Pranga biznesmenit 29-vjeçar, pastroi para

Policia e Shtetit njoftoi sot arrestimin e biznesmenit Vaid Tarja, 29-vjeç pronar i tri kompanive, “U&E MANAGMENT”, “ALBA-CLEAN”, dhe “SILVIO”. Biznesmeni akuzohet se ka përfituar një shumë të konsiderueshme parash në mënyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit të policisë, biznesmeni akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të kompetencave”, “Fshehjes së të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, pasi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë të konsiderueshme prej 3.705.555 USD, të cilën ka tentuar ta investojë në biznese të ligjshme, duke konsumuar kështu dhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Arrestimi i këtij shtetasi është bërë në kuadër të operacionit “CLEAN”, dhe nga hetimet ka rezultuar se gjatë ushtrimit të veprimtarisë të shoqërisë “U&E Managemant” sh.p.k. në shtator të vitit 2010 është realizuar një shitje në një vlerë prej 3.705.555 USD, shitje kjo e padeklaruar në organet tatimore.
Po sipas policisë, fshehja e shitjes ka qenë e qëllimshme për mosdeklarimin e të ardhurave, duke iu shmangur kështu dhe detyrimeve tatimore.
“Shuma prej 3.705.555 USD rezultoi që të jetë tërhequr nga shtetasi Vaid Tarja, nga llogaritë bankare të shoqërisë “U&E Managemant” sh.p.k, duke qenë dhe në detyrën e administratorit të kësaj shoqërie. Të gjithë këtë shumë të përfituar në mënyrë të paligjshme ky shtetas ka tentuar të investojë në biznese të ligjshme, duke krijuar dhe Shoqëri të ndryshme”- thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
Panorama
Add new comment