Gjykata e Lartë: "Arrest me burg" për Mark Frrokun

Postuar në 03 Prill, 2015 11:45

Gjykata e Lartë vendosi të premten masën e sigurisë 'arrest me burg' për deputetin Mark Frroku. 

Pas dhënies së vendimit, avokatët mbrojtës u shprehën për mediat se janë të befasuar nga dhënia e kësaj mase sigurie. "Arrestimi i klientit tonë është i paligjshëm, pasi për të nuk ka asnjë provë", thanë avokatët mbrojtës.

Seanca për dhënien e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak, sipas Prokurorisë, të ruajtjes së sekretit hetimor.

Në këtë seancë, organi i akuzës paraqiti akte, me të cilat avokatët mbrojtës të Frrokut nuk ishin njohur më parë, ndersa për deputetin u kërkua masa e sigurise "arrest me burg". 

Përveç akuzës për vrasje që bëhet nga drejtësia e shtetit belg, ndaj Frrokut u ngritën dy ditë më parë edhe dy akuza të reja; njëra për pastrim parash dhe tjetra për refuzim të deklarimit të pasurisë. 

Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një pasuri prej rreth 3 milionë dollarësh e zotit Frroku. 

Avokati i deputetit, Saimir Vishaj, i cilësoi absurde akuzat në fjalë, të ngritura pas një kallëzimi të ILDKP-së, si dhe urdhrin për ndalimin e klientit të tij, për të cilin tha se nuk ka asnjë rrezik që të arratiset. 

/ Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.