Kundër-reforma; 23 qershori, si shpjegohet?

DEBATI/ Henri Çili i rikthehet me një libër 23 qershorit dhe arsyeve të humbjes të së djathtës. Fryma anti-reformiste e shoqërisë shqiptare i dha së majtës dhe premtimeve utopike të saj pushtetin me një votë 1 milionëshe. Berisha dhe sfidat e Ramës në atë që ai quan “dekada e re”. Pjesa më poshtë është shkëputur nga eseja me titull KUNDER-REFORMA
DHE NJË SHPJEGIM (SUBJEKTIV) PËR 23 QERSHORIN që promovohet neser.
Ese nga Henri Çili/
Rezultati i 23 qershorit shkoi në teprim për së paku tri arsye.
Arsyeja e parë janë votuesit gri, pragmatistët, cinikët, siç dinë të jenë vetëm ata, të cilët i investuan kapitalet politike tek aksioneri, “kompania” më probabël për të fituar pushtetin. Që ishte opozita. Sidomos pas konfirmimit të koalicionit PS-LSI.
E dyta, ka të bëjë me publikun elitar, i cili e braktisi ose e ndëshkoi me indiferentizëm Berishën dhe PD-në, për shkak të degradimit të vazhdueshëm e të pandalshëm të cilësisë së elitës politike, apo të imobilizmit të kësaj elite, ndërtuar ose mbi emrat e disa ministrave 8 vjeçarë, të përjetshëm, ose me emrat e disa anëtarëve të tjerë të kabinetit, apo titullarëve të institucioneve të caktuara, të cilët ishin nën atë standardin minimal intelektual e profesional që mund të “përtypë” sot jeta publike.
Së treti ndoshta një gabim gjigant i Sali Berishës, ishte projektimi eternal në pushtet. Është ajo që, me cinizëm, thotë një mik i vjetër i tavolinave: “Berisha nuk u ndëshkua për atë që bëri, por për atë që tha.” Projektimi i përjetshëm i Berishës, që do të ishte në krye derikur ta thërriste i Gjithëpushtetshmi, krijoi në opinionin shoqëror një ankth. Përqendruar te pyetja: deri kur Berishën? Nëse Berisha do të kishte folur hapur, si një misionar në shoqëri, për nevojën e një mandati të tretë e të fundit, për të përmbyllur disa procese, sjellja elektorale do të kishte qenë cilësisht e ndryshme. Kjo humbje e sensit të realitetit, dhe ky projektim imagjinar i përjetshëm në pushtet, përshpejtoi, bashkë me fenomene të tjera në jetën shoqërore, dhe krijoi një korpus të rëndësishëm prej 1 milion votash. Ky korpus i pazakontë, në një fazë normale të gjërave, krijoi një anormalitet elektoral, një “22 mars” të pakuptimtë dhe të pavend në rrjedhjen politike të demokracisë shqiptare. Bash si acari që ia beh në mes të prillit, kur duket se gjithçka është normalizuar. Kur të gjithë, racionalë e iracionalë, flisnin për një rezultat të ngushtë, apo për një “rrotë më rrotë”.
Këta elementë shkallmuan rezultatin reformues që kjo mazhorancë kishte arritur realisht në 8 vjet, si kurrë më parë, duke krijuar premisat e një shoqërie të zhvilluar, duke krijuar shtratin e një shoqërie të zhvilluar, duke krijuar institucionet formale dhe informale, mentalitetin e sipërmarrjes së lirë. Gjithsesi, mendoj se shpjegimi i asaj që ndodhi nuk është te Sali Berisha: ai e ndihmoi këtë rezultat, por nuk e shkaktoi atë. Shkaku gjendet tjetërkund, pikërisht te një gjendje shoqërore, e cila e ka burimin në antropologjinë tonë politike, në kulturën e shoqërisë shqiptare, dhe më gjerë në kontekstin e Europës Kontinentale, në ciklin e krizës ku u ndodh bota në 5 vitet e fundit. Këtë fenomen do ta quaja antireformizëm, vullnet, impuls antireformist, vullnet imobilist, sedentar i shoqërisë shqiptare në një moment dhe në një fazë të caktuar të zhvillimit të saj.
