Milot-Morinë, qeveria: Me pagesë

Në fund të këtij muaji pritet të hapet tenderi për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes dhe operimit për autostradën Milot-Morinë. Që nga fillimi i muajit tetor, kohë kur u dorëzua edhe raporti i IFC-së për studimin që u krye mbi këtë rrugë, qeveria ka studiuar përfundimet dhe në fund ka miratuar dje vendimin, ku propozohet që Ministria e Punëve Publike të jetë autoriteti kontraktues që do të menaxhojë procesin e dhënies me koncesion.
Me studimin e IFC-së është bërë vlerësimi dhe analiza e rentabilitetit, fizibilitetit dhe përshtatshmërisë financiare për këtë rrugë. Shumë shpejt me shpalljen e tenderit pritet të vijnë dhe ofertat e kompanive. Për “Rrugën e Kombit” mbetet ende një pjesë e papërfunduar që nga Banka Botërore është propozuar të bëhet me dy korsi dhe që në fakt do të merret përsipër nga koncesionari ose të paktën kështu përcakton vendimi i Këshillit të Ministrave i miratuar një ditë më parë. “Koncesioni do të jetë i formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim në pronësi)”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Koncesioni
Mirëmbajtja e autostradës Milot-Morinë i kushton çdo vit buxhetit të shtetit miliona euro, kjo edhe për shkak të zonave se ku kalon kjo rrugë. Një propozim i dhënies me koncesion të mirëmbajtjes është dhënë me herët në një raport të konsulentit Luis Berger dhe duket se qeveria e mori në konsideratë. Qytetarët që do duan të kalojnë nëpër autostradë, do të duhet që tashmë të paguajnë një taksë, e cila nga Ministria është preferuar të mbahet konfidenciale për shkak edhe të diskutimeve që janë në proces. Kjo taksë do t’i paguhet kompanisë që do të fitojë tenderin dhe, përmes mbledhjes së saj, kompania do të duhet të mbulojë gjithë shpenzimet për mirëmbajtjen dhe operimin e rrugës, por dhe kostot e tjera të saj. Deri më sot janë lakuar shifra të ndryshme se sa do të jetë tarifa, por e sigurt është që nuk ka asnjë tarifë zyrtare dhe përfundimtare, kjo pasi tarifa do të vendoset gjatë fazës së konkurrimit të operatorëve që do të bëhen pjesë e tenderit. Për të përftuar një tarifë, gjithçka ka kaluar përmes sondazheve dhe skenarëve të ndryshëm, në mënyrë që vlera që do të vendoset si pagesë, të jetë e përballueshme për qytetarët dhe, nga ana tjetër, të jetë e favorshme për kompaninë. Për të gjithë ata që nuk do të duan të paguajnë taksë, është opsioni i rrugëve dytësore që shmangin kalimin nëpër autostradën Milot-Morinë dhe që çojnë nëpër gjithë destinacionet që përfshin ky aks. Pritet që në muajt e parë të vitit 2012 operimi dhe menaxhimi i autostradës t’i kalojë koncesionarit. Ky është projekti i parë pilot për dhënien me koncesion të infrastrukturës, të cilën do ta pasojnë edhe rrugë të tjera, siç janë Tiranë-Elbasan, Vlorë-Fier dhe me radhë gjithë rrugët e tjera të reja që po ndërtohen.
2 milione euro
në vit i kushton buxhetit të shtetit mirëmbajtja e tunelit të Thirrës në autostradën Durrës-Kukës. Po 2 milionë euro i kushton buxhetit edhe mirëmbajtja e pjesës tjetër të rrugës
80 per qind
e trafikut që kalon në autostradën Milot-Morinë është trafik transit Kosovë-Shqipëri. Në raste koncesionesh, është ky trafik që luan rol të rëndësishëm në vlerën që merr koncesioni i një rruge.
Panorama
Add new comment