Bastet e paligjshme, Italia bllokon Polymarket
Polymarket nuk është më i aksesueshëm në Itali që nga 27 korriku. Agjencia e Doganave dhe Monopoleve (ADM) e bllokoi platformën kryesore ndërkombëtare të parashikimit të basteve në Itali në kuadër të goditjes kundër lojërave të paligjshme fatit.
Bllokimi pason një përplasje gjyqësore që daton në nëntor 2025. Polymarket ishte përfshirë nga ADM në listën e platformave të paautorizuara për të ofruar shërbime që lidhen me lojërat e fatit të drejtuara nga shteti në Itali, por Gjykata Administrative Rajonale e Lazios kishte urdhëruar rihapjen e faqes.
Polymarket argumenton se ofron një treg parashikimi bazuar në shkëmbimin e shanseve mes përdoruesve dhe jo një shërbim tradicional bastesh, ndërsa autoritetet italiane këmbëngulin se aktiviteti i saj i nënshtrohet legjislacionit për lojërat e fatit. Pezullimi rrezikon gjithashtu marrëveshjen e sponsorizimit mes platformës dhe klubit italian S.S. Lazio.
Italia nuk është rasti i vetëm. Platforma e tregjeve të parashikimit Polymarket po përballet me kufizime gjithnjë e më të shumta në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës, ndërsa autoritetet e konsiderojnë aktivitetin e saj si të ngjashëm me lojërat e fatit dhe kërkojnë që ajo të operojë me licencat përkatëse.
Franca, Turqia, Spanja dhe Holanda kanë vendosur gjithashtu bllokime ose kufizime ndaj Polymarket, ndërsa masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe në Republikën Çeke, Gjermani, Belgjikë, Poloni, Hungari dhe Portugali. Nga ana tjetër, Malta dhe Gjibraltari po punojnë për krijimin e një kuadri rregullator të ngjashëm me atë të Amerikës së Veriut.
Jashtë Evropës, situata është tjetër. Në SHBA dhe Kanada tregjet e parashikimit janë pjesërisht të rregulluara, megjithëse rregullat ndryshojnë nga një shtet apo provincë në tjetrën. Ndërkohë, Argjentina dhe Brazili kanë bllokuar platformën për shkelje të rregulloreve kombëtare, ndërsa në Azi ajo është e bllokuar në Singapor, Kinë, Tajvan dhe Tajlandë. Në Japoni, aksesi vazhdon të lejohet, ndërsa në Korenë e Jugut zbatohen kufizime specifike.

Add new comment