip)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.