Rusia përcjell Nemtsov; Kremlini kufizon pjesëmarrjen e politikanëve të huaj

Postuar në 03 Mars, 2015 06:43

Varrimi paraprihet nga një ceremoni publike në qendrën e të drejtave të njeriut Andrei Sakharov, ku mijëra qytetarë po bëjnë homazhet e tyre para arkivolit me trupin e të ndjerit. 

Figura të ndryshme politike të huaja dhe ruse janë ndaluar të marrin pjesë në varrim. Mes tyre, Bogdan Borusewicz, kryetar i Senatit polak që do të udhëhiqte një delegacion nga vendi i tij, por që iu mohua viza. 

Administrata ruse deklaroi se ai ndodhet në listën e zyrtarëve polakë të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi për shkak të sanksioneve të Perëndimit. 

Politikania letoneze Sandra Kalniete, të cilës i është ndaluar hyrja kur ka mbërritur në aeroportin Sheremetyevo të Moskës. "Unë nuk po shkoja në Rusi për të bërë deklarata politike e as për të ofenduar njerëzit. Po shkoja për t'i bërë homazhe Boris Nemtsov, të cilin e konsideroj një nga personat më të admirueshëm të politikës ruse", deklaroi Kalniete. 

Liderit tjetër të opozitës ruse, Alexei Navalny, që ndodhet në burg për një dënim 15-ditor për shpërndarje fletushkash që bënin thirrje për protesta, nuk i është dhënë leje për të marrë pjesë në varrim. 

Navalny e apeloi këtë vendim të gjykatës, por apeli i tij do të shqyrtohet vetëm të mërkurën, një ditës pas ceremonisë mortore. 

Ndërkohë, ish-kryeministri britanik John Major, të cilit i është lejuar pjesëmarrja, është shprehur se, kjo është vizita më e trishtueshme e tij në Moskë. 

Nemtsov, një kritik i ashpër i presidentit Vladimir Putin, u vra natën e së premtes në një urë pranë mureve të Kremlinit. Dhjetëra mijëra persona marshuan të dielën në rrugët e Moskës në nder të tij, me opozitën që deklaron se rreth 50 mijë njerëz morën pjesë në marshim. 

Vetë Nemtsov duhet të drejtonte një protestë të opozitës atë ditë, por vrasja e tij bëri që ajo të kthehej në një manifestim të heshtur. 

Aleatët e të ndjerit kanë akuzuar Kremlinin për përfshirje në vrasje, ndërsa presidenti Putin e dënoi krimin duke e cilësuar si “të ulët” dhe “provokues” dhe duke u zotuar për të gjetur vrasësit. 

/ Top Channel 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.