Duke qenë krenar dhe i përmbushur që kam mbështetur alternativën e PD-së, të Sali Berishës dhe forcave të djathta, dhe thellimin apo përmbylljen e disa reformave në vend, duke pranuar dialektikën e të qenit minorancë numerike në një moment të caktuar, por duke besuar te këto ide, është detyrë publike dhe intelektuale vijimi i debatit publik, i përgjegjësisë qytetare në raport me rolin modest, që ka një kategori si e imja në shoqërinë shqiptare, për të pyetur dhe për të dhënë përgjigje. Ose së paku për të shtruar disa pikëpyetje të reja.
Pikërisht në të kundërt të kësaj, të një nevoje logjike të mbështetjes së programit përgjithësisht liberal të Berishës, qëndron dhe kritika energjike për tendencat puniste apo zellin joreformator që manifestoi programi i Rilindjes në tërësi. Sintetizuar kjo edhe me një episod të ‘përplasjes’ me kreun e opozitës Edi Rama, në studion e “Opinion”, ku bashkë me kolegun Armand Shkullaku u përballëm me shprehjen tashmë të shumëdiskutuar “ju jeni fytyra e injorancës”. Bëhej fjalë për sistemin shëndetësor britanik për të cilin, në kundërthënie me atë që është “mainstream”, me atë që është “njohuri popullore”, i thashë Ramës që ai sistemi që po merrni si shembull, “është një dizastër”.
Megjithëse opozita, për herë të parë, strukturoi një program qartësisht të majtë dhe “diagnostikoi” shumë prej problemeve që ka sot shoqëria shqiptare, fatkeqësisht zgjidhja e tyre shkon në drejtim të gabuar, ose të kundërt, ose çmonton disa shkallë të reformave në vend. Një kritikë liberale e programit të Rilindjes ka qenë permanente gjatë kësaj fushate nga ana ime. Besoj megjithatë se Rama, me gjithë tipin e tij reformator nga konstrukti personal, social, por dhe profesional, përtej “sindromit të piktorit” që do ta krijojë nga e para botën, bëri një kompromis shumë të madh me populizmin, me antireformizmin si tendencë shoqërore, me regresin. Ai i ka përgatitur vetes disa premisa, edhe pse çmoj dy pika të programit të tij, legalizimet dhe policinë e shtetit, apo një kurth të madh me potencial dështimi në reformimin e vendit.
Në lidhje me qeverisjen “Rama” apo të ardhmen e saj, paradoksalisht, pikëpamja që mbroj është që Rama do të jetë profesionalisht i suksesshëm në programin e tij, në zbatimin e tij, sa më shumë ta braktisë programin me të cilin erdhi në pushtet. Shkalla e kompromisit, shkalla e përfaqësimit të populizmit, shkalla e mbrojtjes së antireformizmit në shoqërinë shqiptare është një kompromentim, një rrezik i frikshëm për suksesin e çdo qeverie. Edhe sikur ajo të ishte një qeveri neutrale, dhe jo më një kabinet i majtë; edhe sikur gjendja e punëve të Shqipërisë të ishte shumë mirë, jo më që është në një pikë kritike; edhe sikur bota të qe nën një erë të mbrothët zhvillimi, ndërkohë që është rrethuar nga një furtunë krizash.
Pikëpyetjet që lindin
Pas 23 qershorit dhe me fillimin më 9 shtator të punës së qeverisë së re, shtrohen disa pyetje. Pyetja bazë, pikëpyetja e madhe që shtrohet para qeverisësve të rinj të Shqipërisë, të cilët kanë pas një milion vota është: cila është struktura apo modeli ekonomik mbi të cilin do ta zhvillojnë Shqipërinë? Ashtu si në një familje të madhe, çdo shoqëri ka pak a shumë të njëjtën detyrë, ku do t’i gjejë paratë, ku do t’i gjejë burimet e rritjes, ku do të punojë babai ose nëna, djali apo vajza, ku do të shkollohet apo emigrojë për të mbajtur ekonominë e familjes? Kjo pyetje kërkon përgjigje emergjente, të cilën fatkeqësisht nuk e mori dot gjatë fushatës elektorale, nuk e gjeti te programi i Rilindjes.
