Sekuestrohen 2.5 kg. heroinë në Durrës, arrestohet korrieri

Postuar në 27 Mars, 2015 05:57

Një sasi prej 2.5 kg. lëndë narkotike e llojit heroinë është sekuestruar natën e kaluar, në portin detar të Durrësit, nga sektori i anti-narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. 

Automjeti tip 'Citroen', ngjyrë gri, me targa AA530KZ, i drejtuar nga shtetasi Petrit Meta, i është nënshtruar kontrollit policor para imbarkimit në tragetin e linjës Durrës-Bari. 

Sipas burimeve policore, informacioni paraprak i siguruar në rrugë operative për trafik narkotikësh ka rezultuar i saktë, pasi gjatë kontrollit brenda serbatorit të automjetit, u gjetën 5 pako të mbështjella me natriban dhe me mbishkrimin “Afganistan” në to. 

Pakot ishin të mbështjellë dhe me letër alumini, brenda të cilave ndodhej lënda narkotike me peshë totale 2 kilogramë e 586 gramë. 

38-vjeçari Petrit Meta, nga Lushnja, dyshohet se ka luajtur rolin e korrierit të drogës, ndaj po hetohet për personat e tjerë të përfshirë në këtë rast të trafikut ndërkombëtar të heroinës, që dyshohet se ka mbërritur nga Afganistani me destinacion tregun europian të narkotikëve. 

I arrestuari për trafik narkotikësh është i martuar dhe person pa precedentë penalë.
/ Top Channel 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.