QSUT burim infeksionesh, Gecaj: 50 gjoba për mungesë higjiene

Në Qendrën Spitalore Universitare shkon të kurosh një sëmundje dhe del me dy. Analizat për pastërtinë tregojnë se në mjediset spitalore dhe sallat e operacionit të kësaj qendre niveli i infeksioneve është i lartë. Kështu thonë inspektorët e Drejtorisë së Shëndetit Publik të Tiranës, të cilët po monitorojnë QSUT-në në lidhje me infeksionet spitalore, nivelin e higjenës por dhe pajisjen me libreza të punonjësve.
"Aktualisht janë rreth 50 masa administrative. Kemi konstatuar probleme të infeksioneve spitalore, persona që shkojnë me një dhe dalin me dy infeksione. Kjo nuk do të tolerohet nga ana jonë. Është e papranueshme që një mjek i cili vjen nga lokali dhe shkon futet direkt në sallën e operacionit", thotë Mëhill Gecaj, Drejt i Shëndetit Publik, Tiranë.
Gjoba janë vendosur edhe për sanitarët, kryeinfermierët dhe shefat e pavioneve, të cilët nuk janë kujdesur për higjienën në sallat e operacioneve. Më problematik është Spitali Nr.1 dhe sallat e operacionit në të, por dhe spitali i Sëmundjeve të Brendshme. Gjoba kanë marrë edhe mjekët, por edhe shefat e pavioneve, që nuk kanë qenë të pajisur me librezë shëndetësore.
"Vetë punonjësit, mjekët, infermierët dhe gjithë personeli mjekësor duhet të ketë librezën shëndetësore të lëshuar nga Instituti i Shëndetit Publik. Pra, ky person së pari duhet të jetë vetë i garantuar për problematikat të cilat kanë të bëjnë me shëndetin publik", thotë Gecaj.
Inspektimet në QSUT parashikohet të kryhen deri në fund të janarit. Menjëherë pas kësaj qendre spitalore, inspektorët e Drejtorisë së Higjienës do të kontrollojnë edhe dy Maternitetet e Tiranës.
Julia Bardhushi
Albanian Screen
Add new comment