Në kushtet e një nevoje gjithnjë e më të madhe për para, me një mjekësi që bëhet më e shtrenjtë, më teknologjike, më e kushtueshme, me shërbime anësore gjithnjë e më të shtrenjta, cili është mekanizmi për të kapërcyer pragun e shëmtuar të ryshfetit në shëndetësi dhe nevojën për një shërbim cilësor dhe dinjitoz për të gjithë. Ku do të gjenden paratë pra, për një sistem shëndetësor falas?
Në kushtet kur një arsimim cilësor kërkon shumë më tepër financim, në kushtet kur pedagogët, mësuesit duhen paguar mirë, administrata duhet paguar mirë, kur azhornimi i dijeve duhet bërë me kosto imediate, ku do të gjenden paratë për një arsimim cilësor? Dhe, mbi të gjitha, si do të motivohet një ushtri e tërë e mësuesve apo pedagogëve në sektorin publik, për të cilët qeveria gjithmonë ka mundësi të kufizuara për t’i paguar normalisht, dhe jo më për t’i shpërblyer mirë? Çfarë do t’i motivojë ata dhe çfarë do t’i detyrojë madje që të punojnë më mirë dhe më me cilësi? Cili është mekanizmi që do të na çojë përpara në arsim? Njeriu i mirë në mësuesi? Pra, cila është baza e interesit të ligjshëm që arsimi të shkojë përpara? E kam fjalën për arsimin publik, në kushtet kur ai zë 90 për qind të sistemit, dhe për pasojë përbën 90 apo 100 për qind të problemit. Pa mohuar problemet e arsimit privat, të cilat shtrohen përsëri si zgjatim, si pasojë e mosushtrimit të rolit të shtetit osedefektit pozicional që ka shteti në arsimin e lartë privat.
Pyetja tjetër: si do të kemi një administratë civile, meritokrate, të motivuar dhe të depolitizuar? Mos socialistët, LSI-stët që do të vijnë në pushtet dhe në administratë për të zëvendësuar demokratët, që erdhën ‘pa të drejtë’, do të jenë apriori më të mirë, më të ndershëm, më korrekt, më kërkues? Cili është mekanizmi: njeriu i mirë socialist?
Si do ta kontrollojmë territorin dhe si shpjegohet që, në mënyrë të pandalshme, ne, megjithëse ngremë inspektorate, polici ndërtimore etj etj, vazhdojmë ta shkatërrojmë territorin, të ndërtojmë me një frenezi shoqërore të pashpjegueshme? Masat administrative do ta vendosin kontrollin e territorit? E kështu me radhë një seri pyetjesh.
Mbi të gjitha, kush do ta garantojë sundimin e ligjit? Pse ligji duhet të funksionojë më shumë tani se më parë? Vetëm se kemi një kryeministër tjetër që është më i ri dhe më i gjatë sesa Sali Berisha? Që ka lindur këtu apo është rritur atje, që është martuar 3 herë në krahasim me atë që është martuar 1 herë? Pra, cili është mekanizmi, cila është pse-ja, cili është parimi pse ne kemi shpresë që do të vendoset sundimi i ligjit? Pse nuk vendoset kultura e ligjit në një shoqëri si jona, në hapësirën tonë publike? Këto janë disa pyetje dhe disa pikëpyetje që shtrohen, të mprehta për zgjidhje dhe të rrezikuara të mos zgjidhen. Për faktin se i tillë ishte mesazhi i këtij 1 milionëshi; për mënyrën sesi u mboll dhe u korr mesazhi i këtyre një milion votave.
Është sfida e Edi Ramës për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Në këtë pikëpamje, këto pyetje dhe pyetje të tjera shtrohen pas kësaj vere të pambarimtë, kur për shkak të procedurave idiote kushtetuese, ndërrimi i pushtetit u kthye në agoni. Por, ndoshta kjo ‘shtyrje’ na dha kohë për refleksion.
MAPO
Add new comment