Debat në Parlament për “Ersekën”, Paloka: Autori i sulmit, militant i Ramës

Postuar në 07 Maj, 2015 06:42

Seanca kuvendore e kësaj të enjteje ka nisur me denoncimin e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, të ngjarjes së një dite më parë në mitingun e opozitës në Ersekë. \

Në fjalën e tij, Paloka ka akuzuar direkt lidershipin e mazhorancës se ka paguar autorin e sulmit ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. 

“Dje në Ersekë u sulmua fizikisht kreu i opozitës. Militanti që tentoi të godiste Bashën ishte paguar nga Rama dhe këtë e vërteton heshtja e kryeministrit. Ky militant është i lidhur me hallka të ndryshme të sistemit”, ka deklaruar Paloka. 

Ai i ka cilësuar si të turpshme reagimet e mazhorancës se, autori i sulmit donte të godiste xhaxhain e tij, ndërsa ka folur për një valë dhune që ka nisur prej kohësh ndaj opozitës. 

“Kohë më parë, një kriminel me emër kërcënoi kryetarin e opozitës. Për pushtet, mazhoranca është e gatshme ta çojë vendin në luftë civile”, ka thënë Paloka, duke shtuar se 21 Qershori do të jetë "dita e gjykimit". 

“Më 21 Qershor do t'i tregojmë kësaj mazhorance që vetëm në drejtimin e duhur nuk është. U bëjmë thirrje institucioneve dhe ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë, sepse kjo mazhorancë nuk ka asnjë përgjegjësi dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për qytetarët e saj”, ka shtuar Paloka. 

Shqetësim për ngjarjen në Ersekë ka shprehur edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. “Ishte një ngjarje e rëndë, por policia ka ndaluar personin që kreu sulmin”, ka thënë ai. 

  

/ Top Channel 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.