Akuzat e PD, OSHEE: Keqardhje po akuzon kush rrënoi kompaninë.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka reaguar sot ndaj akuzave të Partisë Demokratike pasi sipas kësaj të fundit kryekomunari i Otllakut në Berat rezulton debitor prej 35 mijë lekësh por ligji nuk vepron mbi të.
Përmes një komunikate për shtyp, OSHEE shpreh keqardhje për opozitën, duke shtuar se ata që çuan drejt rrënimit këtë kompani vijojnë që të hedhin akuza të pabaza ndaj tyre në vend që të ipmenjohen në rimëkëmbjen e sistemit energjetik në vend.
Sipas OSHEE-së, PD po bën politikë duke sulmuar këtë kompani, ndërsa shton se pavarësisht kësaj, aksioni kundër abuzuesve dhe vjedhësve të energjisë nuk do të ndalet.
Më poshtë komunikata e plotë për shtyp e OSHEE-së:
Keqardhje për opozitën, e cila në vend që të mbështesë rimëkëmbjen e kompanisë dhe të marrëdhënieve të qytetarit me shtetin në çështjen madhore të energjisë, bën politikë duke sulmuar OSHEE-në. Rasti i publikuar sot nga opozita lidhur me kryekomunarin e Otllakut është krejt ndryshe nga çfarë opozita akuzon. Keqardhje që opozita jo vetëm nuk ndjen asnjë përgjegjësi për braktisjen shkatërruese që i bëri kompanisë dhe për borxhin e rëndë që i la në kurriz, por në të kundërt, vetëm sulmon a thua se dëshiron jo suksesin po falimentimin e kësaj ndërmarrjeje strategjike për Shqipërinë.
Sidoqoftë, operacioni i shpallur nga qeveria dhe i realizuar nga kompania në terrenin e vështirë që kemi trashëguar nuk do të ndalet, përkundrazi do të thellohet. OSHEE i është mirënjohëse qeverisë për këtë mbështetje e vendosmëri të panjohur më parë për kompaninë, si edhe konkretisht për verifikimin e plotë të shlyerjes së detyrimeve nga punonjësit e administratës publike. Nga ky verifikim masiv do të kemi për herë të parë papajtueshmëri të plotë mes çdo kujt që punon në shtet dhe detyrimit të papaguar të energjisë.
Add new comment