Berisha: Jo uljes së TVSH-së për artikujt bazë

Qeveria ka reaguar për herë të parë zyrtarisht ndaj nismës së opozitës për të ulur taksat tek artikujt më bazë të jetesës.
Kryeministri Sali Berisha tha se nuk do të pranojë uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, pasi kjo sipas tij do cënonte prodhimin vendas.
"Ne nuk mund të lejojmë që të varfërojmë fermerin i cili jeton me prodhimet e veta. Ai duhet t'i shesë ato për të patur një fitim", tha Berisha.
Ne fillim te muajit, Gramoz Ruci, kryetar i grupit parlamentar të PS-së, i ka dërguar kryetares së kuvendit Jozefina Topalli një propozim në formën e projektligjit për disa shtesa e ndryshime në ligjin për “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”.
Projektligji socialistëve një kopje të cilit është siguruar nga Top Channel, në katër nenet e tij synon që “furnizimi për grurin, miellin, bukën, qumështin, vezën, duhet të jenë furnizime të tatohen me 0% TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin janë furnizime të tatohen në masën 10%, duke filluar nga dt.1 janar 2012”. Ndërsa në nenin 3 projektligjit kërkohet që 'nga dt.1 janar 2012, furnizimi i barnave dhe shërbimeve shëndetsore nga institucionet shëndetsore, publike dhe private është furnizim i përjashtuar.”
Së bashku me projektligjin, kryetares së parlamentit i është dërguar një raport ku socialistët kanë parashtruar një sëre arsyesh përse TVSH-ja duhet të hiqet këto artikuj. 'Ushqimet bazë të shportës konsumatore, sot në Shqipëri, zënë më shumë se gjysmën e buxhetit të cdo familje me të ardhura mesatare, - thuhet në raport,- ndërkohë që shumica dërrmuese e familjeve shqiptare në fund të muajit, nuk kursejnë dot asgjë nga të ardhurat e tyre'.
Socialistët thonë se barra fiskale për çdo familje shqiptare gjatë 5 viteve të fundit është rritur me 18 %. Gjatë kësaj periudhe megjithëse të ardhurat disponibël për konsum ishin rritur me 44 %, vetëm disa nga zërat bazë për të përballuar jetesën e përditshme janë rritur si më poshtë:
Energjia elektrike është rritur 62 %;
Barnat jane rritur 43 %;
Shërbimi shëndetësor është rritur 50 %;
Mielli, Buka, Sheqeri, Vaji, Orizi janë rritur mesatarisht me 52 %.
Marrë nga top-channel
Add new comment